Ugljanin: Kosova çështje e zgjidhur, Serbia ka regjim

Aktuale July 25, 2018 - 08:04
Intervistë ekskluzive me Sulejman Ugljanin, kryetar i Këshillit Nacional të Boshnjakëve në Serbi

Sulejman Ugljanin, kryetar i Këshillit Nacional të Boshnjakëve në Serbi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri” ka kritikuar ashpër liderët shtetërorë në Beograd për moslejimin e ministrit të Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacollit që ta vizitojë Novi Pazarin. Sipas tij, çështja e Kosovës tashmë është e zgjidhur, ndërsa për Serbinë thotë se ka regjim

Një ftesë zyrtare e dërguar për ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës Behgjet Pacollin që ta vizitojë fundjavën e kaluar Novi Pazarin ka bërë që krerët shtetërorë të Serbisë ta drejtojnë gjithë “arsenalin” kundër Sulejman Ugljaninit, kryetar i Këshillit Nacional të Boshnjakëve në Serbi.

Për një ftesë të tillë Ugljanin u akuzua nga mediet serbe se ia futi “gishtin në sy” shtetit të Serbisë, posaçërisht kur përmes një dokumenti zyrtar të Këshillit Nacional të Boshnjakëve e ftoi Pacollin, të cilit i referohej si ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, ta vizitojë Novi Pazarin.  

Drejtuesit e institucioneve në Beograd menjëherë e “bombarduan” me akuza Ugljaninin, duke thënë se “provokimet” e tilla i bën sa herë që partia e tij nuk është pjesë e pushtetit qendror.

LEXO EDHE: Pas dhjetë ditëve skadon afati i BE-së për Asociacionin

Ai ka qenë ministër pa portofol në qeverinë e ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica, ndërsa gjatë periudhës së viteve 2004-2008 ka qenë edhe kryetar i Novi Pazarit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën ZëriUgljanin tregon arsyet se pse e ftoi Pacollin ta vizitojë Novi Pazarin.

“Për vite me radhë kemi dëgjuar të njëjtën histori rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, versionin serb. Ne shprehëm dëshirën që t'ua mundësojmë qytetarëve të Sanxhakut të dëgjojnë edhe anën tjetër. Përveç kësaj, ne i kërkuam ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Behgjet Pacollit që të na paraqiste vizionin e tij për procesin e stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal në Ballkan”, thotë Ugljanin për Zërin.

Sipas tij, ngurrimi i regjimit serb në mënyrë që t'ua mundësojë të gjithë qytetarëve të dëgjojnë edhe opinione ndryshe reflekton më mirë karakterin e këtij regjimi.

Lideri i Partisë së Aksionit Demokratik në Novi Pazar dhe i Këshillit Nacional të Boshnjakëve në Serbi ka lidhje të fortë me Kosovën, pasi që ka lindur në Mitrovicë, përderisa studimet në Fakultetin e Stomatologjisë i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës.

Ish-boksieri i klubit të boksit “Radniçki” gjatë kësaj interviste për Zërin i jep goditje të fortë politikës në Beograd, duke konfirmuar se çështja e statusit të Kosovës është e zgjidhur, ndërsa ka thënë se në Serbi ka regjim politik.

Ai ka akuzuar Serbinë se ka kryer gjenocid në Bosnjë, në Kosovë dhe në Sanxhak, madje siç thotë ai, krimet e tilla i ka bërë para syve të komunitetit ndërkombëtar, prandaj kërkon që në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit të përfshihen edhe përfaqësuesit politikë të boshnjakëve.

Zëri: Zotëri Ugljanin, ju keni ftuar ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacollin për ta vizituar Novi Pazarin të shtunën e kaluar, vizitë e cila nuk është lejuar nga Qeveria e Serbisë. Cila ishte arsyeja për ta ftuar Pacollin të vizitojë Novi Pazarin dhe si e komentoni refuzimin e institucioneve qendrore në Serbi?

Ugljanin: Për vite me radhë kemi dëgjuar të njëjtën histori rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, versionin serb. Ne shprehëm dëshirën që t'ua mundësojmë qytetarëve të Sanxhakut të dëgjojnë dhe anën tjetër. Përveç kësaj, ne i kërkuam ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Behgjet Pacollit që të na paraqiste vizionin e tij për procesin e stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal në Ballkan. Ngurrimi i regjimit serb në mënyrë që t'ua mundësojë të gjithë qytetarëve të dëgjojnë dhe opinione ndryshe reflekton më mirë karakterin e këtij regjimi.

Refuzimi i vizitës së Pacollit, shkelje e Kushtetutës së Serbisë

Zëri: Kryeministrja Brnabiq madje ju kërcënoi personalisht për ftesën që ia keni bërë Pacollit. Si e komentoni përgjigjen e zyrtarëve të lartë politikë të Serbisë ndaj këtij rasti?

Ugljanin: Këshilli Kombëtar Boshnjak ka organizuar një vizitë serioze për përfaqësuesit legjitimë të Kosovës në përputhje me të Drejtën e Pakicave, që popullit boshnjak i jep të drejtë "për të vendosur lirisht dhe për t’i ruajtur marrëdhëniet paqësore në kuadër të Republikës së Serbisë dhe jashtë vendit me personat që banojnë ligjërisht në shtete të tjera, sidomos me ata me të cilët kanë një identitet të përbashkët etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar ose trashëgimi të përbashkët kulturore". Autoritetet shtetërore ishin të detyruara, siç thotë ligji, të sigurojnë lehtësira shtesë për një vizitë të tillë. Për fat të keq, autoritetet më të larta shtetërore serbe kanë bërë gjithçka për të parandaluar këtë vizitë dhe kështu shkelën Kushtetutën dhe ligjet e tyre.

 Zëri: Cili është statusi aktual kushtetues i boshnjakëve në Sanxhak?

Ugljanin: Boshnjakët e Sanxhakut janë sot pasardhësit e mbijetuar të popullit boshnjak, mbi të cilët forcat e armatosura serbe kryen gjenocid në Srebrenicë, në Kukuroviqi dhe në “Lagjen e Boshnjakëve” në Kosovë në periudhën nga 1992-a deri më 1999-n. Boshnjakët janë një popull autokton në Sanxhak. Pas shpërbërjes së ish-RSFJ-së, statusi kushtetues dhe ligjor i boshnjakëve dhe statusi i Sanxhakut ende nuk është zgjidhur. Këshilli Kombëtar Boshnjak ishte pjesëmarrës aktiv në Konferencën Paqësore dhe Ndërkombëtare mbi ish-Jugosllavinë në Hagë, në Londër dhe në Gjenevë nga viti 1991 deri në vitin 1995. Megjithatë, Marrëveshja e Dejtonit e 21 nëntorit 1995 e ndaloi agresionin e madh serb në Bosnjë e Hercegovinë, por kriza jugosllave nuk u zgjidh. Qytetarët e Sanxhakut në referendumin për autonominë e Sanxhakut në tetor të 1991-s u deklaruan për autonomi të plotë politike dhe territoriale të Sanxhakut me të drejtën për bashkim me njërën prej republikave sovrane dhe kështu të japin kontributin e tyre të plotë për një zgjidhje të drejtë dhe paqësore të krizës jugosllave.

Autoritetet e Serbisë kanë reduktuar të drejtat e pakicave

Zëri: Ju jeni në krye të Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve në Serbi. Si e shihni pozitën e kësaj pakice kombëtare në Serbi?

Ugljanin: Këshilli Kombëtar Boshnjak i Sanxhakut është organi më i lartë politik dhe përfaqësues i popullit boshnjak në Sanxhak, i themeluar në vitin 1991, me qëllim për t’i mbrojtur interesat kombëtare të boshnjakëve dhe zgjidhjen e statusit të Sanxhakut. Këshilli Kombëtar Boshnjak u zgjodh në zgjedhje të drejtpërdrejta, në të njëjtën mënyrë dhe nën të njëjtat kushte siç zgjidhen presidenti i Serbisë, deputetët dhe anëtarët e Asamblesë Lokale. Këshilli Kombëtar Boshnjak ka një legjitimitet të plotë elektoral dhe sipas Nenit 10, paragrafi 1, pika 14 të Ligjit mbi Këshillat Nacional, është i autorizuar të marrë qëndrime, të fillojë iniciativa dhe të ndërmarrë masa për të gjitha çështjet që janë të lidhura drejtpërdrejt me statusin ose me pozitën, identitetin, Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e boshnjakëve. Megjithatë, me ndryshimet më të fundit në ligjet e pakicave, autoritetet shtetërore serbe kanë reduktuar të drejtat e pakicave të fituara më parë në Serbi. Autoritetet shtetërore serbe injoruan dhe nuk pranuan asnjë nga propozimet e përbashkëta që u miratuan njëzëri nga pakicat në procesin e ndryshimit të ligjit. Ne kemi informuar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për këtë dhe ne presim reagimin e tyre.

Zëri: Cila është pozita e pakicave kombëtare shqiptare dhe boshnjake në Serbi?

Ugljanin: Duke u nisur nga fakti se shqiptarët dhe boshnjakët janë popujt vendas në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak, të vetëdijshëm për seriozitetin e situatës në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak, kemi miratuar një Memorandumi Mirëkuptimi më 30 prill 2018, në Novi Pazar. Qëllimi i Memorandumit është t’i mbrojë të drejtat tona kombëtare, njerëzore dhe civile nëpërmjet punës dhe aktiviteteve të përbashkëta. Në takimin e fundit të përbashkët në Bujanoc më 19 korrik 2018, Këshilli Kombëtar Boshnjak dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar solli vendim të paraqesë ankesë kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit të Pakicave, për t’i mbrojtur të drejtat e tyre. Problemet e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe të boshnjakëve të Sanxhakut janë specifike në krahasim me të gjitha minoritetet e tjera që ushtrojnë të drejtat e tyre brenda Krahinës Autonome të Vojvodinës. Minoritetet jashtë Vojvodinës ende nuk kanë autonomi, siç është niveli i mesëm i qeverisjes, si një mekanizëm për ushtrimin e të drejtave të tyre.

Jemi deklaruar për të drejtën e bashkimit me një prej republikave sovrane

Zëri: Çfarë statusi ligjor dhe politik duhet të ketë Sanxhaku?

Ugljanin: Qytetarët e Sanxhakut në referendumin e mbajtur nga 25 deri më 27 tetor 1991, u deklaruan për një autonomi të plotë territoriale dhe politike të Sanxhakut me të drejtën e bashkimit me një prej republikave sovrane. Në Konferencën e Paqes për ish-Jugosllavinë në Hagë u mor qëndrim që pakicat të cilat mbeten jashtë kufijve të republikave mëmë jugosllave duhet të fitojnë statusin special nën mbrojtjen e OKB-së. Në këtë drejtim, ne presim që në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të reformës së sistemit politik dhe të ndryshimeve kushtetuese të Serbisë statusi i Sanxhakut të zgjidhet në përputhje me rezultatet e referendumit të qytetarëve të Sanxhakut.

Boshnjakët duan të jenë pjesë e dialogut Prishtinë - Beograd

Zëri: A mendoni se Novi Pazari duhet të përfshihet në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit?

Ugljanin: Në vitin 1999 forcat e armatosura serbe kryen spastrimin etnik në “Lagjen Boshnjake” në pjesën veriore të Mitrovicës. Në këtë kuptim, unë personalisht i kërkova Qeverisë së Serbisë të përfshijë Këshillin Kombëtar Boshnjak si një palë e interesuar në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për fat të keq, Qeveria serbe nuk e pranoi këtë propozim, por “Lagjen e Boshnjakëve” në pjesën veriore të Mitrovicës, pas përfundimit të krimit ajo e regjistroi në "prenë e saj të luftës". Në këtë drejtim, Këshilli Kombëtar Boshnjak ka interes të përfshihet si një palë e interesuar.

Zëri: Çka mendoni për idenë e shkëmbimit të territorit ndërmjet Luginës së Preshevës dhe veriut të Kosovës?

Ugljanin: Këshilli Kombëtar Boshnjak i ka dhënë mbështetje të plotë deklaratës politike të Kuvendit të Deputetëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, të mbajtur më 14 korrik 2018, në Bujanoc, ku janë riafirmuar modele të ndryshme për zgjidhjen dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Zëri: Në Novi Pazar shumë shqiptarë jetonin më parë, të cilët më vonë u deklaruan boshnjakë. A e dini se sa shqiptarë jetojnë tani në Novi Pazar?

Ugljanin: Qytetarët e Sanxhakut për më shumë se 100 vjet i janë ekspozuar terrorit të organizuar shtetëror të Serbisë dhe të Malit të Zi me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike, dëbimin e shqiptarëve, të boshnjakëve, të turqve dhe kolonizimin e Sanxhakut me popullatë serbe, siç parashihet në Memorandumin e akademikut serb Vasa Qubrilloviç, të quajtur "Dëbimi i arnautëve". Në disa raste, në shekullin e fundit organet shtetërore të Serbisë dhe të Malit të Zi kryen krime të organizuara kundër qytetarëve të Sanxhakut me miratimin e heshtur të bashkësisë ndërkombëtare. Mungesa e masave mbrojtëse për jetën, për lirinë dhe për sigurinë e shqiptarëve, të boshnjakëve dhe të turqve në Sanxhak nën kontrollin e Serbisë dhe të Malit të Zi, duke përfshirë ushtrimin e së drejtës për zhvillimin ekonomik, është arsyeja që qytetarët e Sanxhakut kërkuan strehim në Turqi dhe në vendet fqinje të Ballkanit, në të gjithë Evropën dhe në Amerikë. Për këto arsye, në mërgim ka gjithnjë e më shumë popullsi autoktone të Sanxhakut sesa në Sanxhak.

Millosheviqi bëri gjenocid në Bosnjë, në Kosovë dhe në Sanxhak

Zëri: A duhet Serbia të kërkojë falje për krimet e kryera në Bosnjë dhe në Kosovë?

Ugljanin: Për fat të keq, në dekadën e fundit të shekullit të XX forcat serbe nën kontrollin e regjimit të Millosheviqit kanë kryer krime të gjenocidit në Bosnjë, në Kosovë dhe në Sanxhak para syve të të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Ne presim nga bashkësia ndërkombëtare që në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor të themelojnë institucione të qëndrueshme dhe mekanizma efektivë në mënyrë që krime të tilla nuk do të përsëriten më në Bosnjë, në Kosovë dhe në Sanxhak. Është një detyrim i bashkësisë ndërkombëtare. Pas krijimit të këtyre mekanizmave kërkim falja e Serbisë do të kishte kuptim.

Zëri: Si i vlerësoni bisedimet që po zhvillohen në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit dhe çfarë mund të jetë rezultati i atyre negociatave?

Ugljanin: Regjimi nacionalist serb në Beograd po përpiqet t’i legalizojë territoret e pushtuara me dhunë dhe me spastrim etnik si një akt përfundimtar. Bashkësia ndërkombëtare me ndërhyrjen efektive humanitare të vitit 1999 ka penguar Millosheviqin për të kryer një gjenocid të plotë ndaj popullit shqiptar, ndaj popullit boshnjak dhe ndaj popujve tjerë joserb në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë paqen, sigurinë dhe një të ardhme të lumtur. Kosova sot është një shtet evropian demokratik, shumëkombësh dhe multireligjioz, e bazuar në sundimin e ligjit, të drejtën ligjore dhe në barazinë para ligjit. Një Kosovë e tillë është njohur nga shumica e vendeve në botë. Integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës është një proces i pandalshëm.

Zëri: A mund të hyjë Serbia në BE pa pranuar pavarësinë e Kosovës?

Ugljanin: Çështja e Kosovës është zgjidhur. Unë shpresoj se në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik në skenën politike serbe do të paraqitet një opsion politik me orientim normal, tolerant dhe demokratik, i aftë për të zgjidhur çështjen e Vojvodinës, të Sanxhakut, të Luginës së Preshevës dhe çështje të tjera të pazgjidhura.