Për tre muaj 4.630 euro për dreka zyrtare

Ekonomia May 03, 2018 - 08:35
Lexoni më shumë detaje

Sipas raportit të shpenzimit të buxhetit për tre muajt e parë të vitit 2018, për shpenzime të udhëtimit jashtë vendit, mëditje për udhëtim jashtë vendit, akomodim dhe shpenzime tjera jashtë vendit janë paguar 4.100 euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Raporti i shpenzimit të buxhetit për periudhën janar - mars 2018, i cili është paraqitur në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Skenderajt, ka treguar për shpenzime enorme në disa kategori.

LEXO EDHE: GDP-ja zgjedh Ditën e Evropës 'për t’u shkrirë' në PSD

Më së shumti është shpenzuar për dreka zyrtare, 4.630 euro, dyfish më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2017 (2.144 euro), për shpenzime të udhëtimit, të akomodimit dhe shpenzime tjera jashtë vendit 4.085 euro (në të njëjtën periudhë të vitit 2017 janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit vetëm 41.80 euro), për qymyr (thëngjill) janë shpenzuar për tre muajt e parë të vitit 39 mijë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar zero shpenzime, për dru për djegie janë shpenzuar 26.046 euro, ndërsa në vitin 2017 janë shpenzuar për dru 414 euro, shkruan më tutje "Zëri".

Për derivate për automjete janë shpenzuar 13.067 euro, 3 mijë euro më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2017 (10.595 euro), për shpenzime të telefonisë fikse janë shpenzuar 3.077 euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar 778 euro, si dhe për shpenzime për furnizim për zyrë janë shpenzuar 35.127 euro, dyfish më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur janë shpenzuar 18.472 euro.

Duke shtjelluar raportin e shpenzimit të buxhetit për periudhën janar - mars 2018, drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Mehmet Berisha, tha se të gjitha shpenzimet për 3 muajt e parë të këtij viti në fakt janë borxhe të qeverisjes së kaluar, të cilat është dashur të paguhen në këtë vit.

“Janë borxhe që i ka lënë Qeveria e kaluar e të cilat kemi pasur për obligim t’i paguajmë. Natyrisht ato pagesa i kemi evidencuar në raportin e shpenzimit të buxhetit. Nuk ka asnjë dyshim, kjo çfarë po them unë është e vërtetë”, tha Berisha.

Sipas tij, nga 4.630 euro për dreka zyrtare, 4.280 janë të Qeverisë së Sami Lushtakut, ndërsa Qeveria e Bekim Jasharit ka harxhuar për dreka zyrtare vetëm 350 euro.

Berisha ka sqaruar se nga 2.447 euro për mëditje për udhëtim jashtë vendit, 1.250 euro janë të qeverisjes së kaluar, ndërsa qeverisja e tashme ka harxhuar 1.197.80 euro.

Berisha nuk ka përmendur fare shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit (757 euro), si dhe shpenzimet e akomodimit dhe të shpenzimet tjera jashtë vendit 527 + 356 euro.

Duke sqaruar tutje shpenzimet në disa kategori për 3 muajt e parë të vitit, Berisha tha se nga 13.067 euro për shpenzime për derivate të veturave 8.760 euro janë të qeverisjes së kaluar, ndërsa Qeveria e tashme ka harxhuar 4.307 euro.

Për shpenzime të telefonisë fikse nga 2.597 euro që janë paguar, 2050 euro janë të qeverisjes së Sami Lushtakut, ndërsa Qeveria e Bekim Jasharit ka harxhuar 547 euro. Për shpenzime për zyrë Berisha thotë se nga 35.127 euro, 27.690 euro janë borxhe të Sami Lushtakut. Ai gjithashtu ka shpjeguar se e gjithë shuma e mjeteve të harxhuara për qymyr dhe për dru (39000, përkatësisht 26.046 euro) janë borxhe të Sami Lushtakut.

“Borxhet që i ka lënë qeverisja e kaluar i tejkalojnë këto shifra, sepse për qymyr borxhi i qeverisjes paraprake është 48.450 euro, ndërsa për dru 32.940. Kemi për të paguar edhe 8.824 euro për qymyr dhe 6.894 euro për dru”, ka shpjeguar Berisha.

Por me shpjegimet e Berishës nuk është pajtuar asamblisti i PDK-së, Ismet Salihu, ish-kryesues i Kuvendit të Skenderajt në të gjitha mandatet e deritashme.

Salihu tha se dyshon shumë në vërtetësinë e të dhënave dhe në sqarimin e Berishës, duke përmendur borxhin që ka mbetur të një kategorie të shpenzimeve e që sipas tij është 700 euro, ndërsa në raport është evidencuar shuma shumëfish më e madhe.

Të paktën, sipas Salihut, shpenzimet për udhëtim jashtë vendit të zyrtarëve komunalë janë paguar menjëherë.

“Raporti i shpenzimit të buxhetit është për tre muaj, janar - mars 2018, duke krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto shifra që jepen si arsyetim për shpenzimet e këtij viti nuk përkojnë me realitetin dhe unë ftoj drejtorin që ta rishikojë edhe një here raportin dhe të dalë me shifra të sakta sepse shpenzimet për mallra dhe shërbime janë paguar gjithmonë me kohë”, ka thënë Salihu.