Nis 'furtuna' e Speciales

Kronika December 08, 2018 - 07:53
Lexo tjera detaje
Image
Image

Njohësit e sistemit të drejtësisë vlerësojnë se ftesa për intervistim ndaj ish-komandantit Rrustem Mustafa është parapërgatitje e opinionit publik për arrestimet e ardhshme që mund të ndërlidhen me figura të fuqishme politike ose ushtarake. Aktivizimi i Speciales sipas tyre mund të ndikojë edhe në vetë koalicionin qeverisës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tri vjet pasi Ligji për Gjykatën Speciale ka kaluar në Kuvendin e Kosovës Prokurori i Specializuar ditëve të fundit ka ndërmarrë hapat e parë drejt intervistimit të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). I pari që ka konfirmuar pranimin e ftesës nga Prokurori i Specializuar është ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa. Komandant “Remi”, siç ka njoftuar avokati i tij, pritet të intervistohet më 14 janar të vitit që vjen (2019), ndonëse nuk ka saktësuar se në çfarë cilësie do të bëhet intervistimi. Pas kësaj gazeta “Zëri” ka kontaktuar me zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por ata nuk kanë pohuar, as mohuar një gjë të tillë. Ndërkohë lajmi për intervistimin e ish-komandant “Remit” nuk është pritur mirë nga përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, të cilët Gjykatën Speciale e kanë krahasuar me gjykatat e fashizmit. Në anën tjetër, pavarësisht se njohësit e drejtësisë ftesën për intervistim ndaj Mustafës e shohin si aktivizim të Speciales, ish-komandantë të UÇK-së janë shprehur të bindur se kjo Gjykatë do të dështojë.

Ftesa e parë për intervistim, Zyra e Prokurorit nuk jep detaje   

Lajmi se ish-komandanti i UÇK-së Rrustem Mustafa është ftuar nga Prokurori i Specializuar për intervistim u bë i ditur gjatë ditës së enjte nga mbrojtësi i tij, avokati Arianit Koci. Teksa bëri të ditur një gjë të tillë, ai nuk tregoi se në çfarë cilësie është ftuar për intervistim klienti i tij.

“Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafës, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019 të paraqitet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim. Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë, të cilën ZPS-ja është duke e hetuar”, ka thënë Koci.

Gjatë ditës së djeshme gazeta ka provuar të kontaktojë direkt me ish-komandantin e UÇK-së, Rrustem Mustafa – “Remi”, megjithatë kontakti me të ka qenë i pamundur.

Në anën tjetër as Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dashur të komentojë fare rreth kësaj ftese.

Zyrtarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë bërë të ditur për “Zërin” se janë të informuar rreth deklaratës së mbrojtësit të ish-komandant “Remit”, mirëpo nuk e kanë mohuar ose pohuar nëse Mustafës i është dërguar një ftesë e tillë.

Në një përgjigje për gazetën Chris Bennet, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka thënë se kjo Zyrë nuk komenton statusin e hetimeve e as kohën e ngritjes së akuzave të mundshme.

“Jam i vetëdijshëm për raportimet në medie në Kosovë. Unë jam gjithashtu i vetëdijshëm për postimin në ‘Facebook’ të avokatit të z. Mustafës. Megjithatë, Zyra e Prokurorit Special nuk komenton statusin e hetimit, kohën e akuzave të mundshme ose aktivitetet e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Tutje Bennet ka thënë se kjo Zyrë është e angazhuar për të kryer hetimin e plotë të të gjitha akuzave që ndodhen në Asamblenë Parlamentare të raportit të Këshillit të Evropës. “Zyra e Prokurorit të Specializuar është e angazhuar për ta kryer hetimin e plotë të mundshëm të të gjitha akuzave që gjenden në Asamblenë Parlamentare të raportit të Këshillit të Evropës të siguruara nga senatori Dick Marty”, potencohet më tej në përgjigjen e Bennett.

Pavarësisht kësaj, rreth kësaj çështjeje nuk kanë dashur të deklarohen nga Zyra e Dhomave të Specializuara.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuar, Zoran Simiq, në një përgjigje të shkurtër për “Zërin” ka rekomanduar që të kontaktohet Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Blakaj: Aktakuzat e para, në fillim të 2019-s

Ftesa për intervistim e komandant “Remit” nga ana e Prokurorit të Specializuar po shihet si hap i parë i punës së kësaj Prokurorie në drejtim të ngritjes së aktakuzave të para dhe të arrestimit të mundshëm të ish- krerëve të UÇK-së, të cilët janë të dyshuarit e mundshëm të kësaj Prokurorie.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka konsideruar se në fillim të vitit të ardhshëm mund të nisin aktakuzat dhe arrestimet e para nga Prokurori i  Specializuar. “Besoj që qysh në pjesën e parë të vitit të ardhshëm do të ketë aktakuza të para dhe ndoshta më vonë gjatë vitit të ardhshëm do të fillojnë edhe proceset gjyqësore. Përndryshe s’do të kishte pasur kuptim që të pritet edhe më gjatë që të ngrihen aktakuzat. Prokuroria ka punuar, ka mbledhur të dhëna dhe tek tash ka ardhur rendi të intervistojë qoftë të dyshuarit ose dëshmitarët” ka thënë Blakaj.

Pavarësisht faktit që avokati i komandant “Remit” nuk ka treguar cilësinë e ftesës së klientit të tij, Blakaj pretendon se ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit është ftuar në cilësinë e të dyshuarit.  “Nuk mundem të paragjykoj nëse është i ftuar si dëshmitar ose si i dyshuar, mirëpo unë besoj se gjasat janë më të mëdha që është ftuar si i dyshuar ta japë deklaratën e vet fillestare”, është shprehur ai.

Andaj ditëve dhe javëve në vazhdim sipas tij do të dalin edhe informacione më të sakta se kush tjetër është ftuar të dëgjohet nga Prokuroria e Specializuar.

Quni: S’ka proces që mund ta njollosë luftën e UÇK-së

Ish-komandanti i Forcave Speciale të UÇK-së Anton Quni, i cili aktualisht është deputet i LDK-së, ka vlerësuar se fillimi i procesit të punës së Gjykatës Speciale ka qenë i pritshëm. Ndaj sipas tij, Kosova duhet të tregojë pjekuri politike dhe gatishmëri për t’ia dëshmuar botës se respekton institucionet ligjore, duke u përgjigjur me dinjitet në thirrjet e tyre.

Pavarësisht fillimit të punës së Speciales, sipas Qunit gjaku i dëshmorëve do ta mbajë luftën e UÇK-së të shenjtë dhe të panjollosur. “Nuk ka proces, individ ose strukturë që mund ta njollosë shenjtërinë e atyre jetëve që u falën në lulen e rinisë për lirinë e popullit të Kosovës. Kjo Gjykatë mund ta bëjë të kundërtën, mendoj se do t’i shuajë përfundimisht zërat dhe tentativat e kujtdo që ta bëjë një gjë të tillë. Lufta jonë ishte çlirimtare e jo okupuese, ishte mbrojtje e pragut të shtëpisë, siç thoshte presidenti Ibrahim Rugova”, ka nënvizuar ai.

Duke u nisur nga e kaluara, kur ish-udhëheqës të UÇK-së ishin përballur me Tribunalin e Hagës duke u treguar të dinjitetshëm, një përballje e tillë me dinjitet sipas tij do të ndodhë edhe në rastin e Speciales.

Isufi: Specialja do të dështojë

Ndërkohë ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, i cili njëherësh është edhe deputet i AAK-së, është shprehur i vendosur se Gjykata Speciale do të dështojë, pasi lufta e UÇK-së ka qenë plotësisht e pastër. “Çdo tendencë për t’ia ulur vlerën UÇK-së do të jetë e kotë. Qyshkur është formuar Gjykata Speciale është parë që është me motive politike. Prandaj çdo tendencë për të pasur një sulm ndaj UÇK-së do të përballet me të drejtën dhe me të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë. Prandaj nëse duhet të zbulohen krimet duhet të kërkohen në Beograd dhe në Serbi”, ka deklaruar ai.

Meqë sipas Isufit asnjë gjykatë nuk ka mundur t’ia ulë vlerën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri më tash edhe Specialja do të përfundojë sikurse gjykatat e tjera.  

Haradinaj: Gjenerali Mustafa do ta dëshmojë pafajësinë e tij

Teksa ka folur rreth ftesës së Gjykatës Speciale për intervistimin e komandantit Mustafa, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se fakti që ai është ftuar për intervistë nuk do të thotë detyrimisht që ai është edhe fajtor. “Besoj që në intervistë gjenerali do të sqarohet dhe do ta shohin që është i pafajshëm. Intervistat janë të logjikshme, por këto intervista po bëhen padrejtësisht, janë njëetnike. Do të thotë nuk thirren në intervista pjesëmarrës të tjerë që dyshohen se kanë bërë krime. Kështu që unë mendoj se kjo Gjykatë, sido që të shkojnë rrjedhat, do të dështojë”, ka nënvizuar ai.

Haradinaj tutje është shprehur i vendosur se me dhënien e intervistës nga Mustafa procesi lidhur me të do të përfundojë aty. “Mustafa do ta sqarojë atë dhe do të shihet se nuk ka material që të procedohet më tej. Kështu që kjo do të kryhet krejt thjesht”, ka vazhduar nënkryetari i OVL-së së UÇK-së. 

E keqja e vetme në këtë mes sipas tij është maltretimi i serishëm i atyre që kanë bërë çmos për lirinë e vendit të tyre. “E keqja është që këta djem të cilët kanë vuajtur për lirinë e këtij vendi prapë po duhet të sakrifikojnë për lirinë dhe për pavarësinë e tyre. Do të tregojnë që janë të pafajshëm dhe po ashtu do ta tregojnë edhe pafajësinë e UÇK-së”, është shprehur ai, duke e krahasuar Specialen me gjykatat e fashizmit. 

Miftaraj: Aktivizimi i Speciales mund të ndikojë edhe në koalicionin qeverisës

Vetë fakti që Prokurori i Specializuar ka nisur dërgimin e ftesave për intervistim të individëve të caktuar, sipas hulumtuesit të lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, është dëshmi se tanimë Specialja ka filluar ushtrimin e funksioneve dhe të përgjegjësive të përcaktuara me Ligjin mbi Dhomat e Specializuara. 

Duke folur për rastin e ish-komandantit Rrustem Mustafa, i cili tashmë është ftuar për intervistim, Miftaraj ka thënë se ende nuk është bërë e qartë se në çfarë cilësie është ftuar ai. “Sipas Ligjit mbi Dhomat e Specializuara, Prokurori ka të drejtë t’i ftojë në intervistim individët në cilësinë e dëshmitarit, të të dyshuarit ose edhe të të dëmtuarit. Në rastin e z. Mustafës publiku ende nuk e ka të qartë nëse ai është ftuar si dëshmitar ose si i dyshuar nga ana e Prokurorisë”, ka potencuar ai.

Strategjia se si ka filluar punën Prokurori i Specializuar, si rasti i ftesës për intervistim të Rrustem Mustafës, sipas Miftarajt tregon se ky mekanizëm nuk ka dashur që të nisë punën drejtpërdrejt me arrestime të personazheve që do të mundë të bënin bujë në Kosovë. “Si duket strategjia e Prokurorisë është që të mos fillojë me arrestime të bujshme ose spektakolare, por përmes ftesave të tilla që mund të perceptohen si parapërgatitje e opinionit publik në Kosovë me Gjykatën Speciale dhe që arrestimet e ardhshme të cilat mund të ndërlidhen me figura të fuqishme qoftë politike ose ushtarake në Kosovë të pranohen më me qetësi”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, aktakuzat që mund të vijnë në vijim sipas tij mund të ndikojnë edhe në koalicionin e tanishëm qeveritar. “Sigurisht, se varësisht nga figurat politike në pushtet që mund të jenë subjekt të aktakuzave nga Prokurori i Specializuar dhe të arrestimit të tyre mund të ndikojë edhe në skenën politike në Kosovë e që lehtësisht mund të ndikojë edhe në koalicionin aktual qeveritar”, është shprehur ai.

Në dhjetor të vitit 2017 disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin tentuar ta shfuqizojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara, mirëpo presionet e mëdha ndërkombëtare kishin parandaluar realizimin e një nisme të tillë./ZËRI