LDK-ja dhe LVV-ja nuk i binden Thaçit për KQZ-në

Aktuale December 25, 2018 - 07:59
Lexo Detajet
Image

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë vendosur që të mos i binden presidentit Hashim Thaçi në lidhje me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këto dy parti kanë dërguar nga dy emra për përfaqësues në KQZ e jo nga një, sa u ka kërkuar Thaçi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Më 14 dhjetor të këtij viti përmes një kërkese me shkrim Zyra Ligjore e presidentit Thaçi ka kërkuar nga gjashtë grupet parlamentare (LDK, LVV, PDK, PSD, AAK dhe Nisma) që të propozojnë nga një përfaqësues për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mirëpo këtë gjë e kanë kundërshtuar ashpër dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat thonë që u takojnë dy anëtarë në KQZ dhe jo vetëm një.

LEXO EDHE: Dialogu dinamizohet në fillimvit

Kësisoj LDK-ja dhe Vetëvendosja tashmë i kanë dërguar nga dy emra për përfaqësues të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ato shprehen të bindura se në bazë të Ligjit për Zgjedhje, si dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili saktëson se çfarë është grupi parlamentar, atyre u takojnë nga dy përfaqësues e jo një, siç ka kërkuar presidenti Thaçi. Të dyja këto parti kanë paralajmëruar se nëse presidenti nuk do t’ua japë atyre nga dy vende në KQZ, atëherë ata do të përdorin çfarëdo forme ligjore me qëllim që të ndalohet veprimi “antikushtetues” i presidentit Thaçi.

Në anën tjetër, njohësit e proceseve zgjedhore theksojnë se me këtë veprim presidenti Thaçi po shkel Kushtetutën. Ata thonë që ftesa e presidentit që të emërojnë nga një anëtar në KQZ për tri subjektet tjera, AAK, Nisma e PSD, është një lloj pazari që po bëhet me institucionin e KQZ-së dhe tendencë e pastër për ta kapur këtë institucion, duke i dëmtuar dy partitë opozitare.

Presidenca: Do të veprojmë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Zgjedhje

Zyra e presidentit të Kosovës në një përgjigje për gazetën “Zëri” kanë thënë se ende nuk janë kompletuar emrat e të gjithë të nominuarve për anëtarë të KQZ-së. Megjithatë, sipas kësaj zyre, emërimi i anëtarëve të rinj të KQZ-së do të bëhet në respektim të Kushtetutës, të Ligjit për Zgjedhjet dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e grupit më të madh parlamentar. “Jemi në pritje të kompletimit të nominimeve për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Shumica e Grupeve Parlamentare tashmë i kanë dorëzuar propozimet e tyre. Emërimi i anëtarëve të KQZ-së do të bëhet në pajtim të plotë me Nenin 139 të Kushtetutës, me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe me Aktgjykimin Nr. KO119/14 të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Thaçit.

Më tej në këtë përgjigje theksohet se janë duke u shqyrtuar nominimet e LDK-së dhe të LVV-së. “LDK-ja dhe LVV-ja i kanë dërguar nominimet e tyre. Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, sikurse edhe me rastet e nominimeve tjera, në pajtim me Nenin 25 të Udhëzimit Administrativ për Shërbimet Juridike në Presidencë, është duke bërë shqyrtimin e nominimeve të drejtuara presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, thuhet më tutje aty.

Vetëvendosja dhe LDK-ja, të vendosura kundër vendimit të Thaçit


Ish-përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, për “Zërin” ka thënë që partia e tij i ka dërguar dy emra për përfaqësim në KQZ, pavarësisht se presidenti Thaçi ua ka kërkuar atyre vetëm një. “Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar nominimet e saj për anëtarë të KQZ-së, gjithmonë në bazë të asaj që garanton Kushtetuta, rezultatet e zgjedhjeve dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 dhe në bazë të ligjit presidenti brenda 5 ditëve pas sigurimit që kandidatët i plotësojnë kriteret e parapara me Ligj për Zgjedhje duhet të bëjë konfirmimin e anëtarëve të KQZ-së”, ka thënë ai.

Pavarësisht se Rrustemi vlerëson që do të duhej që brenda një afati 5-ditor presidenti t’i emërojë këta përfaqësues, ai nuk shpreson që ky i fundit do ta bëjë një gjë të tillë. Ai thotë që presidenti Thaçi po e përdor KQZ-në për interesa personale. “Do të duhej që sa më parë presidenti të konfirmojë përbërjen e re të KQZ-së në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve, por duke marrë parasysh zvarritjen që ia ka bërë presidenti deri më tani KQZ-së, krejtësisht të qëllimshme dhe si instrumentalizim i një institucioni të tillë të pavarur siç është KQZ-ja, por edhe përdorimi i KQZ-së për interesa të ngushta partiake, unë nuk besoj që çështja e KQZ-së do të mbyllet shpejt”, ka potencuar ai.


Ndërkohë, Rrustemi ka thënë që Lëvizja Vetëvendosje do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar çfarëdo vendimi tjetër të presidentit nëse nuk emëron dy anëtarë nga Lëvizja Vetëvendosje, dy nga LDK-ja dhe dy nga PAN-i.
Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala janë dy të propozuarit e Lëvizjes Vetëvendosje për anëtarë në KQZ.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka dërguar dy emra për përfaqësim në Komisionin Qendror për Zgjedhje (KQZ). Sami Hamiti dhe Florian Dushi janë emrat që ia ka dërguar LDK-ja presidentit Thaçi.


Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që presin që këto dy propozime do të miratohen nga presidenti Thaçi, në të kundërtën sipas tyre presidenti bën shkelje. “Dy propozimet tona i kemi dërguar në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ne presim që presidenti të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Në të kundërtën bën shkelje”, ka theksuar Hoti.

Thaçi nuk do t’i emërojë nga dy anëtarë të LDK-së dhe LVV-së


Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” që edhe pse subjektet opozitare LDK-ja dhe LVV-ja kanë dërguar nga dy emra për përfaqësim në KQZ te presidenti Thaçi, ky i fundit nuk do t’i emërojë ata. “Nëse shohim zhvillimet e deritanishme, si dhe qasjen e Presidencës karshi këtij procesi, vlerësoj se do të jetë vështirë e mundshme që subjektet opozitare të marrin nga dy anëtarë në KQZ, edhe pse Kushtetuta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet në fuqi ia njohin këtë të drejtë LVV-së dhe LDK-së”, ka thënë ai.

Kësisoj ai vlerëson se presidenti do ta emërojë vetëm personin e parë në listë nga këto dy subjekte.
Rasim Alija, njohës i proceseve zgjedhore, për “Zërin” ka thënë që përbërja e re e KQZ-së nxjerr në pah pazaret politike të presidentit. “Ftesa e presidentit për tri subjektet tjera, AAK, Nisma e PSD, është një lloj pazari që bëhet me institucionin e KQZ-së dhe tendencë e pastër për ta kapur këtë institucion, duke ua mohuar të drejtën kushtetuese e ligjore partive opozitare dhe rrjedhimisht të ketë një KQZ sipas kalkulimeve të presidentit. Presidenti do të duhej që të respektonte Kushtetutën, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili saktëson se çfarë është grupi parlamentar”, ka theksuar ai.


Sipas Alisë, nëse KQZ-ja funksionalizohet në formën që ka kërkuar presidenti, atëherë kjo në të ardhmen mund të shkaktojë kaos në sistemin zgjedhor. “Nëse do të shkonim më tutje me emërimet siç i ka ftuar presidenti, kjo do të ketë pasoja në të gjithë sistemin zgjedhor dhe në të gjitha fazat e një procesi zgjedhor, rrjedhimisht mund të kishim situata kur partitë opozitare nuk do ta pranonin e kontestonin rezultatin e zgjedhjeve në të ardhmen, duke u thirrur në jolegjitimitetin e anëtarëve të emëruar nga presidenti”, ka thënë ai.
Ai më tej ka thënë se janë mbi 30 anëtarë të kuvendeve komunale që presin vendimin e KQZ-së për të marrë detyrën./ZERI/