Gjuriq: Prishtina t’i ndryshojë ligjet për ta formuar Asociacionin

Aktuale April 19, 2018 - 08:04
''Serbët e Kosovës nuk do të tërhiqen nga formimi i “Zajednicës''''

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u ka thënë medieve serbe se ekipi drejtues është duke punuar në hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe duke u bazuar në Marrëveshjen e Brukselit e jo “sipas akteve interne dhe vendimeve të Prishtinës”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar për mediet serbe se serbët e Kosovës nuk do të tërhiqen nga formimi i “Zajednicës”, ndërsa ka konkluduar se Prishtina nuk e ka ndërmend që të mundësojë formimin e AKS-së në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit.

LEXO EDHE: Dështim në agjendën evropiane

Ai ka siguruar se ekipi drejtues është duke punuar në hartimin e statutit të “Zajednicës”, ndërkohë që Prishtina nuk e ka ndërmend të mundësojë formimin e AKS-së në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit, shkruan më tutje "Zëri".

“Statuti i AKS-së nuk do të hartohet sipas akteve interne dhe vendimet të Prishtinës, por në pajtim të plotë me marrëveshjen e arritur në Bruksel.  Në Marrëveshjen e Brukselit qartë theksohet obligimi i Prishtinës që t’i ndryshojë ligjet e saj, sepse sipas atyre të tanishme që janë në fuqi nuk parashikohet AKS-ja e unë mendoj se Prishtina nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë dhe nuk e kam të qartë se për ç’arsye atëherë kanë biseduar me ne?”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se kjo çështje është diskutuar edhe në takimin e presidentit Vuçiq me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë gjithashtu se “Zajednicën” do ta formojnë serbët e Kosovës, pasi “Prishtina hapur po zvarrit formimin e AKS-së”.

Lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, si dhe vetë drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën kanë dhënë fjalë të mëdha sa i përket formimit të AKS-së.

Në një takim që kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka mbajtur me kryetarë të komunave veriore dhe të atyre me shumicë serbe, vetëm një ditë pas arrestimit të Gjuriqit, u ka dhënë ultimatum institucioneve të Kosovës që ta formojnë “Zajednicën” deri më 20 prill, në të kundërtën serbët do ta bëjnë vetë.

Në ndërkohë BE-ja i ka dhënë afat Prishtinës 4 muaj që ta formojnë AKS-në, duke qenë të prerë se ky institucion duhet të formohet sipas ligjeve të Kosovës. Por, as afatin prej 4 muajsh e as faktin që ai të formohet sipas ligjeve të Kosovës nuk e pranojnë Lista Serbe e as Beogradi.

Gjuriq ka thënë shumë herë dhe e përsërit edhe tani se “Zajednica” duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Përfaqësuesja speciale e BE-së në Kosovë, Natalya Apostollova, ka konfirmuar se Prishtina ka afat prej 4 muajsh që ta formojë AKS-në, ndërsa është inkurajuar me vendimin e kryeministrit Haradinaj për fillimin e punës në formimin e AKS-së.  

“Tani për hartimin e statutit të AKS-së ka një afat prej 4 muajsh. Shumë shpejt të dy palët, bashkë edhe me njerëz profesionistë dhe me  anëtarët e ekipit drejtues do të ftohen në Bruksel dhe do të fillojnë konsultimet rreth asaj se çfarë do të përmbajë statuti. Natyrisht që ky nuk do të jetë proces i lehtë, por të paktën është bërë hapi i parë. Do ta ofrojmë gjithë mbështetjen tonë ekipit për punë”, ka thënë Apostollova. 

Ajo ka përmendur edhe projektin e rivitalizimit të rrugës kryesore në veri të Mitrovicës, e cila do të shndërrohet në zonë të këmbësorëve, për të cilin tha se është projekti më i madh i BE-së në veri. “Ura është projekti ynë më i madh në veri. Punët janë duke shkuar, natyrisht ka qenë dashur kohë derisa ka filluar realizimi i projektit. Aktualisht kam bashkëpunim të mirë me Komunën Veriore të Mitrovicës dhe sinqerisht shpresoj se ura do të hapet sa më shpejt. Ka pasur rënie dhe ngritje gjatë implementimit, për shkak të brengave të komunave veriore lidhur me incidentet ndëretnike që kanë ndodhur në urë. Megjithatë ura është simboli më i rëndësishëm për dialog”, ka thënë Apostollova.

Ndryshe, Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka emëruar koordinatorin e vet për “Zajednicën” e ai është ish-ministri i APL-së në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, një refugjatë serb i ikur nga Kroacia, i cili me familjen e tij janë vendosur dhe jetojnë në veri të Mitrovicës.

Pas shkarkimit nga pozita e ministrit të APL-së nga ish-kryeministri Mustafa, Mariq është emëruar zëvendësdrejtor i Zyrës Serbe për Kosovën dhe koordinator i “Zajednicës”.