Paga të larta, cilësi e ulët

Aktuale January 17, 2019 - 08:17
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Sot është dita e katërt e grevës së institucioneve publike arsimore në Kosovë, ndërsa krerët e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit paralajmërojnë se greva nuk do të ndërpritet derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Ata kërkojnë rritjen e koeficientit të pagave të tyre për 30 për qind. Kurse, sipas njohësve të kësaj fushe, me ngritjen e këtij koeficienti pagat e mësimdhënësve në Kosovë do të ishin më të lartat në rajon, përderisa vlerësojnë se cilësia e arsimit në vend nuk është e nivelit të rajonit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për “Zërin” se greva nuk do të ndalet derisa të realizohet kërkesa e tyre. “Greva edhe në ditën e sotme është në ritmin e njëjtë 100% që nga çerdhet, shkollat fillore, të mesmet dhe universitetet. 

LEXO EDHE: “Ekzili” i fshehtë i Hashim Thaçit

Edhe publikisht edhe shumica nga profesorët i janë përgjigjur grevës. Në grevë është i tërë sistemi arsimor. Kështu do të vazhdohet deri në realizimin e kërkesës sonë legjitime dhe të drejtë, që e kemi bërë publike që minimumi 30% të ngrihen të gjithë koeficientet në sistemin arsimor. Kërkojmë ngritje koeficientesh që të arrijmë në vendin e merituar në Ligjin për Paga”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, analisti Armend Muja ka bërë një krahasim të pagave të mësimdhënësve në Kosovë me të atyre në rajon.

“Rrogat e arsimtarëve në bazë të propozimit të ri të Qeverisë planifikohet që mësimdhënësi i shkollës së mesme në Kosovë të paguhet 550 euro, mësimdhënësi i shkollës fillore 478 euro, ndërsa edukatorët parashkollorë 454 euro. Me këtë mesatarja e rrogës në arsimin parauniversitar do të arrijë në 515 euro. Efektivisht mësimdhënësit në Kosovë do të paguheshin më mirë sesa në Shqipëri, Maqedoni dhe ngjashëm me Serbinë. Kjo edhe pse fuqia blerëse e rrogës së tyre është më e lartë. SBASHK-u kërkon rritje 30%, që nënkupton pagesë mujore prej 550 eurosh”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social “Facebook”.

Muja ka thënë për “Zërin” se mësimdhënësit duhet të përkrahin Ligjin për Paga.

“Mësimdhënësit është mirë të përkrahin Ligjin për Paga edhe sikur në kuadër të ligjit të indeksohet rritje e pagesës sipas rritjes ekonomike 4-5%. Në këtë mënyrë ata do të përfitojnë nga vendosja e parimit dhe pa pasur nevojë të bëhen patericë politike. Ligji do të ishte hap i rëndësishëm për trajtim të mirëfilltë të mësimdhënësve në Kosovë dhe mbi të gjitha një lloj çlirimi nga nënkrahu i forcave politike në Kosovë”, ka thënë ai.

Këshilli i Prindërve i shqetësuar për grevën: Po dëmtohen fëmijët

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, ka thënë për “Zërin” se greva është mjeti më i keq i ndërmarrë nga mësimdhënësit, pasi që, sipas tij, po dëmton nxënësit.

Ai ka thënë se SBASHK-u nuk ka pasur parasysh interesin e fëmijëve.

“Efektet e grevës janë shumë të rënda. Pas pushimit po bëhet edhe një pauzë tjetër. Një largësi e madhe e nxënësit nga procesi mësimor. Këto janë vështirësi shumë të mëdha. Sa më tepër që nxënësi qëndron larg procesit mësimor është shumë problem që të kyçet në rrjedhat e procesit mësimor. Edhe nëse zëvendësohen orët efekti i tyre është zero. Nuk realizohen pritjet që janë në procesin normal. Ngarkesat me zëvendësimin e orëve janë shumë të mëdha dhe të papërballueshme sidomos për nxënësit e ciklit të ulët, për shkak se për një kohë shumë të shkurtër të mësosh një planprogram më të madh kapaciteti i tyre nuk e përballon”, ka thënë ai.

Reshiti ka thënë se për shkak të grevës edhe nxënësit pastaj do të kenë rezultate të dobëta në mësime.

“Pastaj ka rezultate të dobëta, sepse mësimdhënësit gjatë vlerësimit nuk e kanë parasysh atë që nxënësit tani janë të mbingarkuar. Ne jemi dëshmitarë se këto gjëra po ndodhin dhe këto janë ato shqetësimet tona, sepse nxënësit përveçqë kanë vështirësi në kuptimin e një planprogrami që është i ngarkuar dhe presionit që kanë mësuar shumë për një kohë të shkurtër, është problemi që në fund performanca e tyre dështon. Ne nuk jemi të interesuar që vullnetin e nxënësve tanë ta dëmtojmë pikërisht kur faji është i të tjerëve”, ka shtuar ai.

Ngritja e koeficientit të kërkuar nga mësimdhënësit, e papërballueshme

Njohësi i çështjeve të arsimit Dukagjin Pupovci ka thënë për “Zërin” se është e papërballueshme për buxhetin që të ngrihet koeficienti për mësimdhënësit me vlerën prej 239 eurove.

Sipas tij, Qeveria ose duhet të pajtohet me një rritje shumë të madhe të vëllimit të pagave, ose të heqë dorë nga aprovimi i ligjit derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë.

“Për momentin nuk ka ndonjë zgjidhje për grevën e mësimdhënësve. Ngritja e koeficientit me vlerën e tanishme të tij prej 239 eurove do të ishte e papërballueshme për buxhetin, pasi Ligji i Pagave edhe ashtu ka kosto të lartë. Alternativa është të rritet koeficienti për mësimdhënësit, duke e zvogëluar vlerën e tij, në mënyrë që pagat të mbeten në nivelin aktual, por kjo do të ndikonte në pagat tanimë të rritura të zyrtarëve të lartë, si dhe do të rrezikonte përmbushjen e premtimeve elektorale për rritjen e pagave të mjekëve etj. Pra, Qeveria ndodhet në qorrsokak”, ka thënë ai.

Ndërsa sa u përket orëve mësimore që nxënësit kanë humbur për shkak të grevës, Pupovci ka thënë se nëse mësimdhënësit janë paguar gjatë kësaj kohe, atëherë ata duhet të kompensojnë ditët e humbura.

Qehaja: Për keqardhje që SBASHK-u ka reaguar tani

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, e ka vlerësuar si të papranueshme grevën e mësimdhënësve.

“Në një situatë të rritjeve të pagave në sektorë të tjerë qeveritarë, në shthurje me kufizimet buxhetore, reagimi nga SBASHK-u nuk duket i çuditeshim, sado që pengimi në proces të mësimdhënies është i papranueshëm. Kjo grevë si e tillë ka ngritur shqetësimin e kamotshëm të prindërve në veçanti për domosdoshmërinë e llogaridhënies për cilësi në mësimdhënie po ashtu”, ka thënë ai.

Qehaja ka thënë se është për keqardhje që Sindikata nuk ka reaguar më herët.

“Shpërndarja e koeficienteve në Projektligjin e Punës pa marrë parasysh kompleksitetin e vërtetë të shumë profesioneve jobefasishëm ka sjellë një reagim të tillë nga SBASHK-u dhe sektorë të tjerë. Është për keqardhje që reagimi sindikal ka ardhur vetëm tash para leximit të dytë të ligjit dhe ata me ndërprerje të procesit mësimor, aq më shumë kur dihet që ky projektligj është në diskutim për muaj me radhë”, ka thënë ai.

Ministria e Arsimit kërkon ndërprerjen e grevës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur një takim gjatë ditës së djeshme me drejtorët e drejtorive komunale të arsimit, ku është diskutuar për gjendjen e krijuar pas fillimit të grevës në arsim dhe mundësitë për të dalë nga kjo situatë.

Në një njoftim për medie është thënë se ministri Bytyqi i ka informuar drejtorët e DKA-ve për gjithë angazhimin që ka bërë MASHT-i, në mënyrë që të arrihet sa më parë një marrëveshje për të dalë nga kjo gjendje, e cila më së shumti po i dëmton nxënësit.

“Në këtë takim u morën dy vendime: I bëhet thirrje SBASHK-ut për ndërprerjen e grevës në të gjithë sistemin arsimor, në veçanti nëpër çerdhe që nga dita e nesërme; U formua grupi punues që do të udhëhiqet nga ministri Bytyqi, pjesë e së cilit do të jenë tre drejtorë të DKA-ve dhe një përfaqësues nga Këshilli i Prindërve, grup i cili do të zhvillojë takime me përfaqësues të SBASHK-ut dhe akterët tjerë vendimmarrës në funksion të arritjes së një zgjidhjeje”, thuhet në njoftim./ZERI