Kuvendi s’e ka kryer as gjysmën e punës për këtë vit

Aktuale December 10, 2018 - 08:24
Lexo detajet
Image

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta kryejë as gjysmën e punës së planifikuar për këtë vit, duke miratuar vetëm 68 nga 170 ligjet sa janë paraparë në agjendën legjislative. Ndërkohë që shumica e seancave kanë përfunduar pa u kryer pikat e rendit të ditës për shkak të mungesës së kuorumit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Qëkur ka filluar legjislatura e gjashtë Kuvendi i Kosovës ka pësuar ngecje në punën e tij. Ndërsa këtë vit, sipas të dhënave të Institutit Demokratik të Kosovës, Kuvendi ka mbajtur 39 seanca, ka arritur ta përmbushë vetëm 40% të agjendës së tij. Nga 170 ligje sa janë në agjendë 68 janë miratuar, 56 janë në procedurë dhe 46 ligje në pritje për t’u futur në procedurë.

LEXO EDHE: Specialja 'trazon' politikën

Vlerësohet që ndër shkaqet që nuk është përmbushur as gjysma e agjendës legjislative të Kuvendit janë mungesa e kuorumit, stërzgjatja e seancave, caktimi i seancave të reja pa përfunduar ato që kanë nisur dhe bojkoti i seancave nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Qeveria aktualisht nuk i ka numrat për të votuar asnjë ligj pa prezencën e opozitës, pasi që së fundmi edhe Lista Serbe, që ishte pjesë e Qeverisë, po e bojkoton punën e Kuvendit të Kosovës.

Selmanaj: Puna në Kuvend po ngec për shkak të opozitës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, për ngecjen e punës së Kuvendit e ka fajësuar opozitën.

“Është dashur që shumë ligje të ishin të përfunduara, por po shihet si po shkon situata për shkak të opozitës. Logjika e një deputeti të opozitës për t’i bojkotuar seancat është logjikë e gabueshme, sepse ne jemi të thirrur të marrim pjesë në seanca dhe të kontribuojmë në aprovimin dhe në votimin e ligjeve”, ka deklaruar Selmanaj.

Por sipas tij, pavarësisht që opozita nuk e ka për obligim t’ia bëjë kuorumin koalicionit qeverisës, është detyrë e secilit deputet të marrë pjesë në seancë.

“Detyrë e secilit deputet është të marrë pjesë në seancë, mund të votojnë edhe kundër, por jo t’i bojkotojnë dhe të mos marrin pjesë”, është shprehur Selmanaj.

Nagavci: Përmbushja e agjendës së Kuvendit, peng i numrave të Qeverisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se Qeveria është përgjegjëse për mosfunksionimin e Kuvendit dhe se ligjet po mbesin pa u miratuar për shkak se koalicioni qeverisës nuk e ka më shumicën në Kuvend.

“Kuvendi nuk ka arritur ta kryejë punën e vet, kjo në radhë të parë për shkak të vetë Qeverisë, pozita është ajo që duhet ta ketë shumicën e numrave dhe duhet të funksionojë pa marrë parasysh pjesëmarrjen ose jo të opozitës në seanca”, ka është shprehur Nagavci.

Ajo më tej ka thënë se bojkoti i seancave nga Vetëvendosja nuk duhet të jetë pengesë në punën e Kuvendit, duke shtuar se opozita ka të drejtë të përdorë strategjitë e saja për të mos votuar ligje, të cilat sipas tyre nuk janë të duhura.

“Opozita në çështjet që kanë qenë me rëndësi, qoftë në marrëveshjet ndërkombëtare ose në secilën situatë që kemi vlerësuar se është e nevojshme të garantojmë dy të tretat e Kuvendit ne kemi marrë pjesë gjithmonë dhe nuk e kemi bllokuar punën në këto çështje”, ka potencuar Nagavci.

Baftiu kritikon mungesën e unitetit brenda opozitës

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, ka thënë për “Zërin” se nëse opozita do të ishte e bashkuar shumë projektligje dhe rezoluta do të mundë t’i çonin përpara.

Baftiu pohoi se koalicioni qeverisës do të duhej t’i kishte numrat dhe t’i miratonte vetë ligjet pa nevojën e opozitës, por, siç tha ajo, në situatën aktuale opozita duhet të reflektojë. “Bashkimi i opozitës mund të stopojë shumë projekte të Qeverisë që nuk janë në të mirë të qytetarëve, mirëpo mund t’i çojë përpara shumë ligje e rezoluta që kanë mbetur peng, pra e kemi obligim që të jemi të pranishëm në Kuvend”, ka deklaruar Baftiu.

Më tutje Baftiu ka theksuar se Partia Socialdemokrate nuk do t’i kontribuojë ngecjes së punës së Kuvendit, por do të marrë pjesë në të gjitha seancat pavarësisht nëse do të votojë pro ose kundër.

“Ne si PSD në vazhdimësi kemi qëndruar dhe e kemi dhënë qëndrimin tonë që ne do të jemi pjesë e Kuvendit dhe ligjet që do të jenë në të mirë të qytetarëve do t’i votojmë, ndërsa ato që nuk i përkasin programit tonë nuk do t’i votojmë”, ka shtuar Baftiu.

Haxhiu: Kuvendi nuk e ka përmbushur as gjysmën e agjendës legjislative

Sipas monitoruesve të punës së Kuvendit, legjislatura e gjashtë e Kosovës nuk po funksionin si duhet.

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se mungesa e kuorumit është arsyeja kryesore që Kuvendi nuk e ka kryer as gjysmën e punës gjatë këtij viti.

“Pavarësisht që janë miratuar 68 ligje, 56 ligje të tjera janë në procedurë deri në fund të këtij viti dhe do të jetë e pamundur që të gjitha këto të përfundojnë deri në fund të sesionit vjeshtor. Andaj do të kemi përsëri bartje të projektligjeve nga një vit në tjetrin, siç edhe ka ndodhur pothuajse çdo vit”, ka theksuar Haxhiu.

Sipas saj, më keq se në rolin ligjvënës Kuvendi qëndron në rolin e mbikëqyrjes.

“Në rolin ligjvënës Kuvendi qëndron më mirë, por ka pasur ngecje në rolin e tij të mbikëqyrjes. Edhe pse deputetët ka qenë më aktivë në parashtrim të pyetjeve parlamentare dhe inicim të interpelancave, kanë munguar aktivitetet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. Kuvendi ka arritur që ta përfundojë dhe ta miratojë raportin e mbikëqyrjes së zbatimit të vetëm një ligji për këtë vit”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu më tutje theksoi se pavarësisht bojkotit të seancave nga partitë opozitare LDK-ja dhe Vetëvendosja po kontribuojnë vazhdimisht në shqyrtimin e projektligjeve dhe raporteve të ndryshme.

“Edhe pse LDK-ja dhe LVV-ja po i bojkotojnë seancat e rregullta plenare, deputetët e LDK-së dhe të LVV-së janë duke kontribuar aktivisht në shqyrtimin e projektligjeve dhe raporteve të ndryshme nëpër komisione parlamentare, por të njëjtat nuk janë duke i përkrahur në seanca plenare”, ka shtuar Haxhiu. /ZERI