Valon Murati ‘ankohet’ për rezolutën

Valon Murati ‘ankohet’ për rezolutën

Aktuale dhjetor 15, 2018 - 20:37
Lexo detajet

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim Valon Murati ka reaguar pas miratimit të rezolutës për dialogun me Serbinë. Ai ka shkruar që me këtë rezolutë prapë është injoruar Kosova Lindore, transmeton “Zëri.info”.

Miratimi i kësaj rezolute sipas Muratit është bërë me kokëfortësi dhe ai shton se në këtë mënyrë Serbisë i dhurohet një pozicion i favorshëm strategjik në bisedime.

“E pabesueshme, por prapë me kokëfortësi, Kuvendi i Kosovës, edhe përmes rezolutës së re për bisedimet me Serbinë injoron Kosovën Lindore. Pra prapë do të flitet vetëm për Kosovën dhe serbët në Kosovë, ndërsa për shqiptarët e mbetur nën Serbi vazhdohet të heshtet. Kështu i dhurohet Serbisë një pozicion i favorshëm strategjik në bisedime. Nëse asgjë tjetër, mund të futej në rezolutë si pozicion reciprociteti në marrëdhënie me Serbinë përfshirë reciprocitetin për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën me Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun”, ka reaguar Murati përmes një postimi në “Facebook”.

LEXO EDHE: Hoti reagon ‘ashpër’ pas miratimit të rezolutës për dialog me Serbinë

Tutje ai ka thënë që me këtë rezolutë bisedimet e “reja” do të kenë qasje të vjetër dhe rezultatet sipas tij do të jenë të vjetra.

“Nëse aq shumë u ka mbetur tek këta kufij, kanë mundur së paku të kërkojnë reciprocitet në të drejta. Kështu realisht, në bisedimet e “reja” do të ketë qasje të vjetër. Kështu, edhe rezultatet do të jenë të vjetra. E kjo do të thotë vazhdim i status-quos”, përfundon postimi i tij. /ZËRI