Mjekët e mësimdhënësit paralajmërojnë greva e bojkotim të punës

Aktuale January 08, 2019 - 08:23
Lexo Detajet
Image

Personeli mjekësor, si dhe mësimdhënësit në Kosovë kanë paralajmëruar greva të përgjithshme nëse nuk përfillen kërkesat e tyre për rritje të pagave, shkruan gazeta "Zëri".

Personeli mjekësor ka kërkuar që Projektligji për Pagat të kalojë në të njëjtën ditë me buxhetin e Kosovës për vitin 2019, ndërsa mësimdhënësit kanë kërkuar që të ngrihen për 30 për qind koeficientet për mësimdhënësit.

LEXO EDHE: Opozita, pa strategji për ta ndalur ekipin për dialogun

Projektligji për Paga në sektorin publik, i cili është pjesë e pakos së ligjeve për reformim të administratës publike, ende nuk ka kaluar në lexim të dytë. Për më shumë, nuk pritet që as këtë muaj të shkojë në Kuvendin e Kosovës, pasi që ai ende nuk ka kaluar te Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Nëse nuk u përfillen kërkesat i tërë sistemi arsimor më 14 janar futet në grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës që deri më datën 11 janar të këtij viti të përmirësojë koeficientin e pagave për sektorin e arsimit.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj, i cili ka thënë për “Zërin” se nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët më 14 janar do të hyjë në grevë i tërë sistemi arsimor. “Ne i kemi dhënë afatin e fundit dhe apeli ynë është që gjatë kësaj jave që jemi të takohemi dhe të bisedojmë për përmirësimin e koeficientit për tërë sektorin e arsimit. Uroj që kështu të ndodhë. Besoj që institucionet tona të reflektojnë, të kemi takime intensive pas ditës së sotme, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, në të kundërtën SBASHK-u do të detyrohet që më 14 janar të shkojë në një grevë të përgjithshme nga çerdhet, arsimi parauniversitar dhe universitetet”, ka thënë ai.

Sipas tij, greva që do të organizohet, për dallim nga grevat tjera të cilat kanë qenë kryesisht njëorëshe, tashmë do të jenë më të gjata, deri sa të gjendet një zgjidhje e pranueshme për ta. “Ne i kemi shfrytëzuar mundësitë tona me veprime sindikale, kemi pasur grevë njëorëshe e dyorëshe. Më 28 dhjetor kemi shkuar me alarmin e fundit, me grevën njëorëshe. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta respektojmë zërin e mësimdhënësve dhe të shkojmë në grevë të përgjithshme, grevë e cila nënkupton se do të jetë në kohë të pacaktuar, deri në momentin kur institucionet të bëjnë zgjidhje të pranueshme për mësimdhënësit e Kosovës”, ka thënë ai.

Jasharaj ka thënë më tej se pret që Ministria e Arsimit dhe institucionet tjera të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ta. “Jam optimist që gjatë kësaj jave edhe Ministria e Arsimit edhe institucionet tjera do të ulen me ne, do të bisedojnë dhe do të gjejnë zgjedhje, sepse zgjedhja është e mundshme. Ne kemi bërë kërkesa me shkrim dhe pasi që deri tani ishte një atmosferë feste, besoj që nga sot edhe institucionet, edhe ne do të kemi angazhime dhe takime në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të pranueshme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ne do të shkojmë në grevë”, ka shtuar ai.

Syla: Nëse s’kalon Ligji për Paga bashkë me buxhetin s’kemi pse të shkojmë në punë

Kirurgët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po vazhdojnë grevën, e cila ka filluar më 17 dhjetor të vitit 2018.

Arbër Morina, nga Kolegjiumi i Kirurgëve, ka thënë ditë më parë për “Zërin” se ata do të vazhdojnë grevën derisa do të ketë ndryshime në pagat e tyre.

Mirëpo për dallim nga kirurgët, Federata Sindikale e Shëndetësisë në Kosovë, më datën 3 janar të vitit 2019, ka vendosur që të pezullojë grevën e personelit mjekësor.

Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se e kanë pezulluar grevën pasi që u është premtuar se Projektligji për Pagat do të kalojë së bashku me Ligjin për Buxhetin e Kosovës.

Sipas tij, nëse Projektligji për Pagat nuk kalon në të njëjtën ditë me buxhetin e Kosovës, atëherë personeli mjekësor nuk ka as pse të punojë. “Ne kemi pezulluar grevën pas takimeve që kemi pasur me kryeministrin, me kryeparlamentarin dhe me strukturat tjera relevante, që Ligji mbi Pagat me disa vërejtje do të shkojë të njëjtën ditë me Ligjin për Buxhetin, këto janë premtimet. Nëse ligji nuk kalon atë ditë me buxhetin ne nuk kemi çfarë të kërkojmë e as të shkojmë në punë. Nëse nuk kalon buxheti dhe Ligji i Pagave, atëherë Këshilli Urgjent do të mblidhet dhe do të marrë vendim”, ka thënë ai.

Syla ka thënë se do t’i japin pak kohë Qeverisë duke i ndalur veprimet sindikale, në mënyrë që të mos dëmtohen pacientët. Ai ka folur edhe për kirurgët të cilët po vazhdojnë të jenë në grevë, me ç’rast ka thënë se është e palogjikshme që ata të vazhdojnë grevën tani. “Ne e përkrahim kauzën, por jo veprimet. Është e palogjikshme të vazhdohet me grevë kur ne veçse i kemi këto veprime. Edhe po të qëndrojmë një muaj në grevë buxheti nuk po kalon. Unë nuk e di se si mund të realizojmë ne kërkesën tonë kur shteti nuk ka buxhet. Ne nuk kemi biseduar me kirurgët dhe kolegët tjerë, sepse ata nuk kanë kërkuar të bisedojnë me ne”, ka thënë ai.

Komisioni për Administratë Publike ende nuk e ka shqyrtuar projektligjin

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka thënë për “Zërin” se Projektligji për Paga ende nuk ka kaluar në këtë komision. “Komisioni për Administratë Publike është duke punuar ende në Projektligjin për Pagat, ai ende nuk ka ardhur në Komision për Buxhet. Komisioni për Administratë Publike kur ta kryejë punën e tij në projektligj, atëherë amendamentet të cilat i bëjnë ata, bashkë me ligjin do të sillen në Komisionin për Buxhet, pastaj ne e diskutojmë koston e projektligjit”, ka thënë ajo.

Hadërgjonaj ka thënë se pret që nga fundi i muajit janar Ligji për Pagat të vijë në Komisionin për Buxhet dhe Financa. “Komisioni për Administratë Publike i ka pasur tri projektligje që kanë pasur të bëjnë me reformën në administratën publike. Në mesin e këtyre tre ligjeve është edhe ai për Pagat. Po shpresoj që të tria ligjet do të jenë shumë shpejt në Komision për Buxhet dhe ne do të merremi intensivisht me punë që sa më shpejt të jetë në seancë për votim. Unë po shpresoj që nga fundi i këtij muaji ai do të vijë te ne”, ka shtuar ajo.

Ndërsa anëtari i Komisionit për Administratë Publike, Rasim Selmanaj, ka thënë për gazetën se do të mbajnë një punëtori, ku do të shqyrtojnë ligjin dhe pastaj ta kalojnë atë në Kuvend. “Ne nuk kemi vendosur për vendin, por do ta kemi një punëtori dhe do ta përfundojmë këtë ligj, pastaj do të ftojmë seancën”, ka thënë ai.