Pas dhjetë ditëve skadon afati i BE-së për Asociacionin

Aktuale July 25, 2018 - 07:53
Mësoni më shumë detaje

Në fund të javës së ardhshme përfundon afati i dhënë nga Bashkimi Evropian për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Qeveria e Kosovës ende nuk e ka pranuar draftin, ndërsa ekipi menaxhues ka bërë të ditur se në hartimin e draftit ata marrin parasysh Marrëveshjen e Brukselit, por jo edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kanë mbetur edhe dy javë deri te përfundimi i afatit të vënë nga Bashkimi Evropian (BE) për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Qysh para katër muajve BE-ja kishte kërkuar që deri më 4 gusht të hartohej statuti i AKS-së, porse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Këtë e kanë pohuar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, të cilët kanë thënë për gazetën Zëri se ende nuk kanë pranuar draftstatutin e ekipit menaxhues mbi Asociacionin.

Megjithëkëtë, drejtuesit e këtij ekipi kanë paralajmëruar se draftstatuti i Asociacionit do të bëhet sipas Marrëveshjes së Brukselit, rrjedhimisht kundër Kushtetutës.

Pavarësisht kësaj, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur i vendosur se Asociacioni do të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Mirëpo ndryshe vlerësojnë përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët shprehen të bindur se ekipi menaxhues nuk do ta respektojë Kushtetutën.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se Asociacioni nuk duhet të ketë asnjë kompetencë, në të kundërtën do ta tejkalonte rolin që do të duhej ta kishte si AKS.

Thaçi: Asociacioni, sipas Kushtetutës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të themelohet vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës.

Në një konferencë të mbajtur dje, kreu i shtetit tha se në AKS nuk do të përfshihen elemente që janë kundër ligjeve dhe kundër Kushtetutës së Kosovës.

“Ky Asociacion do të themelohet sipas Kushtetutës, sipas ligjeve të Kosovës dhe sipas opinionit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të përfshihen ato gjëra që janë kundër ligjeve të Kosovës”, nënvizoi Thaçi.

Ndërkohë, të pyetur nëse kanë pranuar draftstatutin për Asociacionin, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se deri më tash kanë marrë vetëm një procesverbal të takimit.

“Deri më tani kemi pranuar një dokument që është procesverbal i një takimi. Kurdo që e pranojmë draftin për statutin, për të cilin po pyesni, ju informojmë me kohë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeministrit dhënë “Zërit”.

Kurse Vinka Radosavljeviq, udhëheqëse e ekipit menaxhues, ka pohuar se më 4 gusht do të përfundojë draftstatuti i Asociacionit. Radosavljeviq ka thënë se drafti do të bëhet duke u bazuar vetëm në Marrëveshjen e Brukselit.

“Për ne, si ekip menaxhues, relevante është ajo se çfarë është arritur në Bruksel dhe këto janë dokumentet në të cilat e kanë vënë nënshkrimin të dyja palët. Ekipi menaxhues nuk duhet që vlefshmërinë e këtyre dokumenteve të vërë në pikëpyetje, por në bazë të tyre të veprojë dhe ne këtë po e bëjmë”, ka thënë Radosavljeviq.

Ibrahimi: AKS-ja nuk duhet ta ketë asnjë kompetencë

Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka konsideruar se Asociacioni nuk duhet të ketë asnjë kompetencë, në të kundërtën do ta tejkalonte rolin që do të duhej ta kishte.

“Shpresoj që ky mekanizëm të mos ketë asnjë kompetencë. Nëse ky mekanizëm do të ketë vetëm një kompetencë, atëherë do ta tejkalojë rolin për të cilën asociacionet krijohen, sepse këto krijohen vetëm për t’i mbrojtur interesat e autoriteteve lokale dhe për t’i përfaqësuar ato dhe jo që t’i mbrojnë interesat etnike të ndonjë komune ose të autoritetit lokal”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

E në rast se një gjë e tillë ndodh, sipas Ibrahimit dikush duhet të japë llogari.

“Nëse ky Asociacion do të ketë kompetenca ekzekutive, dikush duhet të marrë përgjegjësi morale e politike”, ka shtuar Ibrahimi.

Alija: Ekipi menaxhues s’do ta respektojë Kushtetutën

Ndërkaq Rasim Alija, nga organizata joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar se institucionet e Kosovës do të duhej qysh moti ta kishin të gatshëm statutin e Asociacionit sipas vendimit të Kushtetueses.

“Në të kundërtën mund të krijoheshin situata ku themelimi i Asociacionit mund të stërzgjatet si pasojë e statutit, i cili nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ky statut më pas me kërkesën e ndonjë pale do të mundë t’i nënshtrohej edhe një vlerësimi të Gjykatës Kushtetuese. E në rast të evidentimit të shkeljeve siç ai është shprehur, i gjithë procesi do të kthehej në pikën zero.

“Skenarë të tillë do të mundnin të eliminoheshin duke bërë pjesë të ekipit për hartimin e statutit njerëz kompetentë me një mbikëqyrje edhe të Kuvendit të Kosovës përmes ndonjë komisioni parlamentar”, ka shtuar ai.

Por ajo që është e sigurt sipas tij, është se anëtarët e ekipit për draftimin e këtij statuti nuk do të jenë “partizanë” të respektimit të Kushtetutës së Kosovës.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka thënë se mospërfillja e rekomandimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin përbën shkelje direkte të Kushtetutës së Kosovës.

“Fjalën vendimtare lidhur me Asociacionin për të gjithë ata që e përfaqësojnë Kosovën e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Largimi nga rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe kushdo që e shkel atë duhet të shkarkohet dhe të dënohet për shkelje kushtetuese”, ka potencuar ai.

Demhasaj: Serbët po e kërkojnë Asociacionin sipas Marrëveshjes së Brukselit

Duke folur rreth Asociacionit Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë se zyrtarët e BE-së në vazhdimësi kanë deklaruar se Asociacioni duhet të bëhet në përputhje edhe me Marrëveshjen e Brukselit, edhe me Kushtetutën e Kosovës, porse një gjë e tillë është e pamundur për t’u realizuar.  

“Tash mbetet të shihet se si do të vendoset tutje, a do të jetë Kushtetua ajo që do të ketë epërsi për ta krijuar draftin e statutit të Asociacionit apo do të jetë Marrëveshja e Brukselit. Mendoj se këtu është lufta që është duke u zhvilluar në mes të përfaqësuesve të Listës Serbe dhe njëkohësisht edhe Qeverisë”, ka pohuar ai.

Sipas Demhasajt, po që se Asociacioni bëhet sipas Marrëveshjes së Brukselit, atëherë ai do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Ajo që po shohim deri më tash është që pala serbe nuk po pranon në asnjë mënyrë që statuti i Asociacionit të krijohet në bazë të Kushtetutës pasi nuk parasheh kompetenca ekzekutive. Ata po kërkojnë që Marrëveshja e Brukselit të jetë bazë për hartimin e statutit, e cila parasheh kompetenca ekzekutive”, ka theksuar ai.

E në rast se shkohet me versionin e dytë sipas tij, pa dyshim do të ketë nevojë që të ndryshohet edhe Kushtetuta, edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.