Thaçi deklarohet për nisjen në Hagë të Lushtakut e 'Remit'

Aktuale January 13, 2019 - 15:41
Lexo detajet

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka shkruar për shkuarjen e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Rrustem Mustafa-Remi dhe Sami Lushtakut në Hagë, transmeton “Zëri.info”.

Thaçi ka shkruar që Kosova nuk ka marrë përgjigje për shumë padrejtësi duke përmendur kështu vrasjen e shqiptarëve nga shteti serb në kohën e luftës.

Thaçi ka potencuar që beson në luftën e pastërt të UÇK-së.

"Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së", ka shkruar Thaçi  në një postim në "Facebook".

LEXO EDHE: Drashkoviq tregon se çfarë do të ndodh me Serbinë nëse nuk arrihet marrëveshja me Kosovën

Ky është reagimi i tij:

Jam i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen, as nga drejtësia vendore, as nga ajo ndërkombëtare: si vrasja nga shteti serb e 13,500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20 mijë grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve.

Por, e them me bindje të plotë se krimet nuk vjetrohen dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.

Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi.

Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës.

Shembulli i juaj për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues. Të gjithë të ftuarit e tjerë për intervistim edhe një herë i ftoj t’i përgjigjen pozitivisht ftesave nga Dhomat e Specializuara.

Në kohën e kanosjes ekzistenciale, ju, me guximin dhe dijen tuaj, të pamundurën e bëtë të mundur, ëndrrën realitet.

Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës. HTH /ZËRI