Kirurgët hyjnë në grevë njëditore, kërkojnë rritje pagash

Aktuale June 05, 2018 - 08:32
Lexoni më shumë detaje

Kirurgët e Klinikës Abdominale, të Kirurgjisë së Fëmijëve dhe asaj Plastike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ditën e djeshme kanë hyrë në grevë njëditore me kërkesën e rritjes së pagave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mjekët të cilët kanë hyrë në grevë kanë treguar për Zërin se kërkojnë që të caktohet koeficienti i pagave, duke u bazuar në specializimin dhe në punën që ata bëjnë.

LEXO EDHE: Dhjetëra miliona euro humbje nga moszbatimi i Marrëveshjes për Energjinë

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Rifat Bajrami, ka treguar për Zërin se greva ka filluar dje dhe nuk do të zgjasë më shumë se një ditë.

“Në grevë mjekët kanë hyrë sot. Është grevë njëditore pasi nuk i kanë përmbushur kërkesat e mjekëve. Nga data 18 qershor do të marrin masa tjera”, ka thënë ai.

Ndërsa Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK), ka thënë se të gjitha rastet emergjente gjatë grevës së mjekëve janë pranuar për trajtim.

“Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja kanë pasur përfaqësues në grupet punuese për t’u marrë me Ligjin e Pagave. Presim që shpejt në Qeveri të procedohet ky ligj, i cili më pastaj do të procedohet për votim në Kuvend. Të gjitha rastet urgjente janë kryer dhe nuk ka pësuar asnjë pacient”, ka thënë ai për Zërin, duke shtuar se presin që me Ligjin e ri të Pagave të ketë paga më të mira për mjekët.

Për më shumë, kirurgët edhe në muajin shkurt kishin hyrë në grevë me kërkesë që të ketë rritje të pagave për ta.

Veseli: Rritja e pagave mund të bëhet në korrik ose në gusht

Anëtari i Bordit i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se ka gjasa që rritja e pagave për mjekët, ashtu siç është premtuar nga Qeveria dhe nga ministri Uran Ismaili të mos bëhet në qershor.

“Kanë bërë zotimin që do të jetë qershori muaji kur do të dalë para Parlamentit miratimi i ligjit. Por sipas agjendës sa unë po mundem ta vërej në qershor po shkon paraprakisht në kabinetin qeveritar. Mund të ndodhë që në Parlament të Kosovës mund të shkojë në korrik dhe gusht për shkak të vonesës në aspektin procedural, por sidoqoftë Parlamenti duhet ta miratojë”, ka thënë ai.

Veseli ka theksuar se nëse grevat që mbahen janë të arsyeshme, atëherë ai do t’i mbështesë ato.

“Si Bord organizimi sindikal është e drejtë ligjore dhe kanë të drejtë të bëjnë edhe organizime, edhe greva dhe të paralajmërojnë me kohë dhe të merren masa të caktuara që të mos ketë pasoja te pacientët që shkojnë në kujdestari të rregullta. Kur është kërkesa e arsyeshme për grevë, unë e përkrah dhe i qëndroj pranë asaj. Edhe si anëtar i Bordit, edhe si mjek një kërkesë e cila shkon në favor të asaj që të bëhet një zgjidhje në favor të kolegëve, që është e arsyeshme ka bazë ligjore unë e përkrah. Edhe Bordi si organ nuk është kundër tyre”, ka thënë ai.

Qeveria dhe Ministria: Do ta realizojmë premtimin për rritje të pagave

Zyrtarë për informim në Qeveri kanë thënë për “Zërin” se kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë do të realizojnë premtimin e tyre.

“Është duke u punuar në kategorizimin e pagave në sistemin shëndetësor. Kryeministri Haradinaj së bashku me ministrin Ismaili atë që e kanë premtuar për mjekët do ta realizojnë”, kanë thënë ata.

Ndërsa zyrtarë për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se ministri i ka dhënë mbështetje ngritjes së pagave për stafin shëndetësor.

“MSH-ja përmes përfaqësuesve të saj, Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Federata e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, janë pjesë e grupit punues qeveritar për Projektligjin për Pagat, për të cilin është duke punuar një grup ndërministror me përfaqësues edhe nga sektori joqeveritar. Ministri Ismaili i ka dhënë mbështetje ngritjes së pagave për punonjësit shëndetësorë dhe përfaqësuesit e MSH-së në këtë grup i kanë dhënë argumentet e veta në favor të ngritjes së pagave për punonjësit e shëndetësisë”, thuhet në një përgjigje për gazetën.

FSSHK-ja: Nga Qeveria na është thënë se ligji do të procedohet në qershor

Gazeta “Zëri” ditë më parë ka kontaktuar edhe me zyrtarë në Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, por ata kanë thënë se nuk janë të informuar për ndonjë grevë.

“Së pari ne nuk dimë për çfarë greve bëhet fjalë, ajo çka mund të deklarojmë është se Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë së shpejti do të nënshkruajnë Kontratën Kolektive Sektoriale, ku parashihet rritja e kujdestarive dhe të tjera”, kanë thënë ata.

Përndryshe, zyrtarë nga FSSHK-ja ditë më parë kanë mbajtur takime edhe me përfaqësues të MSH-së dhe të Zyrës së Kryeministrit.

Sipas tyre, në takim me këshilltarin e lartë të kryeministrit Haradinaj u është thënë se Ligji për Paga do të procedohet në qershor.

“Takimi i dytë është zhvilluar me ftesë të këshilltarit të lartë të kryeministri Dr. Luan Jaha dhe koordinatorit nacional për Reforma Shtetërore z. Besnik Tahiri në Zyrën e Kryeministrit me temë të vetme Ligjin mbi Pagat. Nga të dy zyrtarët kemi marrë zotime që Ligji mbi Pagat do të procedohet në qershor, duke i marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet tona. Gjatë diskutimit të dyja palët janë përcaktuar për të zhvilluar një takim të përbashkët me ministrin e Administratës Publike me të cilin do të bisedohet më gjerësisht në lidhje me përfshirjen e koeficienteve në këtë ligj”, thuhej në një komunikatë për medie.