'Martesa e çuditshme' e motrave të nderit

Aktuale December 31, 2018 - 09:06
Detajet

Motrat e nderit ndahen nga kënaqësitë e botës dhe nga krijimi i familjes, por edhe ato realizojnë një ceremoni të martesës, ndryshe nga të dashuruarit. Unaza e tyre e martesës nuk dallon asgjë nga e të zakonshmeve, veç besëlidhjes që bëjnë me Jezus Krishtin, shkruan Gazeta "Zeri".

“Unaza në gisht është një përjetësi me Zotin. Kemi përgatitje të gjerë. Para se të marrim veshjen kemi mundësi pesë vjet të mendohemi dhe të përgatitemi për ta marrë unazën, pesë vjet të përgatitemi për të marrë unazën ku në çdo vit i themi po Zotit. Çdo vit e bëjmë një festë dhe i përkushtohemi Zotit. Pas pesë vjetëve që kemi qëndruar ne u bëjmë kërkesë eprorëve tanë në Itali që kam dëshirë të jetoj përjetësisht me këtë jetë”, tregon pesëdhjetëvjeçarja Age Çeta në rrefimin për "Zërin".

LEXO EDHE: Rrëfimi i gruas që 'u martua' me Zotin

Sikur sot e kujton ceremoninë e “dasmës” së saj, kur në praninë e prindërve e të familjarëve e vuri unazën në gisht për t’u martuar me Zotin.

“Unë e kam bërë ceremoninë “Dasma Jonë” këtu në Prizren në vitin 2011, në praninë e prindërve, të familjarëve dhe të mbarë popullit. E vëmë unazën në gisht, si një lloj bese me Zotin që unë do të martohem me Zotin, jam e fejuara e Zotit për gjithë jetën. Unë ia dhuroj Zotit gjithë jetën. Kjo është besnikëria ndaj Zotit, sikur çdo i martuar e bën besnikërinë me të dashurën ose me të dashurin. Ne i premtojmë Zotit që do ta mbajmë këtë besnikëri gjatë gjithë jetës”, sqaron procedurat e martesës Çeta, që nuk ka arritur t’i përjetojë në një martesë të zakonshme./Zëri