Për cilat marrëveshje pritet të dakordohet grupi negociator gjatë vizitës në SHBA?

Aktuale January 08, 2019 - 13:16
Lexo Detajet

Grupi negociator për dialogun me Serbinë i prirë nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj pritet të udhëtojnë për një vizitë në SHBA për të diskutuar rreth marrëveshjes me Serbinë.

E këtë takim, analisti politik Shkodran Ramadani për gazetën “Zëri” e vlerëson si rritje të mëtejme të rolit të SHBA-së në dialogun me serbinë, transmeton “Zeri.info”.

“Është pjesë e trendit të zhvendosjes së dialogut nga duart e BE-së në duart e SHBA-së. SHBA-ja po bëhet gjithnjë e më tepër lehtësuese dhe dizajnuese e dialogut, ndërkohë që BE-ja po humbet lidhjen dhe po shndërrohet në një faktor komplementar e asistues të SHBA-së. BE-ja do të ketë rol të madh edhe më tej, por jo sikur deri më tani, që e vetme ka bartur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar Ramadani.

Tutje Ramadani ka deklaruar se është e pritshme që delegacionit kosovar t’i bëhet e qartë se dialogu duhet të fillojë shpejt e për këtë duhet të hiqet edhe taksa.

LEXO EDHE: Ekipi për dialogun pret 'vizën' për në SHBA

 

“Nga ky takim është e vështirë të thuhet se çfarë saktësisht do të diskutohet, sepse nuk ka ndonjë dokument publik. Por gjasat janë që t’u bëhet me dije se dialogu duhet të fillojë shpejt, se duhet gjetur një zgjidhje që merr parasysh edhe interesat e Serbisë, se nuk duhet të ketë vonesa dhe barrikadime që nuk u kontribuojnë përpjekjeve për paqe. Ka shumë gjasë që do të kërkohet edhe tërheqja e tarifës për produktet e Serbisë, në mënyrë që të hapet rruga për dialog konstruktiv”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Sa i përket korrigjimit të kufijve, Ramadani ka thënë se nëse nuk ndërrojnë mendje sa i përket ndryshimit të kufijve, pjesëtarët e ekipit të dialogut do ta kenë të vështirë t’i bëjnë ballë presionit për kohë të gjatë. “Sidomos nëse marrëveshja garanton njohje dhe ulëse në OKB. Ky takim do të dobësojë rezistencën kundër ndryshimit të kufijve dhe lehtë mund të hapë rrugën për heqjen e taksës, në mënyrë që të fillojë dialogu me Serbinë”, ka përfunduar Ramadani./zeri.info/