Ekipi për dialogun pret 'vizën' për në SHBA

Aktuale January 08, 2019 - 07:43
Lexo Detajet
Image

Delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë, i cili bashkëkryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pritet të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të diskutuar rreth marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Në këtë takim zyrtarët amerikanë do të tregojnë cilat janë kornizat e fazës finale të dialogut, shkruan gazeta "Zëri".

Delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmetit, pritet të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) para marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”, sipas së cilave së shpejti pritet të saktësohet data e udhëtimit për në Uashington, ku pritet të zhvillohen takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikanë.

Ndërsa analistët politikë i kanë thënë “Zërit” se në këtë takim do t’i bëhet e qartë ekipit për dialogun qëndrimi i SHBA-së për marrëveshjen finale. Vlerësohet se nëse zyrtarët amerikanë dalin në mbështetje të idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, atëherë edhe ekipit shtetëror, që aktualisht është kundër kësaj ideje, do t’i bëhet e ditur ky qëndrim.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, i cili është edhe pjesë e delegacionit shtetëror për dialogun, ka thënë për gazetën “Zëri” se një takim i tillë nuk është kërkuar nga ekipi për dialogun. Megjithatë ai ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë nuk mund të bëhet pa mbështetjen amerikane. Hoxhaj ka thënë ende është herët të flitet për takimin e ekipit për dialogun me zyrtarët amerikanë. “Ne nuk kemi bërë ndonjë kërkesë për vizitë në Uashington. Por besoj që gjatë javëve të ardhshme do të ketë takime më të shpeshta në Bruksel. Ndërsa natyrisht që marrëveshja finale është finale kur e ka vulën dhe mbështetjen amerikane. Por kur do të ftohet (ekipi) në Uashington nuk mund të them asgjë njëherë, është goxha herët”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ramadani: SHBA-ja po merr rolin vendimtar në dialog

Analisti politik Shkodran Ramadani ka thënë për gazetën “Zëri” se kjo vizitë është një hap më tutje drejt rritjes së mëtejme të rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociatat për marrëveshjen finale me Serbinë. “Është pjesë e trendit të zhvendosjes së dialogut nga duart e BE-së në duart e SHBA-së. SHBA-ja po bëhet gjithnjë e më tepër lehtësuese dhe dizajnuese e dialogut, ndërkohë që BE-ja po humbet lidhjen dhe po shndërrohet në një faktor komplementar e asistues të SHBA-së. BE-ja do të ketë rol të madh edhe më tej, por jo sikur deri më tani, që e vetme ka bartur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar Ramadani.

Ai më tej ka thënë se megjithëse nuk mund të dihet saktësisht se çka do të flitet në takim më zyrtarët amerikanë, është e pritshme që atje t’i bëhet e qartë ekipit negociator se dialogu duhet të fillojë shpejt dhe se mund të kërkohet edhe heqja e taksës ndaj Serbisë për t’i hapur rrugë dialogut. “Nga ky takim është e vështirë të thuhet se çfarë saktësisht do të diskutohet, sepse nuk ka ndonjë dokument publik. Por gjasat janë që t’u bëhet me dije se dialogu duhet të fillojë shpejt, se duhet gjetur një zgjidhje që merr parasysh edhe interesat e Serbisë, se nuk duhet të ketë vonesa dhe barrikadime që nuk u kontribuojnë përpjekjeve për paqe. Ka shumë gjasë që do të kërkohet edhe tërheqja e tarifës për produktet e Serbisë, në mënyrë që të hapet rruga për dialog konstruktiv”, ka potencuar ai.

Ramadani më tej ka thënë se qëndrimi i ekipit për kufijtë nuk mund të ndërrojë menjëherë, por në këtë takim amerikanët do t'i tregojnë ekipit se pse duhet të ndodhë marrëveshja. “Amerikanët do t'ia tregojnë kornizat e dialogut dhe ekipi më pas do të vlerësojë se a ia vlen të dialogohet në ato kushte. Do të ketë trysni, por jo me intensitet të lartë, sepse ende nuk ka filluar cikli vendimtar i dialogut”, ka shtuar Ramadani.

Në fund ai ka thënë se edhe nëse nuk ndërrojnë mendje sa i përket ndryshimit të kufijve, pjesëtarët e ekipit të dialogut do ta kenë të vështirë t’i bëjnë ballë presionit për kohë të gjatë. “Sidomos nëse marrëveshja garanton njohje dhe ulëse në OKB. Ky takim do të dobësojë rezistencën kundër ndryshimit të kufijve dhe lehtë mund të hapë rrugën për heqjen e taksës, në mënyrë që të fillojë dialogu me Serbinë”, ka përfunduar Ramadani.

Vizita në SHBA e ndryshon qëndrimin e ekipit për kufijtë

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se qëllimi i një takimi të tillë ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe delegacionit shtetëror të Kosovës për dialogun është që të bindet ky ekip për ta mbështetur idenë e korrigjimit të kufijve. Sipas tij, nëse SHBA-ja del në mbështetje të ndryshimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë, atëherë edhe ekipi i Limajt e Ahmetit do të ndryshojë qëndrim.

“Arsyeja e këtij takimi sigurisht se është vetëm për t’i bindur anëtarët e këtij ekipi që ta përkrahin një ide të tillë. Dhe mundësia që këta ta refuzojnë një propozim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë e vogël, është minimale. Kjo është diçka shumë e qartë”, është shprehur Demahasaj.

Përndryshe, javë më parë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump i ka bërë thirrje skenës politike kosovare për unifikim. Ndërsa ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta presë presidentin kosovar Hashim Thaçin dhe atë serb Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë për të festuar.

Gazeta “Zëri” gjatë ditës së hënë i ka kontaktuar edhe zyrtarët e Ambasadës së Amerikës në Prishtinë në lidhje me vizitën që pritet ta zhvillojë ky ekip në Uashington, por nuk ka marrë përgjigje, pasi që stafi i saj e ka pasur ditë pushimi për Krishtlindjet Ortodokse.