Pas 10 ditësh procedohet Draftligji për Ushtrinë
Foto: Laura Hasani

Pas 10 ditësh procedohet Draftligji për Ushtrinë

Aktuale prill 19, 2018 - 08:23
Ministria e FSK-së zotohet se më 30 prill do ta dërgojë në Qeveri Draftligjin për Ushtrinë

Për shkak se Lista Serbe nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, Qeveria e Kosovës është duke e menduar formimin e ushtrisë vetëm përmes ndryshimit të ligjeve. Ministria e FSK-së zotohet se më 30 prill do ta dërgojë në Qeveri Draftligjin për Ushtrinë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse kanë kaluar thuajse pesë vjet që nga fillimi i diskutimit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, ende nuk dihet se cili do të jetë epilogu i këtij procesi.

Kjo pasi Lista Serbe nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës për këtë transformim.

Por opsion tjetër për formimin e ushtrisë mbetet ai përmes ndryshimit të ligjeve, shkruan më tutje "Zëri".

Kryeministri Ramush Haradinaj para pak ditësh ka deklaruar se Lista Serbe kur ka hyrë në koalicion nuk i ka premtuar votë për ushtrinë dhe se mënyra e vetme për formimin e ushtrisë është përmes ndryshimeve ligjore.

LEXO EDHE: Gjuriq: Prishtina t’i ndryshojë ligjet për ta formuar Asociacionin

“Lista Serbe me formimin e Qeverisë votën e tyre për ushtrinë nuk e kanë premtuar. Nuk është pjesë e marrëveshjes sonë kjo çështje. Më duhen edhe 6-7 muaj që t’i rregulloj raportet me Listën Serbe dhe ushtria nuk ka aq kohë. Te vetmin opsion e shoh ligjin e Kosovës për formimin e ushtrisë”, ka thënë ai.

Mirëpo ky opsion vlerësohet si vështirë i mundshëm nga anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ata thonë se ushtria s’do të mundë të bëhet pa koordinim me ndërkombëtarët.

Në pyetjen nëse formimi i ushtrisë do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese apo vetëm përmes ndryshimit të ligjit, Zyra e Kryeministrit ka thënë se Qeveria është e interesuar të arrijë agjendën legjislative e në të cilën parashihet që draftligjet për FSK-në të procedohen në Kuvend deri më 30 prill.

“Qeveria e Kosovës është e interesuar që të arrijë agjendën legjislative sipas planifikimeve të rregullta dhe në të njëjtën kohë të intensifikojë bashkërendimin me partnerët mbështetës të Kosovës. Normalisht, synojmë të realizojmë programin qeverisës, duke përfshirë këtu agjendën legjislative”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Por kjo Zyrë ka thënë se procesi për transformim është në koordinim të plotë dhe do të jetë një hap para në rrugën e Kosovës drejt NATO-s.

Më 30 prill dërgojmë në Qeveri Draftligjin për Ushtrinë

Zyrtarë nga Ministria e Forcës dhe e Sigurisë së Kosovës për “Zërin” kanë bërë të ditur se kjo Ministri më 30 prill do ta dërgojë në Qeveri Draftligjin për Shndërrimin e FSK-së në FAK dhe tani për tani janë duke pritur nga Ministria e Financave që të deklarojë se sa kosto buxhetore duhet për ushtrinë.

“Aktualisht jemi në pritje të deklaratës financiare për kosto buxhetore nga Ministria e Financave, si dhe të pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane që draftligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së. MFSK-ja në përputhje me Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me Planin Veprues të MFSK-së deri më 30 prill do t’i dërgojë draftligjet në Qeveri. Pas dërgimit të draftligjeve në Qeveri MFSK-ja përmbush obligimin ligjor që ka”, tha ai.  

Shala: S’ka ushtri pa koordinim me ndërkombëtarët

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala, për “Zërin” ka thënë se në fund të prillit apo në fillim të majit presin ardhjen e Draftligjit për Ushtrinë në Komision.  

Shala i vetëdijshëm për kundërshtimin e Listës Serbe tha se Kosova do të detyrohet që t’i ndërmarrë hapat për opsionin “B”, i cili është shtimi i kompetencave të FSK-së, mirëpo tha se për këtë duhet të pajtohen edhe ndërkombëtarët.

“Nëse Lista Serbe nuk është dakord për ndryshime kushtetuese atëherë ne duhet të ndërmarrim opsionin ‘B’, pra të shkohet me dhënien e kompetencave FSK-së. Por krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk bëhet pa një mbështetje apo koordinim me ndërkombëtarët. Besoj që presioni ndërkombëtar mbi Serbinë dhe mbi këtë proces do ta zgjidhë këtë çështje”, ka përfunduar ai.

Selimi: Do ta përkrahim çdo veprim serioz për ushtrinë

Kurse nënkryetari i këtij Komisioni dhe njëherësh deputeti Rexhep Selimi për “Zërin” ka thënë se nuk pret që prej kësaj Qeverie të dalë ndonjë gjë pozitive për këtë çështje dhe siç ka thënë ai nëse ka diçka serioze, atëherë ai së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje do ta përkrahin.

“Jemi për ushtrinë, por nuk bëhemi pjesë e manipulimeve dhe e lojërave të cilësdo qeveri qoftë ajo ‘Thaçi’ apo ‘Haradinaj’”, ka thënë Selimi.

Pavarësisht kësaj Selimi ka deklaruar se veprimet e Qeverisë nuk po konsiderohen serioze dhe që nuk presin rezultate pozitive.

“Duke e parë që qeveria ‘Haradinaj’ është totalisht e paaftë dhe e pafuqishme për të avancuar çështjen e mbrojtjes së Kosovës, duke parë që qeveria ‘Haradinaj’ është qeveri e pakicës e mbi të gjitha duke parë që qeveria ‘Haradinaj’ është në varësi të Listës Serbe, atëherë me keqardhje mund të themi që nuk presim që edhe tash të ketë veprim serioz”, ka thënë tutje ai.

Qehaja: T’i bindim ndërkombëtarët, s’kemi më kohë

Ndërkohë eksperti i sigurisë Ramadan Qehaja formimin e ushtrisë e ka parë si një vonesë të madhe duke konsideruar që kjo punë duhej të kryhej para tre vjetëve.

Sipas tij, nëse Lista Serbe nuk e voton transformimin e FSK-së në ushtri atëherë ka mundësi që FSK-ja të mbetet e tillë dhe të bëhet vetëm një ndryshim ligjor.

“Beogradi zyrtar ka vendosur që të mos lejojë Listën Serbe ta votojë këtë ndryshim kushtetues, atëherë ne duhet të marrim masa tjera”, ka thënë Qehaja për “Zërin”.

Tutje Qehaja ka folur edhe për mundësinë e ndryshimeve ligjore për formimin e ushtrisë. Ai ka bërë thirrje që kjo çështje të mos zvarritet më tutje. Kosova siç tha ai duhet t’i bindë partnerët ndërkombëtarë që vendi ka nevojë për ushtri. 

Në anën tjetër njohësi i çështjeve të sigurisë Naim Maloku ka pak shpresa që Qeveria mund të bëjë ndonjë hap përpara sa i përket transformimit të FSK-së, pasi s’mund të bëhet asgjë pa miratimin e NATO-s, të cilët kërkojnë ndryshime kushtetuese.

“Nuk do të kryhet kjo punë dhe nuk shoh mënyrë se si do të bëhet transformimi i FSK-së, nuk kanë buxhet. NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare kërkon që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Qeveria s’mund ta transformojë FSK-në në ushtri pa lejen e NATO-s. Pra, nuk e dimë se si po dëshiron Qeveria që ta bëjë ushtrinë”, ka thënë ai për “Zërin”.