Petroviq: Serbia po krijon frikë dhe pasiguri

Aktuale December 10, 2018 - 08:12
Lexo detajet
Image

Serbia përveç përpjekjeve të shumta për ta ndalur integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk e ka ndalur presionin as ndaj qytetarëve të etnisë serbe që kontribuojnë në Kosovë. Së fundmi këtë praktikë e ka vazhduar edhe me deputetin serb në Kuvendin e Kosovës, Slobodan Petroviq, nga Partia e Pavarur Liberale (SLS), shkruan sot gazeta "Zëri".

Petroviq u ndalua të shtunën në pikën kufitare në Merdare teksa po shkonte në një vizitë familjare në Beograd, aty ai është marrë në pyetje për orë të tëra nga zyrtarët e Shërbimit Informativ dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA).

LEXO EDHE: Java e ushtrisë

Duke folur për këtë çështje Slobodan Petroviq ka thënë për gazetën “Zëri” se ndalesa e tij në Merdare sjell frikë dhe pasiguri, si dhe dëmton edhe më shumë marrëdhëniet ndërfqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo ngjarje nuk shkon në favor të marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëjetesës dhe qetësimit të tensioneve, përkundrazi, kjo ngjarje sjell edhe më shumë frikë dhe pasiguri në mesin e popujve tanë”, ka deklaruar Petroviq. 

Kurse analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Zëri” se presionet e Serbisë ndaj qytetarëve të etnisë serbe që jetojnë në Kosovë e kanë vetëm një qëllim, shtyrjen e tyre drejt mohimit të shtetësisë së Kosovës.

Tahiri theksoi se këto praktika Serbia po i bën për t’i mbrojtur interesat e veta në Kosovë.

“Këtë politikë dhe këto sulme Serbia nuk do t’i ndalë me arsyet e saj që t’i mbrojë interesat e Serbisë në Kosovë, që janë vazhdimi i kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Më tutje ai pohoi se përveç sulmeve Serbia nuk do ta ndalë as lobimin e saj për të kundërshtuar procesin e integrimit të Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare.

“Serbia e ka proklamuar dhe ka deklaruar që nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës asnjëherë dhe që për të pavarësia është akt i njëanshëm që do të vazhdojë ta luftojë dhe çdo pengesë që ajo bën e bën e bën për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka shtuar Tahiri.

Për ndalesën e Petroviqit ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, e ka cilësuar si të patolerueshme ndalesën e deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe ka kërkuar nga Serbia që t’i ndalë këto praktika dhe se duhet ta kuptojë që situatat e tilla nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë. /ZERI