Dialogu dinamizohet në fillimvit

Aktuale December 25, 2018 - 07:53
Lexo Detajet
Image

Fillimi i vitit që vjen pritet të karakterizohet me një dinamizim të dukshëm të procesit të negociatave Kosovë - Serbi. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në fazën finale të bisedimeve mund të ketë përfshirje edhe të shteteve të fuqishme të botës, përkatësisht të SHBA-së dhe të Rusisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kanë kaluar gati dy muaj prejse dy kryenegociatorët e dialogut mes dy vendeve, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të fazës finale të këtij procesi.


Pavarësisht kësaj, pala kosovare tashmë ka formuar ekipin negociator për dialog, të përbërë nga drejtues të partive të koalicionit qeverisës, të partisë opozitare PSD-së dhe nga përfaqësues të shoqërisë civile. Mirëpo pala serbe po vazhdon të këmbëngulë se nuk do ta vazhdojë këtë proces nëse nuk ka heqje të taksës 100% të vendosur ndaj produkteve serbe. Por pavarësisht këtyre, njohësit e këtij procesi vlerësojnë se javët në vijim, respektivisht fillimi i vitit që vjen, do të karakterizohet me një dinamizim të dukshëm të procesit të negociatave Kosovë - Serbi.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme drejtuesi i delegacionit për dialogun, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka njoftuar se ky ekip do të takohet me zyrtarë të BE-së në fillim të muajit janar 2019 për të diskutuar rreth çështjes së negociatave. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në fazën finale të bisedimeve mund të ketë përfshirje edhe të shteteve të fuqishme të botës, të SHBA-së dhe të Rusisë. Përderisa inkuadrimin e SHBA-së e ka kërkuar vazhdimisht pala kosovare, atë të Rusisë nuk po rresht së kërkuari Serbia. Porse ish-kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri, ka thënë se pala serbe duhet ta dijë mirë që aty ku merr pjesë Rusia nuk ka marrëveshje.

Në fillim të janarit ekipi negociator takohet me zyrtarët e BE-së

Drejtuesi i ekipit negociator për dialogun me Serbinë, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka bërë të ditur gjatë së hënës se pala kosovare dhe ajo serbe do të zhvillojnë një takim në Bruksel gjatë fillimjanarit të vitit që vjen.

Këtë njoftim Limaj e ka dhënë pas takimit që krerët e ekipit kanë pasur me presidentin Hashim Thaçi. “Sot patëm takim edhe me presidentin. Ka qenë takimi i parë dhe në këtë takim biseduam për të mirën e dialogut. Presidenti ofroi mbështetjen e plotë për temat për të cilat do të bisedojmë në dialogun e ardhshëm”, ka thënë dje Limaj.

Më tej ai ka pohuar se ekipi në fjalë do t’i mbledhë të gjitha materialet për t’i trajtuar, pasi që në 10-ditëshin e parë të janarit do të shkojë në Bruksel për t’u takuar me zyrtarë të BE-së. “Ne e kemi marrë këtë punë me intensitet dhe do të vazhdojmë sa më fuqishëm në këtë drejtim”, ka potencuar ai.

Ndryshimi i kufijve, vijë e kuqe në dialog

Teksa ka folur rreth zhvillimeve të fundit rreth negociatave, ish-kryenegociatorja e procesit të dialogut Kosovë - Serbi, Edita Tahiri, ka vlerësuar se Kosova duhet ta ketë fokusin te përmbajtja e dialogut e jo te dinamizmi i procesit. “Kur them përmbajtja kam parasysh edhe platformën e Kosovës për këto bisedime si fazë finale dhe te legjitimiteti i delegacionit të Republikës së Kosovës. Unë mendoj se në këtë fazë i gjithë fokusi i udhëheqjes dhe spektrit politik të Kosovës duhet të fokusohet te përmbajtja e platformës dhe ajo duhet në mënyrë të qartë të refuzojë çfarëdo bisedash për ndryshim të kufijve”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Kjo pasi, sipas Tahirit, gjatë këtij viti ideja për ndryshim kufijsh ka qenë tema më e rrezikshme që është lansuar. Kjo ide, siç ajo është shprehur, dihet qartazi që është një ide serbo-ruse.

Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialog në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka konsideruar se në fillim të vitit që vjen pritet të ketë dinamizim të procesit të dialogut Kosovë - Serbi. “Absolutisht që pritet të ketë një dinamizim të procesit, veçanërisht duke ditur që ka një afat kohor se deri kur pritet të arrihet kjo marrëveshje, pra deri diku kah maji i vitit të ardhshëm”, ka deklaruar ajo. 

Megjithëkëtë, sipas Krasniqit, mbetet të shihet se çka do të ndodhë më tutje, veçmas kur kihet parasysh se pala kosovare është shprehur e gatshme që të ketë dialog, ndërkohë që ajo serbe është zotuar se s’do të ketë dialog pa u hequr fillimisht taksa ndaj produkteve serbe.

Opozita nuk lëshon pe, nuk i bashkohet dialogut

Pavarësisht zhvillimeve të fundit rreth procesit të dialogut, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi ka përsëritur edhe një herë se LVV-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin sa i përket procesit të negociatave me Serbinë. “Përderisa ekziston kjo gjendje që kemi sot në raport me Serbinë ne do të vazhdojmë të mbesim po ashtu me konstatimet dhe qëndrimet tona të njëjta, se bisedimet me Serbinë duhet të ndryshojnë dhe nuk duhet të vazhdojnë në këtë mënyrë siç kanë vazhduar deri më tash”, është shprehur ai.

Se procesit të dialogut nuk do t’i bashkohet tashmë ka ritheksuar disa herë edhe partia më e madhe e Kuvendit, LDK-ja.

Duke u nisur nga këto, deputeti i PDK-së Elmi Reçica ka vlerësuar se edhe këto dy parti opozitare, të cilat po vazhdojnë ta kundërshtojnë dialogun, do të duhej të bëheshin pjesë e procesit. “Përveç ekipit negociator që është votuar, do të duhej të jenë edhe të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament dhe jashtë tij. Kjo do të ndikonte në fuqizimin e ekipit tonë”, ka deklaruar ai.

SHBA-ja e Rusia mund të përfshihen në dialog

Gjersa ka folur për mundësinë e përfshirjes së fuqive të mëdha në procesin e bisedimeve, Edita Tahiri ka thënë se SHBA-ja ka qenë e përfshirë qysh moti në procesin e negociatave. “SHBA-ja ka qenë e përfshirë në këtë dialog që nga viti 2011. Në vitin 2011-2012 SHBA-ja ka qenë e ulur në tavolinën e bisedimeve. Ky ka qenë edhe njëri prej kushteve të mia për të pranuar që të bëhem kryenegociatore. Pastaj kur kaluam në fazën e normalizimit SHBA-ja ishte në Bruksel, por jo në tavolinë, vazhdimisht ka qenë e angazhuar që të ndihmojë gjetjen e zgjidhjes”, ka theksuar ajo.

Rrjedhimisht, edhe tash në fazën finale, sipas saj, SHBA-ja dhe Gjermania duhet të përfshihen në dialog. Gjermania ka bërë të qartë se nuk do të ketë ndryshim kufijsh dhe kjo, siç Tahiri është shprehur, është mbrojtja kryesore e parimeve evropiane për këtë dialog.

Ndërkohë, sa i takon Rusisë Tahiri ka thënë se pala serbe duhet ta dijë që aty ku është Rusia nuk mund të ketë marrëveshje. Një gjë e tillë, sipas saj, është dëshmuar edhe në punimet e Rambujesë, edhe në ato të Vjenës. 

Ndërkaq Jeta Krasniqi më tutje ka thënë se SHBA-ja tashmë ka shprehur gatishmërinë për ta përkrahur këtë proces. Madje ajo nuk ka përjashtuar as mundësinë e përfshirjes së Rusisë në dialog. “Ne kemi parë që Amerika me letrën që presidenti Trump ia ka dërguar presidentit Thaçi dhe Vuçiqit ka shprehur gatishmërinë edhe për ta mbështetur procesin e dialogut dhe pritet që të ketë një angazhim më të madh edhe të SHBA-së në këtë proces, duke i shtyrë të dyja palët që ta arrijnë një marrëveshje. Tash është e pritshme që të ketë njëfarë përfshirje edhe nga ana e Rusisë, se çfarë përfshirje do të jetë ajo mbetet të shihet”, ka nënvizuar ajo./ZERI/