Ushtarë të përjetshëm (VIDEO)

Aktuale November 27, 2018 - 08:10
Lexo Detajet
Image

Daut Haradinaj bashkë me Rexhep Selimin dhe Mujë Krasniqin (dëshmor) më 28 nëntor të vitit 1997 kishin dalë për herë të parë para opinionit si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Llaushë të Skenderajt, në ceremoninë e varrimit të mësuesit Halit Geci, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Njëzetenjë vjet më vonë Haradinaj përsëri është njëri ndër protagonistët kryesorë në formimin e ushtrisë së Kosovës si pjesë e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Haradinaj bashkë me Selimin, tashmë si deputetë të partive të ndryshme në Kuvend, muaj më parë kanë votuar në leximin e parë në Kuvend për transformimin e FSK-së, përderisa gjatë javëve të ardhshme pritet të kalojë edhe në leximin e dytë, duke ia hapur “dritën e gjelbër” formimit të ushtrisë së vendit.

Haradinaj kujton ditën kur doli pa maskë në Llaushë

Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Haradinaj, kujton ditën kur kishte dalë për herë të parë publikisht para opinionit si pjesëtar i Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës.

Sipas tij, dalja e tyre në skenë pikërisht më datën 28 nëntor, datë e cila lidhet me shumë ngjarje të rëndësishme për shqiptarët, ishte vetëm një koincidencë. “Nuk është që ne zgjodhëm, por ngjarja që ndodhi në Llaushë më 26 dhe 27 nëntor dhe vrasja e mësuesit, varrimi i të ndjerit më 28 nëntor veçse u ndërlidh me ngjarje të mëdha historike dhe pikërisht ishte ajo ditë e famshme kur ushtarët e UÇK-së dolën në skenë. Nuk është se u zgjodh, u përgatit një skenar për atë ditë, por koincidoj se më 28 nëntor dhe shumë mirë që u ndërlidh me ngjarje historike dhe me Festën e Flamurit. Ajo ishte dita më krenare që unë e kam përjetuar”, ka thënë Haradinaj gjatë një bisede për “Zërin”.

Derisa Rexhep Selimi dhe dëshmori Krasniqi kishin vendosur që atë ditë të dilnin me maska, Haradinaj nuk e kishte një të tillë me vete, andaj edhe ishte i vetmi që doli publikisht pa maskë si pjesëtar i UÇK-së. “Ajo koncidoi jo sepse unë isha i dalluar ose diçka tjetër, por gjatë rrugës unë nuk e kuptova se do të jemi të maskuar. Muja ka qenë pak i maskuar me syza dhe me mjekër, ndërsa Rexhep Selimi vendosi maskën pak më shumë, ndoshta për ta ngjallur edhe kureshtjen, ndërsa unë nuk e posedoja atë me vete”, ka rrëfyer ai më tej.

Megjithatë, edhe pse pa maskë ai veçse edhe më herët ishte i njohur për Ushtrinë serbe, sidomos me vrasjen e vëllait të tij, Luan Haradinaj.

As pasojat që mund të vinin nga dalja e tyre publike nuk do të mundë t’i ndalnin ushtarët e UÇK-së atë ditë.

Ata ishin të gatshëm që të ballafaqoheshin me shtetin serb. “Kishim rast edhe më herët në familje. Luani ishte vrarë më datën 6 maj të vitit 1997 dhe nuk ishim më enigmë për Serbinë. Natyrisht se identifikimi i drejtpërdrejtë mund të kishte pasoja, por nuk kishte rrugë tjetër, ne e kishim ndarë mendjen dhe njerëzit e UÇK-së ishin të gatshëm të ballafaqohen me Serbinë. Ka qenë mobilizim i madh i njerëzve.

Natyrisht se lufta filloi në mars të vitit 1998, më 5 mars te Jasharët dhe më 24 në Gllogjan, por nuk i kisha ndërlidhur këto. Ne ishim të identifikuar për Serbinë dhe natyrisht që ishim të hapur që të ndeshemi me ta”, ka treguar ai.

Deklaratën e përgatiti Rexhep Selimi

Haradinaj ka rrëfyer se në atë kohë ishin përhapur fjalët se UÇK-ja ishte dorë e zgjatur nga Serbia për të nxitur trazira në vend. Por, dalja e tyre publike kishte dhënë vulën se shqiptarët ishin në tokën e tyre dhe të vendosur për ta çuar misionin deri në fund.

E po në atë ditë ishte përgatitur edhe një deklaratë për UÇK-në, të cilën e kishte lexuar Rexhep Selimi. “Shumicën e tekstit të deklaratës e ka përpiluar vetë Rexhep Selimi bashkë me kolegët e tij, ndërsa në përmbajtjen e tekstit unë nuk kam pasur ndonjë rol, jo për modesti, por me të vërtetë nuk kam pasur ndonjë rol. Sido që të jetë, me më rëndësi ka qenë prezantimi publik i UÇK-së, sepse kishte shumë fjalë se janë dorë e zgjatur, nuk janë shqiptarë, janë të motivuar etnikisht nga serbët për të nxitur trazira. Ndërsa ajo ditë e dha vulën që janë shqiptarë, janë vendas dhe të vendosur”, ka thënë ai.

Haradinaj kishte qenë vetëm 18 vjeç kur ishte bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndonëse nuk ishte mjaftueshëm i përgatitur për të qenë pjesë e ushtrisë, ai ka treguar se përballjet e shpeshta me Ushtrinë serbe e kishin formuar atë kombëtarisht. “Në kuptimin fizik kam qenë në rregull, por në kuptimin e përgatitjes kam qenë djalë i ri, në moshën 18-vjeçare. Por kishim ngjarje të shpeshta përballjeje me Serbinë, qoftë familjarisht, vrasja e Luanit, pastaj demonstratat, mbyllja e universiteteve, e shkollave e dhuna policore mbi qytetarët. Ajo vetvetiu të formon kombëtarisht. Natyrisht, fizikisht kam qenë i gatshëm për t’i kryer detyrat ushtarake”, ka treguar ai.

28 Nëntori tashmë lidhet me shumë data të rëndësishme për shqiptarët, që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit Adem Jashari, si dhe me daljen e parë të UÇK-së në skenë./ZERI

">http://