Specialja 'trazon' politikën

Aktuale December 10, 2018 - 07:53
Lexo detajet
Image

Aktivizimi i Speciales, pas ftesës së parë të bërë publike për Rrustem Mustafën – “Remin”, vlerësohet se do ta “trazojë” skenën politike në vend, pasi që shumë ish-udhëheqës të luftës janë ndër figurat kyçe të subjekteve kryesore politike në Kosovë. Efektet më të mëdha të Speciales pritet të shihen në tremujorin e parë të 2019-s, shkruan sot gazeta "Zëri".

Rrustem Mustafa – “Remi”, ish-komandant i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit, është i pari që ka pranuar ftesën nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar më 14 janar 2019. Por, njohësit e sistemit të drejtësisë në vend vlerësojnë se Remi nuk do të jetë ish-eprori i lartë i vetëm që do të ftohet nga Gjykata Speciale gjatë javëve në vijim, pasi që disa ish-udhëheqës të luftës së fundit në vend ose i kanë marrë tashmë ftesat, siç po raportojnë mediet, ose pritet t’i marrin së shpejti.

LEXO EDHE: Nis 'furtuna' e Speciales

Aktivizimi i Speciales pas një periudhe të gjatë pritet ta “trazojë” skenën politike në vend, pasi që shumë ish-udhëheqës të luftës janë ndër figurat kyçe të subjekteve kryesore politike në Kosovë. Në anën tjetër, ish-komandantë të UÇK-së pas lajmit se Specialja ka ftuar për intervistim “Remin” më 14 janar të vitit të ardhshëm dyshojnë se ky institucion do të sjellë drejtësi. Megjithatë, siç thonë ata, as kjo Gjykatë nuk mund ta njollosë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare. 

Mustafa: Specialja t’i ndjekë edhe krimet ekonomike

Rrustem Mustafa, i njohur si “Komandant Remi”, është deklaruar për herë të parë pas ftesës që i është bërë nga Gjykata Speciale. Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” Mustafa ka thënë se vetë ai ka përkrahur Gjykatën Ndërkombëtare, derisa ka shtuar se duhet të mbyllen kapitujt e viteve të kaluara.

“Unë jam nga ata që kam përkrahur Gjykatën Ndërkombëtare, ne duhet të mbyllim kapitullin e viteve të kaluara. Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive, si dhe perceptimet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së, do të dalim faqebardhë”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa, i cili ka qenë komandant i Zonës së Llapit, shpreson se Gjykata Speciale do ta zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen edhe krimet ekonomike.

“Pres që Gjykata Speciale të zgjerojë fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur pasuritë kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike e deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë. Mendoj se ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione të krijuara me mund, si gjykatat, universitetet dhe gjithçka që i jepte frymë zhvillimit dhe rrugës së vendit për ecje së mbari”, ka thënë ai.

Ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se “thurja e lëvdatave ose hetimet mbi atë se çfarë ka ndodhur para 18 vjetësh nuk mundet të ndikojnë në kualitetin e jetës së qytetarëve tanë, hetimet mbi kohën e lavdisë do të përfundojnë shpejt dhe mirë”.

 Efektet e Speciales, në tremujorin e parë të 2019-s
Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Anton Nrecaj, vlerëson se tremujori i parë i vitit 2019 do të sjellë rezultatet e para të Gjykatës Speciale.

“Tremujori i parë i vitit 2019 duhet të tregojë efektet e para të punës së Gjykatës Speciale. Nga kjo shohim se prokurori special deri më tani i është afruar finalizimit të aktakuzave të para. Deri më tani dy persona edhe publikisht kanë pranuar se janë intervistuar nga prokurorja e Gjykatës Speciale. Para disa ditësh Gani Geci publikisht ka pranuar se ka dhënë deklarata te hetuesit e Gjykatës Speciale dhe tani kemi edhe Rrustem Mustafën, i cili publikoi lajmin se është ftuar në intervistë nga prokurori”, ka thënë Nrecaj për “Zërin”.

Edhe Artan Çerkini, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale, ka theksuar për “Zërin” që Gjykata Speciale ka dhënë indikacione të qarta që është duke e filluar punën.

“Ftesa e parë publike është një indikacion i qartë se Gjykata Speciale ka filluar të merret konkretisht me personat e caktuar dhe natyrisht varësisht prej rezultateve të hetimeve që do t’i zhvillojë kjo Gjykatë do të vendosin edhe nëse do t’i pushojnë hetimet për një person ose do të ngrenë aktakuzë”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë që është e drejtë e secilit që nëse merr ftesë nga Gjykata Speciale të njëjtën të mos e bëjë publike.

“Ekziston mundësia që dikush të ketë marrë ftesën për t’u paraqitur në Gjykatë, mirëpo ftesën të mos e bëjë publike. Nuk është obligative që ftesat që i dërgohen të pandehurit nga Gjykata ose Prokuroria të bëhen publike, kështu që kjo nuk përjashtohet, ndërsa është çështje e strategjisë së Prokurorisë se cilin person, në cilin moment e në çfarë rrethanash do ta ftojë në Gjykatë”, ka thënë ai.

Berisha: Specialja është themeluar me ndihmën e Thaçit

Zafir Berisha, ish- komandant i UÇK-së dhe shef i shtabit të Zonës Operative të Pashtrikut, i cili njëherësh është edhe deputet nga radhët e Nismës, ka thënë për “Zërin” që pavarësisht se kanë filluar indikacionet e para të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, përsëri, sipas tij, kjo e fundit është e padrejtë dhe e njëanshme.

“Edhe në mandatin e kaluar si deputet, por edhe sot them se Gjykata Speciale është e njëanshme dhe ka tendencë që të barazohet lufta dhe gjenocidi serb me luftën çlirimtare që ka bërë UÇK-ja dhe shqiptarët e Kosovës. Ftesa që i është bërë komandant ‘Remit’ nga kjo gjykatë e që nuk dihet nëse do të jetë në cilësinë e të akuzuarit ose dëshmitarit është fillimi i misionit të Gjykatës, për të cilën është themeluar ajo me ndihmën e Hashim Thaçit”, ka theksuar Berisha.

Mirëpo pavarësisht kësaj Berisha ka thënë se askush nuk do të mundë ta njollosë luftën e UÇK-së.

“Unë mburrem që kam qenë pjesë e UÇK-së, jam krenar për këtë dhe më vjen keq që nuk kam mundur të bëjë edhe më shumë sesa që kam bërë. Kjo gjykatë përkohësisht do t’u japë material njerëzve dashakeq, atyre që kanë qenë vandalë të politikës së Serbisë dhe e vajtojnë mungesën e Serbisë tash e disa vjet në Kosovë, por përndryshe jo Gjykata, por askush nuk mundet ta njollosë luftën e UCK-së”, ka thënë ndër të tjera Berisha.

Mes të tjerash ai ka thënë që përmes krijimit të Gjykatës Speciale po tentohet të fajësohet UÇK-ja për luftën e bërë dhe jo fajtori i vërtetë e që është Serbia.

Hasani: Nuk besoj në drejtësinë e Speciales

Ndërsa njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Nait Hasani, ka thënë për “Zërin” që me ftesën e ish-komandantit të UÇK-së Rrustem Mustafës – “Remit” ka filluar edhe puna e Gjykatës Speciale. Hasani është shprehur pesimist lidhur me drejtësinë që do të prodhojë kjo Gjykatë.

“Pakënaqësia ime ndaj kësaj Gjykate është që ajo nuk i trajton barabartë palët, sepse i trajton veçantë shqiptarët, kurse serbët që kanë bërë krime në Kosovë nuk i trajton fare. Sikur kjo të kishte me qenë e barabartë në trajtimin e dy palëve do të kishte qenë gjë e mirë, por kjo është një gjykatë etnike që trajton vetëm shqiptarët, duke i marrë parasysh vetëm akuzat që i ka bërë Serbia si humbëse e betejës në Kosovë. Gjykata ka hyrë në këtë lojë të Serbisë, por unë nuk besoj në drejtësinë e saj, megjithatë po shpresojmë për këtë gjë”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së ka thënë që pavarësisht tentativave askush nuk mund ta zbehë luftën e drejtë të UÇK-së.

“Gjykata Speciale tashmë ka filluar procesin, thirrja e parë është bërë dhe tani po shpresojmë që kjo gjykatë do t’i trajtojë drejt të gjitha thirrjet që do t’i bëjë dhe tani duhet të besojmë në drejtësi. Mirëpo askush nuk mund ta zhbëjë punën e UÇK-së, lufta ka përfunduar me një proces të mirë dhe të drejtë dhe me çlirimin e Kosovës, gjithçka tjetër është relative”, ka thënë më tutje ai.

Gashi: Specialja do të sjellë ndryshime të mëdha në skenën politike

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi duke folur për ftesën e parë të Gjykatës Speciale për “Zërin” ka thënë që tashmë është e qartë që viti 2019 do të jetë viti i fillimit të punës së kësaj gjykate.

“Ne nuk e kemi periudhën kohore se kur Gjykata do të fillojë, mirëpo po e dimë tashmë që fillimi i saj do të jetë në vitin 2019. Nuk kemi emra konkretë të të dyshuarve me të cilët do të merret Gjykata Speciale, përveçse është thënë që gjithçka ka filluar me raportin e senatorit Dick Marty”, ka thënë Gashi.

Më tutje Gashi ka thënë që me fillimin e kësaj gjykate do të ketë edhe ndryshime në skenën politike, pasi që sipas tij do të mundë të ketë edhe zyrtarë të lartë të partive politike që do të ftohen nga kjo gjykatë.

“Mund të ketë ndryshime politike nëse Gjykata Speciale fton në cilësinë e të dyshuarit edhe zyrtarë të lartë politikë të partive politike në vend, sepse atëherë ata nuk mund ta ushtrojnë funksionin e tyre prej Hagës. Kjo varet nga ajo se kush të jetë nën shënjestër të Gjykatës Speciale”, ka potencuar ai.

Gashi po ashtu ka thënë se Prokuroria Speciale asnjëherë deri më tani e as në të ardhmen nuk do ta bëjë publike nëse dikë e fton në cilësinë e dëshmitarit, sepse, siç thotë ai, dëshmitë janë konfidenciale dhe derisa nuk jepen para Zyrës së Prokurorit ato në asnjë mënyrë nuk bëhen publike./ZERI