“Ekzili” i fshehtë i Hashim Thaçit
FOTO: Laura Hasani

“Ekzili” i fshehtë i Hashim Thaçit

Aktuale janar 17, 2019 - 07:44
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Ka disa ditë që presidenti Hashim Thaçi nuk gjendet në Kosovë, por askush nuk e di vendndodhjen e saktë të tij. Jozyrtarisht thuhet se i pari i shtetit po zhvillon takime në Bruksel, por një gjë e tillë nuk konfirmohet nga Zyra e presidentit. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se agjenda e kreut të shtetit duhet të jetë publike, në mënyrë që të dihet se çfarë takimesh po zhvillon ai, shkruan sot gazeta "Zëri".

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tash e disa ditë nuk gjendet në Kosovë, por nuk e ka bërë të ditur vendndodhjen e tij.
Si rrjedhojë, kreu i shtetit nuk mori pjesë në dy takimet e fundit që ekipi negociator dhe krerët e institucioneve zhvilluan për t’u koordinuar rreth negociatave me Serbinë. Thaçi mungoi edhe në takimin e së hënës, por edhe në mbledhjen e djeshme që u mbajt për të diskutuar rreth procesit të dialogut. Pos këtyre presidenti nuk qe prezent as në përvjetorin e 20-të të masakrës së Reçakut.

LEXO EDHE: Çka është e domosdoshme sipas Vuçiq'it për t'u arritur marrëveshja finale?

Gazeta “Zëri” jozyrtarisht ka mësuar se kreu i shtetit aktualisht gjendet në Bruksel, ndonëse për një gjë të tillë nuk është lëshuar kurrfarë njoftimi zyrtar. Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, askush nga Presidenca nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se agjenda e presidentit duhet të jetë publike, në mënyrë që të dihet se ku dhe në çfarë takimesh po shkon kreu i shtetit. Megjithëkëtë, ata pohojnë se ka takime të atilla për të cilat presidenti mund t’i njoftojë vetëm institucionet e shtetit, pra që vendndodhja e tij të dihet në çdo kohë. Por, të pyetur se pse nuk ka marrë pjesë në takimet e fundit, përfaqësuesit e Qeverisë në ekipin negociator kanë thënë se kjo nuk është çështje që u takon atyre.

Qeveria s’ka informacion pse mungoi presidenti

I pyetur nëse ka informacion se pse presidenti Hashim Thaçi nuk ka marrë pjesë në dy takimet që janë zhvilluar gjatë kësaj jave mes ekipit negociator dhe krerëve të institucioneve, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili njëherësh është edhe anëtar i delegacionit shtetëror, ka thënë se nuk ka çfarë të deklarojë rreth kësaj, pasi që kjo është çështje që i takon Presidencës.

“Kryetari i Kuvendit e ka ftuar takimin, sa di janë ftuar të gjithë, është mirë ta pyetni Zyrën e presidentit se s’di çka të them unë prej Qeverisë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Gazeta “Zëri” ndërkohë ka tentuar gjatë tërë ditës së djeshme të marrë një përgjigje nga Zyra e presidentit, por askush nuk ka pranuar të përgjigjet as nëpërmjet telefonit, as nëpërmjet pyetjeve të dërguara me shkrim. Ndonëse pjesëtarët e Zyrës së presidentit janë zotuar disa herë se do të kthejnë përgjigje rreth kësaj çështjeje, nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

LVV: Zhdukja e Thaçit sjell dyshime

Derisa nuk ka asnjë njoftim zyrtar se ku gjendet presidenti, deputetja e LVV-së Arbërie Nagavci ka vlerësuar se kjo situatë është krejtësisht e paqartë.

“Nuk ka asnjë njoftim zyrtar se ku ndodhet, është shumë e paqartë vendndodhja e tij në këtë kohë, që paralelisht po ndodhin zhvillime qoftë rreth Gjykatës Speciale ose vazhdimi i dialogut nga ekipi negociator”, ka deklaruar ajo.

Një situatë e tillë misterioze sipas saj hedh dyshime mbi atë se çka është duke bërë kreu i shtetit aktualisht.

“Nuk ka ardhur asnjë njoftim se a është në pushim ose në ndonjë agjendë private. Zhdukja e tij në këtë kohë është për të dyshuar shumë në lidhje me projektet që po i shtyn Thaçi përpara”, ka theksuar Nagavci.

Vendndodhja e presidentit duhet të dihet në çdo kohë

Teksa ka folur rreth kësaj çështjeje, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se nuk është e domosdoshme që presidenti t’i bëjë publike të gjitha vizitat e tij jashtë vendit. Megjithëkëtë, ai ka konsideruar se Thaçi në të tilla raste duhet t’i njoftojë të paktën institucionet e shtetit.

“Dihet se ka takime dhe biseda që presidenti i mban të fshehura nga publiku, por jo që të mos i dijë askush, sepse për ato duhet të dijë ose kryetari i Kuvendit, ose kryeministri, ose dikush tjetër prej strukturave”, ka deklaruar ai. Kjo pasi, siç ai është shprehur, vendndodhja e presidentit duhet të dihet në çdo kohë. “Ai i raporton dikujt, sepse zyrtarisht në çdo moment duhet të dihet se ku është presidenti. Institucionet në çdo moment duhet ta dinë dhe e dinë vendndodhjen e presidentit, si dhe e dinë se ku ka shkuar dhe për çfarë çështjeje”, ka nënvizuar Tahiri.

Kurse njohësi i çështjeve politike Arton Demhasaj ka vlerësuar se bojkotimi i dy takimeve të fundit, ku u diskutua për dialogun dhe mospjesëmarrja e Thaçit në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, mund të ketë ardhur në mënyrë të qëllimshme.

“Mospjesëmarrja në përvjetorin e masakrës së Reçakut mund të jetë për arsye se nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë ose thjesht edhe mund të ekzistojë mundësia që qëllimisht ka udhëtuar jashtë shtetit”, ka deklaruar ai.

Kjo pasi, siç ai është shprehur, në çdo takim ku po bëhen bashkë krerët institucionalë po flitet për dialog dhe për shkëmbim të territoreve. Andaj, ai ka konsideruar se kjo mund të jetë një tendencë e ikjes së Thaçit nga këto takime.

“Kjo mund të jetë edhe njëra prej arsyeve ndoshta se pse nuk bëhen publike këto agjenda dhe pse presidenti nuk është i pranishëm në këto takime”, ka theksuar ai.

Mospjesëmarrja e kreut të shtetit në takimet për dialogun, ku pjesëmarrës ka qenë edhe ekipi negociator, sipas Demhasajt sjell ndikim negativ për Kosovën.

“Kjo është shumë negative, derisa ne kemi presidentin që ka mandat kushtetues, kemi edhe një ekip që është themeluar nga Kuvendi. Një moskoordinim i tyre pra përmes mospjesëmarrjes së takimeve të përbashkëta mund të jetë shumë i dëmshëm në procesin dialogues, për shkak se nuk kemi koordinim mes presidentit dhe ekipit negociator që është krijuar nga Kuvendi i Kosovës”, ka theksuar ai.

Rrjedhimisht, një moskoordinim i tillë sipas tij mund të interpretohet dhe të kuptohet se nuk ka pajtueshmëri mes qëndrimeve të presidentit dhe ekipit negoacitor sa i takon dialogut. /ZERI