Gazetarët janë të pambrojtur, kërkojnë siguri nga shteti

Aktuale May 03, 2018 - 08:48
Lexoni më shumë detaje

3 Maji, i cili njihet si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Kosovën e gjen të renditur në mesin e vendeve me medie pjesërisht të lira, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Organizata “Reporterë pa Kufij” duke përshkruar situatën mediatike në vend vlerëson se mediet në Kosovë vuajnë nga ndërhyrjet politike, nga presioni financiar, si dhe varësia nga pronarët.

“Mediet në Kosovë vuajnë nga ndikimet direkte dhe indirekte politike, nga presioni financiar, si dhe varësia nga pronarët”, thuhet në raportin e kësaj Organizate.

Vlerësim më të mirë për përmirësimin e situatës “së vështirë” mediatike në Kosovë nuk ka dhënë as Raporti i Progresit për Kosovën, i hartuar nga Komisioni Evropian (KE).

LEXO EDHE: Për tre muaj 4.630 euro për dreka zyrtare

Në të theksohet rëndësia e autoriteteve vendore, nga të cilat kërkohet të jenë më efikase në ndjekjen e atyre që kërcënojnë dhe sulmojnë fizikisht gazetarët, shkruan më tutje "Zëri".

“Sipas AGK-së, në vitin 2017 janë raportuar 24 incidente, 2 herë më shumë krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit. Ndër rastet e sulmeve, 2 redaktorë kanë marrë kërcënime me vdekje dhe një gazetar është sulmuar, i cili më vonë është kërcënuar nga një anëtar i Parlamentit”, theksohet në raport.

Ndërkohë, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 3 raste për incidente ndaj gazetarëve.

Ndryshe, ky numër vitin e kaluar kishte shkuar në 28. Prej këtyre rasteve thuhet se 24 janë përcjellë në Prokurori dhe 4 raste janë ende nën hetime.

“Për tremujorin e parë të vitit 2018 janë evidentuar vetëm 3 raste ndaj gazetarëve. Ndërsa për vitin 2017 janë evidentuar 28 raste. Prej tyre 24 janë dërguar në Prokurori dhe 4 raste gjenden nën hetime”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyrës për informim në Policinë e Kosovës (PK).

Por në Prokurorinë e Kosovës nuk kanë ofruar të dhëna për rastet e zgjidhura deri më tani dhe për ngritjen e aktakuzave për këto raste.

AGK: Institucionet nuk mbajnë përgjegjësi të mjaftueshme për gazetarët

Kërcënimet dhe sulmet nuk mbesin problemi i vetëm me të cilat ballafaqohen gazetarët në Kosovë.

Petrit Çollaku, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në një prononcim për gazetën “Zëri” ka theksuar situatën e dobët ekonomike në vend, nga e cila pronarët e medieve detyrohen t’i largojnë shkrimet që kritikojnë kompanitë, të cilat janë reklamues të mëdhenj.

“Duke pasur parasysh se reklamat janë burimi i vetëm i të hyrave nëpër medie, herë pas here menaxherët ose pronarët e medieve ndikojnë nëpër redaksi që t’i largojnë shkrimet, të cilat kritikojnë kompanitë që janë reklamues të mëdhenj. Kjo është njëra ndër pikat që gazetarët mund të ndikohen në sigurinë e tyre nga pronarët ose nga menaxherët, të cilët mund t’i refuzojnë lajmet ose shkrimet e tyre e që mund të ndërlidhen me reklamuesit”, është shprehur Çollaku.

Olluri: Gazetarët janë të sigurt aq sa kujdesen për veten

Se ushtrimi i profesionit të gazetarisë në Kosovë nuk është aspak i lehtë e dëshmojnë më së miri edhe rastet e sulmeve fizike ndaj gazetarëve.

Drejtori i gazetës online “Insajderi”, Parim Olluri, ishte sulmuar në mbrëmjen e 16 gushtit, afër banesës së tij në Prishtinë.

Por këto kërcënime nuk po arrijnë të ndalin motivin e Ollurit për punën e tij.

Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Olluri ka thënë se porositësit e sulmeve fizike dhe verbale shpresojnë që frikësimi i gazetarëve është zgjidhje e problemeve të tyre.

Por, sipas tij, ndodh e kundërta. Këto sulme ai i merr si motiv për të vazhduar me publikimin e hulumtimeve.

“Në të kaluarën ka ekzistuar një numër i vogël i medieve. Ato janë kontrolluar lehtësisht nga politikanët. Tash kemi numër të madh të medieve dhe politika nuk mund të kontrollojë secilën nga to. Politikanët nëpërmjet banditëve të tyre synojnë që t’i kontrollojnë nëpërmjet frikësimit. Përdorin banditët e tyre për të sulmuar fizikisht dhe ‘banditët online’ për të linçuar dhe për t’i etiketuar gazetarët si spiunë serbë, duke iu referuar si UDB-ash”, ka theksuar Olluri.

Tutje ai ka njoftuar edhe për mënyrën se si i është sugjeruar që të armatoset për ta mbrojtur veten.

“Gazetarët janë të sigurt aq sa kujdesen për veten. Në rastin tim, jam sugjeruar që të armatosem për ta mbrojtur veten. Sistemi gjyqësor, Policia dhe Prokuroria nuk kanë shënuar ende rezultate konkrete në mbrojtjen e gazetarëve. Janë vetëm deklarative, të ngjashme me deklarimet e politikanëve si Thaçi, Veseli e Haradinaj, që i bëjnë zakonisht më 3 Maj”, ka shpjeguar drejtori i “Insajderit”.

Olluri u ka kërkuar gazetarëve të protestojnë para institucioneve që nuk ndërmarrin asgjë për mbrojtjen e gazetarëve.

Jo vetëm para Qeverisë thotë ai. Gazetari kërkon protesta para Gjykatës e prokurorit që thotë se shpërfill rastin e kërcënimit ndaj gazetarit dhe para stacionit policor që nuk ndërmerr asgjë në drejtim të zbardhjes së rastit.

Shabani: Mosefikasiteti i institucioneve të drejtësisë rrezikon gazetarinë

Cak i shpeshtë i sulmeve dhe i kërcënimeve ishte edhe ish-kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tani kryeredaktori i portalit “Infokusi”, Zekirja Shabani.

Shabani në një prononcim për “Zërin” nuk ka mohuar faktin se sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë pengesë në procesin e punës, sidomos kur vihet në rrezik jeta për mungesë të sigurisë së garantuar me ligjet në fuqi, siç i referohet ai.

“Megjithatë, në të gjitha rastet puna jonë ka dëshmuar të kundërtën e asaj që kanë pritur sulmuesit e kërcënuesit. Në vend të heshtjes frikën e kemi kthyer në kurajë për të nxjerrë në dritë keqpërdorime e manipulime të zyrtarëve të shtetit me paranë publike, pasurimin e biznesmenëve të lidhur me politikën në kurriz të qytetarëve të varfër e shumë-shumë raste të tjera në dobi të shoqërisë. Asnjëherë nuk do të lejojmë që kërcënuesit të arrijnë qëllimin e tyre”, ka deklaruar kryeredaktori i “Infokusit”.

Ish-kryetari i AGK-së ka përmendur edhe gjendjen e medieve në Kosovë, të cilën e ka vlerësuar të rëndë dhe në nivel shqetësues të presionit politik dhe ekonomik.

Shabani tutje ka përmendur edhe disa probleme të gazetarëve në Kosovë, për të cilat thotë se janë dëshmi se të bërit gazetari në Kosovë nuk është e lehtë.

“Mosefikasiteti i institucioneve të drejtësisë po e rrezikon në vazhdimësi profesionin e gazetarisë në Kosovë. Dhjetëra raste të sulmeve e të kërcënimeve ndaj kolegëve, por edhe të miat, për vite të tëra mbeten të pazgjidhura nga gjykatat. Kjo i bën palët e pakënaqura me punën tonë mosbesues ndaj institucioneve se mund t’ua zgjidhin telashet e në anën tjetër e bën të pasigurt ambientin e të bërit gazetari pasi secili nga ta mund ta marrë drejtësinë në dorë. Pra, i inkurajon sulmet ndaj gazetarëve”, ka përfunduar Shabani.

Korrespondentët kujtojnë vështirësitë në raportim

Me problemin e njëjtë si të gazetarëve në Kosovë ballafaqohen korrespondentët, të cilët raportojnë nga vendet perëndimore.

Bahri Cani, redaktor i “Deutsche Welles”, thotë se ka qenë gjithmonë i lirë në raportim. Por, përmend disa vështirësi në raportime në kohën sa ka qenë korrespondent i DW-së në Beograd.

“Në periudhën e marrjes me gazetari kam pasur edhe vështirësi në raportime, në veçanti në kohën sa kam qenë korrespondent i DW-së në Beograd, në periudhën e luftërave në Kroaci, në Bosnjë dhe së fundmi në Kosovë. Probleme nuk kam pasur kurrë nga DW-ja për sa i përket përbërjes së raportimeve nga Beogradi, sepse edhe DW-ja ka pasur besueshmëri të plotë ndaj raportimeve të mia”, ka thënë Cani.

Haxhiaj: Gazetarët, të pambrojtur

Redaktores së “Radio Kosovës” Serbeze Haxhiajt në muajin mars i është ngjyrosur vetura me ngjyrë të kuqe nga persona të panjohur.

Haxhiaj në një prononcim për “Zërin” ka thënë se mediet në Kosovë vuajnë nga mungesa ose nga kriza e një analize serioze dhe kontrollimi i fakteve në proceset aktuale, kulturore, shoqërore dhe politike, që do të mbanin më llogaridhënës pushtetin.

“Zhvillimi teknologjik dhe rritja enorme e numrit të medieve të internetit ka bërë që në përgjithësi mediet të tabloidizohen, por edhe të reduktojnë hulumtimin e mirëfilltë që të ofrojnë informacion të plotë. Në këtë mënyrë gazetaria e bazuar në fakte dhe informacioni i shoshitur mirë e i bazuar në parime etike është bërë viktimë e tabloidizimit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, pushteti me goditje kryesisht të vogla ka dërrmuar medien si shumëçka tjetër.

“Gazetarët përballen me presion, me kërcënime dhe me probleme tjera të punës dhe në gjithë këtë situatë janë krejt të pambrojtur sepse si për gjithçka tjetër edhe për këto raste përballë ka një gjyqësor joefikas”, ka përfunduar Haxhiaj.

Një ditë para Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit shefja e Diplomacisë së BE-së, Frederica Mogherini, tha se sulmet kundër medieve dhe kundër gazetarëve janë sulme ndaj demokracisë dhe lirisë për të gjithë.

“Mosndëshkimi vret lirinë e shprehjes”, do të jetë motoja e protestës së thirrur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të enjten në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.