Rrëfimi i gruas që 'u martua' me Zotin

Aktuale December 31, 2018 - 07:54
Detajet
Image

Ishte vetëm pesëmbëdhjetëvjeçare kur vendosi të privohej nga dashuria e liria. Age Çeta, nga fshati Meqë e Gjakovës, i ndau në gjysmë ëndrrat e fëmijërisë për t’ia kushtuar një jetë të tërë misionit prej një motre nderi. Tashmë janë bërë 35 vjet qëkur ajo vishet në petkun e bardhë, e ndarë nga kënaqësitë e botës, dhe për ne rrëfen me nostalgji kohën kur mendonte të krijonte një familje sikurse njerëzit e zakonshëm, shkruan Gazeta "Zeri"

Age Çeta, rreth të pesëdhjetave, ka tri dekada të tëra që bën jetë ndryshe nga njerëzit e zakonshëm. Petku  i bardhë, që ia ka mbuluar trupin për 35 vjet radhazi, vazhdon të jetë veshja e saj e preferuar.

Të tillë e konsideron atë petk që ia vodhi përjetimin e momenteve më të mira në familje. Këmbëngulësia e saj në besëlidhjen e këtij misioni nuk arrin t’ia fshehë dot dhimbjen në fytyrë kur kujton momentin e vdekjes së të ëmës, në të cilën ceremoni nuk arriti të jetë e pranishme. “Kam humbur nënën dhe kam qenë në aktivitete të kopshtit. Kanë lajmëruar që nëna nuk është mirë dhe kisha shpresën se nëna ka qenë disa herë e sëmurë e i kalon, shkruan Gazeta "Zeri".

Kishim ditëlindjen e një fëmije në kopsht, thashë ta kaloj edhe këtë ditëlindje, pastaj do të shkoj ta vizitoj. Jo duke pritur vdekjen, por kjo ka ndodhur si çdokund në botë, vdekja është e papritur”, rrëfen Çeta me buzët që i dridhen tek kujton atë kohë.

Dëshira e Çetës për t’u ndarë nga kënaqësitë e botës nuk u mirëprit njësoj nga familjarët. Ajo tregon vështirësitë me t’ua kumtuar lajmin familjarëve se kishte vendosur të bëhej motër nderi.

“Unë kam edhe dy motra tjera më të rritura që kanë vendosur të bëhen motra nderi dhe kam pasur të vështirë që familja ta pranojë këtë dëshirë timen. Prindërit e mi nuk kishin dëshirë aspak që unë të bëhem motër nderi. Sepse dy motra  ishin larguar nga familja dhe dëshira për të mos na larguar nga familja shumë larg, kuptohet malli. Ne jemi lindur dhe jemi rritur në një familje të madhe dhe kanë menduar që në të ardhmen ta kemi një familje, gjërat që unë i kam menduar krejt ndryshe, ata kanë menduar për mua”, shton me gjysmë zëri 50-vjeçarja, shkruan Gazeta "Zeri".

Të privuar nga jeta nuk dëshironte ta shihte as i vëllai, që e kishte regjistruar në shkollë të mesme, për t’ia pamundësuar misionin prej një motre nderi.

“Një vëlla m’i ka marrë të gjitha dokumentet dhe më ka regjistruar në shkollë të mesme pa dijeninë time. Kam vazhduar, por e kam parë që dëshira ime më tepër ishte hulumtimi sepse më vonë e kuptova që të jesh motër do të thotë t’i shërbesh Zotit e ajo më tërhiqte më tepër duke qenë që edhe nga zemra ndieja se kam diçka për të dhënë më shumë dhe kam mundësi për të dhënë më shumë.

Nga shëndeti isha mirë dhe kjo dëshirë vazhdimisht rritej. Asnjëherë s’kam menduar për gjëra tjera që mund të jenë ndryshe”, shprehet me këmbëngulësi motra e nderit.

“Martesa e çuditshme” e motrave të nderit

Motrat e nderit ndahen nga kënaqësitë e botës dhe nga krijimi i familjes, por edhe ato realizojnë një ceremoni të martesës, ndryshe nga të dashuruarit. Unaza e tyre e martesës nuk dallon asgjë nga e të zakonshmeve, veç besëlidhjes që bëjnë me Jezus Krishtin.

“Unaza në gisht është një përjetësi me Zotin. Kemi përgatitje të gjerë. Para se të marrim veshjen kemi mundësi pesë vjet të mendohemi dhe të përgatitemi për ta marrë unazën, pesë vjet të përgatitemi për të marrë unazën ku në çdo vit i themi po Zotit. Çdo vit e bëjmë një festë dhe i përkushtohemi Zotit. Pas pesë vjetëve që kemi qëndruar ne u bëjmë kërkesë eprorëve tanë në Itali që kam dëshirë të jetoj përjetësisht me këtë jetë”, tregon pesëdhjetëvjeçarja Age Çeta.

Sikur sot e kujton ceremoninë e “dasmës” së saj, kur në praninë e prindërve e të familjarëve e vuri unazën në gisht për t’u martuar me Zotin.

“Unë e kam bërë ceremoninë “Dasma Jonë” këtu në Prizren në vitin 2011, në praninë e prindërve, të familjarëve dhe të mbarë popullit. E vëmë unazën në gisht, si një lloj bese me Zotin që unë do të martohem me Zotin, jam e fejuara e Zotit për gjithë jetën. Unë ia dhuroj Zotit gjithë jetën. Kjo është besnikëria ndaj Zotit, sikur çdo i martuar e bën besnikërinë me të dashurën ose me të dashurin. Ne i premtojmë Zotit që do ta mbajmë këtë besnikëri gjatë gjithë jetës”, sqaron procedurat e martesës Çeta, që nuk ka arritur t’i përjetojë në një martesë të zakonshme.

Jeta përgatitore

“Ne nuk është thjesht që jemi mbyllur, jemi të hapura ndaj botës”, sikur e thotë me shkas motra e nderit. Ajo nuk pret asnjëherë nga bota që ta kuptojë mbylljen e tyre, teksa shpjegon me dashuri ecurinë e vendimit.

“Bota asnjëherë nuk mund të na kuptojë si këto mbyllen ose bëhen motra, lënë një familje, nuk kanë pasardhës. Nuk jemi bërë menjëherë motra nderi, kemi pasur jetën përgatitore. Pas dy vjetëve që kam qëndruar këtu, kemi shkuar në Itali dhe i kemi pasur dy vjet përgatitje, të cilën e quajmë ‘Kohën e Noviciatit’. Është një kohë tërheqjeje nga bota dhe studim rreth rregullës sonë”, tregon Age Çeta.

Ajo rrëfen se pas dy vjetësh studimi vazhdon bindja e lirshme të qëndrosh ose të tërhiqesh nga ky mision.

“Sepse ne motrat e kemi një rregull, një rend. Pas studimeve dy vjet në Romë prapë ishte ajo bindja e lirshme a dëshiron të vazhdosh ose të tërhiqesh. Askush ne nuk na ka imponuar të bëhemi motra nderi, por vazhdimisht është ajo liria jonë që dëshirojmë t’i shërbejmë Zotit dhe ‘Vëllait Njeri’. Kemi filluar kështu për pesë vjet me radhë në vitin 1990. Unë i kam paraqitur kushtet e para”, sqaron në mes tjerash me plot entuziazëm për misionin që ka zgjedhur.

Kjo jetë përgatitore ua mundëson atyre edhe punësimin. Motrat e nderit kryejnë edhe shkollën e Pedagogjisë në Itali për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve, që të jenë të gatshme të ballafaqohen me jetën kudo që kyçen.

Vizitat në familje, rregull i ashpër

“Të shtrënguar” e quan kohën e vizitave që realizonin më parë, motra Age Çeta.

Vizitat në familje motrave të nderit më parë u mundësoheshin vetëm një herë në 8 ose në 10 vjet. Tani që u lejohen pesëmbëdhjetë ditë brenda një viti për të qëndruar me familjen për to është një lehtësim i madh.

“Të them të vërtetën, vizita më herët ka qenë më e shtrënguar. Sepse një herë që e ke lanë familjen nuk është dashur më të kthehesh. Për motrat tona të mëhershme përpara ka qenë çdo 10 vjet, çdo 8 vjet. Tash kemi arritur deri në një herë në vit t’i kemi 15 ditë në familje. Nëse është diku më larg në Amerikë, kemi të drejtë edhe 1 muaj. Përpos këtyre 15 ditëve, nëse kemi ndonjë rast në familje, gëzimi ose rast vdekjeje ne kemi mundësi t’i vizitojmë dhe kemi mundësi që këto 15 ditë sipas dëshirës sonë t’i shfrytëzojmë kur jemi të lira”, shpjegon në detaje ajo.

Ndonëse familja për 50-vjeçaren mbetet primare si për çdokënd tjetër, ajo rrëfen se si lidhen më shumë për punën dhe për aktivitete, duke e kuptuar jetën si dhuratë për t’ua dhuruar të tjerëve. 15 ditët e lejuara për t’i parë fytyrat e familjarëve janë të mjaftueshme për të.

“Ne e kemi kuptuar si një dhuratë jetën, atë që kemi për t’ua dhuruar të tjerëve. Besoj që 15 ditë janë të mjaftueshme. Koha për 8 dhe 10 vjet për vizitë ka qenë më e gjatë, por e kanë bërë sepse e kanë parë jetën si dhuratë. Tani që është një herë në vit për mua është kënaqësi të vizitoj familjen. Edhe ata kanë nevojë për ne. Familja gjithmonë për mua mbetet primare”, thotë Çeta, e cila në gusht për herë të fundit ka vizituar familjen.

Festa familjare që i mbledh bashkë “Shën Gjoni” ia mundëso asaj t’i shijojë pushimet me familje gjatë muajit korrik e gusht. “Ne kemi një festë familjare ‘Shën Gjonin’. Pushimet i kam bërë nga dy, nga dy gjatë  korrikut dhe gushtit. Sepse unë kam një vëlla në Amerikë, dy në Zvicër, dy motra në Gjermani. Unë i vizitoj kohë pas kohe kur ata munden. Kur ata vijnë këtu unë shkoj”.

Të vështirë e quan momentin e ndarjes nga familja. Por tani teknologjia sikur ia ka pushuar pak dhimbjen. Përdorimi i telefonave ua lejon motrave të nderit të komunikojnë me familjarët për të kuptuar rreth gjendjes së tyre.

“Fillimisht momenti i ndarjes ka qenë më i vështirë se kemi ikur me vite dhe s’jemi kthyer në familje, kohë krize, luftë ka qenë, pak rrezik edhe për ne, sepse nuk kemi pasur mundësinë që e kemi tash përmes telefonave. Nëse atëherë në gjashtë muaj e ke marrë një letër ka qenë bekim i Zotit. Kohët e fundit na lejohen telefonat edhe me familjarë sepse janë jashtë”, tregon me gëzim ajo.

Ndalesa e grimit

Petku i bardhë, me “vellon e zezë” mbi kokë që i qëndron pa lëkundur Age Çetës bart me vete një mesazh. Gjatë rrëfimit për gazetën “Zëri” ajo tregon se veshjen e kanë simbol të ndarjes nga jeta dhe të përkushtimit të Zotit.

“Veshja jonë është e përditshme. E shohim si një përkushtim jete, nuk është si një lloj havale që duhet mbuluar, nuk duhet parë. Por simbolizon ndarjen nga bota, që jemi ndryshe, i përkushtohemi Zotit. Petku ynë tregon atë përkushtimin e Zotit në tërësi, që të dallohemi nga bota”, sqaron Çeta.

Veshjet shekullare më herët nuk i kanë pasur të ngjashme. Ajo tregon se këtë veshje e bartin me shkuj pasi është pasqyrë e shpirtit dhe quhet e bardhë për shkak të nofkës që mbajnë si “Motrat Engjëllore të Shën Palit”.

Velloja e zezë që u qëndron në kokë ndryshon varësisht prej stinëve. Meqenëse temperaturat bien gjatë sezonit të dimrit atyre u konvenon të vishen me të zeza. Në fytyrat e tyre nuk është vendosur asnjë pikë grimi.

Tërë kjo për shkak të betimit të tyre, me kushtin e varfërisë. Ato vendosin t’i lënë gjërat e botës dhe të ikin nga bota siç tregon Age. Fytyra e tyre është natyrale, me dëshirën që të paraqiten ashtu siç janë.

Natyralitetin e ruajnë si shenjë bekimi, pasi e titullojnë “Bukuria e jetës sonë”.

Fshehja e flokëve të tyre nuk simbolizon diçka, përveçqë të jenë ndryshe nga bota dhe të mbulohen komplet.

Ëndrra para vendimit

Sikur çdo fëmijë tjetër edhe Age kishte një ëndërr. Ajo nuk e kishte parë në moshë të fëmijërisë veten të ndaluar nga jeta.

“Si ëndërr si fëmijë mendoja gjëra fëmijërore. Ato gjërat e familjes i kam përjetuar se kam qenë në familje të madhe, të jesh një familjare e mirë para se t’i takoja motrat. Ëndrra të jesh familjare dhe një prind. Por në fillim kemi menduar të kalojmë si shoqëri në periudhën, s’i kemi përjetuar menjëherë ato dashuritë. Ka qenë ëndrra të jesh familjare. Duke qenë se misioni më ka pëlqyer, gjallërinë time ta shpreh në kontakt me të tjerët. Duke edukuar fëmijët, edukohemi edhe ne”, tregon Çeta.

Këmbëngulësia e besëlidhjes, privimi nga dashuria

Age Çeta asnjëherë nuk do ta shihte vetën ndryshe, sikur të jetonte edhe 100 vite, ajo prapë do të zgjidhte të ishte një motër nderi. Nga përvoja që ka jetësuar thotë ta ketë jetuar një jetë të mirë pozitive, e pjesëmarrëse në të gjitha kënaqësitë e botës. Ndonëse, nuk ka fëmijë, burrë, e jetë të zakonshme, ndihet tëjet e lumtur që të gjithë i thërrasin nëna, motra e bija.

“Po të lindja edhe dhjetë herë apo 100 herë prapë do ta zgjidhja të njëjtin profesion duke i përmisuar disa mungesa që jeta t’i imponon. Kisha me i bë më mirë dhe kisha me qenë edhe më në gatishmëri ndaj gjitha gjërave që ndoshta që na kanë ikur nga dora. Por asnjëherë, nuk e kam pasur këtë mendim të kthehem prapa sepse jeta ime është e përmbushur me Zotin me lutje”, këmbëngul ajo.

Sikur mundohet t’i ik pyetjes për dashurinë. Çeta thotë se është dashuruar me jetën që i ka kushtuar Zotit, me fëmijët, tek kujton shtrirjen për toke, aktin e tyre simbolik.

Motrat e nderit, kanë mundësinë ta lënë në gjysmë rrugën e nisur të tyre në rast se nuk ndihen të gatshme për të vazhduar.

Pas pesë vitesh përgatitje, një motër nderi mund t’ia paraqes lutjen e saj eprorëve nëse ndjen nostalgji dhe tërheqje për botën.

“Ka mujt dikush me taku dikën. Nuk do të thotë të rrish e shtrengume. Pesë vite është afati përfundimtar që t’ia lypësh jetën eprorëve por ke mundësi  gjatë gjithë jetës askush nuk ta imponon të jesh motër nderi. Motrat që kthehen me kushte ia paraqesin lutjen Selisë së Shenjtë. Ka raste kur janë kthyer”, rrëfen Çeta e cila vet nuk dëshiron të kthehet kurrë prapa.

Pastërtia, varfëria, dëgjesa

Për t’i hyrë betimit të një motre nderi ajo duhet të jetë e gatshme t’u përgjigjet kushteve themelore, siç tregon 50-vjeçarja Age Çeta: pastërtisë, varfërisë dhe dëgjesës.

“Ne kur bëhemi motra u përgjigjemi tri kushteve themelore: pastërtitë, varfërisë dhe dëgjesës. Këto janë ato kushtet që ne na përgatisin për mbretërinë qiellore duke filluar. Ne nuk lidhemi për disa familje ose fëmijë, por jemi të hapura që të lidhemi me gjithë botën sepse misioni ynë na fton të ikim në mbarë botën, kudo që na ftojnë, ne jemi të gatshme”, bën të ditur ajo.

Një ditë e zakonshme e një murgeshe

Shtëpia ku qëndrojnë motrat e nderit i ngjan një shtëpie të zakonshme. Gazeta “Zëri” ka qëndruar në shtëpinë e motrave të nderit në qytetin e Prizrenit dhe ka parë nga afër jetën e tyre. Zgjimi i tyre bëhet para orës 6:00 si një lloj përgatitjeje për lutje, 20 minutat përgatitore që ato i quajnë.

Lutjet, të cilat i realizojnë në të ashtuquajturën “Kapelë”, bëhen për gjysmë ore duke iu drejtuar Zotit në heshtje për të gjetur një përgjigje nga “Ungjilli” për jetën e tyre. Mëngjesi i motrave të nderit fillon në orën 7:00, ku mblidhen bashkë rreth tryezës së zakonshme që të tetë motrat që bashkëjetojnë. Ndërsa pas kësaj ore shpërndahen të gjitha në aktivitetet e tyre, qoftë në kopshte ose në shkolla.

Përmbyllja e takimeve të tyre bëhet në orën 16:30 me lutjen e ofices, rozaren e meditimin. Pastaj aktiviteti vazhdon në kishë për ceremonitë e meshës, ku marrin Jezusin si ushqim shpirtëror.

Pas kthimit u shërbehet darkë nga ora 20:00 deri në orën 21:00. Pas kësaj kohe ato kanë momentin e lumtur kur mblidhen bashkë të gjitha dhe rrëfejnë ndodhitë e ditës. Lutja e tyre përfundimtare njihet si “Rrymim i ndërgjegjes” për pendesat gjatë ditës.

Ato paguhen për punën që bëjnë. Ndërsa për jetesë ndihmohen nga pensioni i motrave të tyre në Itali, që u ofrojnë nga veshmbathja, ushqimi e gjithçka. Paratë që fitojnë i mbajnë në një “Kasë komune” dhe për nevojat e tyre duhet t’i drejtohen motrës eprore, e cila nuk lejon t’u mungojë asgjë.

“Ne nuk e kemi një jetë luksoze, por të qetë dhe mund të flemë qetë”, përfundon rrëfimin Çeta, 50-vjeçare.