Një ditë e zakonshme e një murgeshe

Aktuale December 31, 2018 - 11:08
Detajet

Shtëpia ku qëndrojnë motrat e nderit i ngjan një shtëpie të zakonshme. Gazeta “Zëri” ka qëndruar në shtëpinë e motrave të nderit në qytetin e Prizrenit dhe ka parë nga afër jetën e tyre.

Zgjimi i tyre bëhet para orës 6:00 si një lloj përgatitjeje për lutje, 20 minutat përgatitore që ato i quajnë. Lutjet, të cilat i realizojnë në të ashtuquajturën “Kapelë”, bëhen për gjysmë ore duke iu drejtuar Zotit në heshtje për të gjetur një përgjigje nga “Ungjilli” për jetën e tyre, shkruan Gazeta "Zeri".

LEXO EDHE: 'Martesa e çuditshme' e motrave të nderit 

Mëngjesi i motrave të nderit fillon në orën 7:00, ku mblidhen bashkë rreth tryezës së zakonshme që të tetë motrat që bashkëjetojnë. Ndërsa pas kësaj ore shpërndahen të gjitha në aktivitetet e tyre, qoftë në kopshte ose në shkolla. Përmbyllja e takimeve të tyre bëhet në orën 16:30 me lutjen e ofices, rozaren e meditimin. Pastaj aktiviteti vazhdon në kishë për ceremonitë e meshës, ku marrin Jezusin si ushqim shpirtëror.

Pas kthimit u shërbehet darkë nga ora 20:00 deri në orën 21:00. Pas kësaj kohe ato kanë momentin e lumtur kur mblidhen bashkë të gjitha dhe rrëfejnë ndodhitë e ditës. Lutja e tyre përfundimtare njihet si “Rrymim i ndërgjegjes” për pendesat gjatë ditës.

Ato paguhen për punën që bëjnë. Ndërsa për jetesë ndihmohen nga pensioni i motrave të tyre në Itali, që u ofrojnë nga veshmbathja, ushqimi e gjithçka. Paratë që fitojnë i mbajnë në një “Kasë komune” dhe për nevojat e tyre duhet t’i drejtohen motrës eprore, e cila nuk lejon t’u mungojë asgjë, shkruan Gazeta "Zeri".

“Ne nuk e kemi një jetë luksoze, por të qetë dhe mund të flemë qetë”, përfundon rrëfimin Çeta, 50-vjeçare./ZERI