I kërkohet Vuçiqit t’i shpallë zgjedhjet në veri!

Aktuale December 10, 2018 - 08:39
Lexo detajet
Image

Politikanë serbë në veri, duke përfshirë edhe kryetarët e dorëhequr të komunave veriore, i kanë kërkuar Beogradit t’i organizojë zgjedhjet në komunat veriore, duke siguruar se serbët do t’i bojkotojnë zgjedhjet që do t’i shpallë presidenti Hashim Thaçi, shkruan sot gazeta "Zëri".

Serbët e komunave veriore të Kosovës do t’i bojkotojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme të Prishtinës, pas dorëheqjes se kryetarëve të katër komunave, nëse ato do t’i shpallë presidenti Hashim Thaçi.
Politikanë serbë të veriut, duke përfshirë edhe kryetarët e dorëhequr të komunave veriore, i kanë kërkuar Beogradit, përkatësisht presidentit Aleksandar Vuçiq, që t’i organizojë zgjedhjet në katër komunat veriore, duke siguruar njëkohësisht se janë shuar institucionet e Prishtinës në komunat veriore. 

LEXO EDHE: Petroviq: Serbia po krijon frikë dhe pasiguri

Më i zëshmi në këtë kërkesë është kryetari i Zubin Potokut Stevan Vulloviq, i cili ka deklaruar se ndihet keq që për 5 vjet ka qenë kryetar i Komunës së Zubin Potokut me sistemin kosovar. Ai ka siguruar serbët e Kosovës se ka shuar të gjitha institucionet e Prishtinës në këtë Komunë, si dhe ka kërkuar që Beogradi t’i shpallë zgjedhjet në katër komunat veriore.

“I kam shuar të gjitha institucionet e Prishtinës në Zubin Potok. Ndihem i fyer që për 5 vjet kam udhëhequr një komunë sipas sistemit kosovar. Tani do të organizojmë zgjedhjet tona (të Serbisë) në veri”, ka thënë Vulloviq, përcjellin mediet lokale serbe në veri (TV Most, RKP), vëllai i të cilit, Serxhan Vulloviq, është drejtor menaxhues i Ujmanit (Gazivoda).

Sikurse Vulloviq janë shprehur edhe kryetarët tjerë të dorëhequr, Goran Rakiq, Vuçina Jankoviq dhe Zoran Todiq, të cilët kanë siguruar se serbët e komunave veriore do t’i bojkotojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme të Prishtinës.

E ndërkaq shqiptarët e jugut të Mitrovicës vlerësojnë se edhe ashtu katër kryetarët e dorëhequr të komunave veriore në asnjë moment nuk i kanë njohur institucionet e shtetit të Kosovës.

“Me komunat veriore ka udhëhequr ‘Srpska’ e ju e dini se ‘Srpska’ në Kosovë është Serbia. Rakiq, Vulloviq e të tjerët kanë marrë instruksione te Vuçiqi e Daçiqi për çfarëdo që kanë bërë në Kosovë. Ata nuk e kanë njohur as Hashim Thaçin, as Ramush Haradinajn e asnjë institucion kosovar. Ata janë bërë pjesë e institucioneve kosovare për interes të Serbisë dhe për ta zbatuar politikën serbe në institucionet e Kosovës”, thotë Shemsi Haziri, ekonomist.

Në anën tjetër shqiptarët e komunave veriore, të cilët nuk pranojnë në asnjë mënyrë që të jenë pjesë e Serbisë, pas paralajmërimeve për këmbim territoresh janë shprehur këmbëngulës se nëse Thaçi shpall zgjedhjet në katër komunat veriore, atëherë ata do të marrin pjesë dhe do t’i fitojnë zgjedhjet.

“Gjithsesi ne do të marrim pjesë në zgjedhje, këto janë zgjedhjet tona dhe ne besojmë se mund të ndikojmë që pushtetin në ato komuna ta marrin shqiptarët, sepse votuesit shqiptarë nuk pranojnë institucione serbe në komunat e tyre”, thotë Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, i cili me përfaqësues të shqiptarëve të komunave veriore kanë takuar kryeministrin e vendit Ramush Haradinajn për të biseduar për gjendjen pas dorëheqjes së kryetarëve serbë.  Cimili i tha “Zërit”, të dielën, se ndonëse serbët kanë nënshkruar deklaratat për ndërprerje të komunikimit me institucionet e Kosovës komuna veriore e Mitrovicës është duke funksionuar normalisht. “Komuna është duke punuar normalisht, sikurse edhe më përpara”, ka thënë Cimili.

E ndërkaq kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në takimin me përfaqësues të shqiptarëve të veriut ishte shprehur i përkushtuar që të jetë sa më afër banorëve për t’i adresuar shqetësimet e tyre.

“Kam biseduar me disa nga përfaqësuesit shqiptarë të komunave të veriut të Kosovës. Nga ata jam njoftuar për bashkëjetesën mes komuniteteve në këtë pjesë të Kosovës, gjendjen aktuale dhe nevojën e mbështetjes institucionale për mirëqenien e qytetarëve në këto komuna. Shqiptarët e atjeshëm i sigurova se Qeveria është e përkushtuar që të jetë sa më afër tyre për të adresuar shqetësimet e tyre”, ka thënë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

E ndërkaq vetë Cimili tha se me kryeministrin Haradinaj nuk kanë biseduar edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen pas dorëheqjes se kryetarëve të katër komunave veriore.

Edhe opozita serbe në Kuvendin e Serbisë, si dhe politikanë serbë të veriut të Kosovës kanë kërkuar nga presidenti Vuçiq që t’i organizojë zgjedhjet e reja për katër komunat veriore të Kosovës.

Ndonëse serbët e veriut të Kosovës, si dhe serbët në jug kishin pranuar që t’i pranojnë zgjedhjet të cilat i kishte shpallur presidentja Jahjaga në nëntorin e vitit 2013, Serbia ka instaluar në të gjitha komunat e Kosovës komunat paralele me kryetarë paralelë nëpërmes të të ashtuquajturave “Organe të Përkohshme”. /ZERI