Dështim në agjendën evropiane

Aktuale April 19, 2018 - 07:47
Raporti i Progresit Raporti ka konfirmuar dështimin e vendit për ta çuar përpara agjendën evropiane

Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian ka konfirmuar dështimin e vendit për ta çuar përpara agjendën evropiane. Kosova vazhdon të ballafaqohet me politizim të administratës publike, ndikim të politikës në drejtësi, shkallë të lartë të korrupsionit, si dhe mosrespektim të të drejtave të njeriut, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përmbajtja e Raportit të Komisionit Evropian (KE) për Kosovën, i cili u publikua të martën që lamë pas, ka qenë e pritur si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.

Ngecjet e theksuara në këtë raport veçmas drejt luftës së krimit të organizuar e korrupsionit e bëjnë këtë më të disfavorshmin gjer më tash.

Kështu konsiderojnë të paktën anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane nga opozita, të cilët thonë se një gjë e tillë do ta pamundësojë përfundimisht arritjen e liberalizimit të vizave për këtë vit.

Por krejtësisht ndryshe deklarohen përfaqësuesit e partive në pushtet, shkruan më tutje gazeta "Zëri".

Sipas të tyre, Raporti i KE-së dhe liberalizimi i vizave janë dy procese plotësisht të ndara mes vete.

Në anën tjetër, për të ecur përpara sipas ekspertëve të procesit të integrimit institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë luftën e krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë, të rritet transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë.

E për një gjë të tillë gjatë ditës së djeshme janë zotuar krerët e shtetit, të cilët kanë thënë se do t’i përmbushin të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja.

Thaçi e Haradinaj: Do t’i zbatojmë kërkesat

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme ka pranuar nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalyia Apostolova, Raportin e BE-së për Kosovën për vitin 2018.

Me këtë rast kreu i shtetit është zotuar se Kosova do t’i realizojë të gjitha reformat që çojnë drejt BE-së.

“Kosova mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha reformave që dërgojnë shtetin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pas takimit me komisionarin e BE-së Johannes Hahn, ka shprehur përkushtimin e Kosovës që të rreshtohet me shtetet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e paqes dhe të bashkëpunimit reciprok, në mënyrë që të përshpejtohet rruga drejt BE-së. Haradinaj pas kësaj ka thënë se Kosova ka avancuar sa i përket sundimit të ligjit. “Kosova ka shënuar përparime sidomos në sundimin e ligjit dhe komisionarit Hahn i kërkova që Kosova të përfshihet në liberalizim të vizave në afat optimal”, ka potencuar kreu i ekzekutivit.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj pas takimit me Apostolovën ka deklaruar se Qeveria do ta marrë seriozisht këtë raport dhe do t’i zbatojë të gjitha kërkesat.

Hoxha: Raporti duhet vlerësuar

Në anën tjetër, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka mirëpritur Raportin e publikuar për Kosovën nga Komisioni Evropian.

Hoxha me këtë rast e ka cilësuar atë si një raport real dhe objektiv.

“Posaçërisht duhet vlerësuar fakti se Raporti evidenton të arriturat dhe sfidat e institucioneve përkatëse. Është shumë e rëndësishme që KE-ja vlerëson se Kosova ka bërë progres në shumë fusha. Ratifikimi i Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi është përmendur aty si diçka pozitive dhe hap i rëndësishëm. Po ashtu është evidentuar se zgjedhjet e vitit 2017 kanë qenë të miradministruara dhe të lira”, ka thënë Hoxha.

Ndër çështjet më të rëndësishme në këtë Raport, sipas ministres, është njohja e progresit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pajaziti: Nuk kemi pritur mrekulli, ka qenë një raport i pritshëm

Duke folur rreth kësaj çështjeje, Zenun Pajaziti, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane nga PDK, ka konsideruar se përmbajtja e Raportit të Progresit nuk ka qenë e papritshme.

“Ka qenë një raport i pritshëm pak a shumë. Nuk kemi pritur ndonjë mrekulli pas krejt këtyre zhvillimeve që kanë ndodhur edhe vitin e fundit. Por është mirë që procesi i liberalizimit të vizave është ndaras. Po besojmë që do të ketë progres dhe rrjedhimisht jam i sigurt që në agjendën e MSA-së të cilën e kanë detyrim së pari Qeveria dhe institucionet e tjera qendrore e lokale do ta kenë një vullnet politik të mirë dhe ne të mos e humbim asnjë ditë që t’u përmbahemi këtyre çfarë duhet të bëjmë për t’i kaluar këto sfida në Raport të Progresit”, ka potencuar ai për “Zërin”.  

E pasi që liberalizimi sipas tij është proces i ndarë nga raporti në fjalë, Pajaziti është shprehur optimist se liberalizimi do ta ndihmojë Kosovën edhe drejt procesit të integrimit evropian.

Zemaj: Lufta kundër krimit e korrupsionit s’bëhet me fjalë

Edhe Armend Zemaj, anëtar i Komisionit për Integrime nga LDK-ja, ka thënë se Raporti ka qenë i pritshëm, pasi Qeveria aktuale nuk ka pasur vullnet e as kapacitet që ta integrojë Kosovën në BE.

“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk bëhet me fjalë as me letra mirë të shkruara, por me insistim në zbatimin e ligjit dhe në krijimin e kushteve për ta luftuar korrupsionin. Veprimet e Qeverisë e kanë vështirësuar përmbylljen e kushteve të vëna nga BE-ja për liberalizimin e vizave dhe për procesin e integrimeve”, ka deklaruar ai.

Sipas Zemajt, një përgjegjësi e madhe sa i përket kësaj çështjeje bie edhe mbi organet e drejtësisë në Kosovë.

Kollçaku: S’ka viza këtë vit

Ndryshe nga Pajaziti, Fatmire Kollçaku, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane po ashtu nga LVV-ja, ka konsideruar se Raporti i publikuar para dy ditësh paraqet raportin më në disfavor për shtetin e Kosovës.

“Është ndër raportet më të disfavorshme deri më tani për Republikën e Kosovës, në veçanti nëse e lidhim me kushtin e mbetur për liberalizimin e vizave. U tha edhe dje në interpretimin e Raportit nga Apostolova që tanimë krimi dhe korrupsioni janë endemikë në Kosovë. Kjo është me të vërtetë shumë shqetësuese”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Gjatë bisedës më tej Kollçaku është shprehur e vendosur se këtë vit nuk do të ketë liberalizim për Kosovën, pasi nuk po luftohen sa duhet krimi i organizuar e korrupsioni.

“Këtë vit mendojmë që nuk ka fare gjasa që të ndodhë liberalizimi, madje nga dita e djeshme mendoj se jemi shumë hapa më larg nga ky proces”, ka potencuar nënkryetarja e LVV-së.

Kryeziu: Politika të heqë dorë nga ndikimi në sistemin e drejtësisë

Kurse Taulant Kryeziu, njohës i procesit të integrimit, ka thënë se raporti i publikuar para dy ditësh ka prezantuar gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve në Kosovë.

“Fokusi kryesor i BE-së vazhdon të jetë në sundim të ligjit, në drejtësi dhe të drejtat fundamentale. Ndërsa ne vazhdojmë të kemi problemet e njëjta, me politizim të administratës publike, ndikim të politikës në drejtësi dhe mosrespektim të të drejtave fundamentale të njeriut nga institucionet tona”, ka deklaruar ai.

Andaj sipas Kryeziut, që të arrihet një përmirësim në këtë drejtim institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Institucionet e sundimit të ligjit duhet ta vazhdojnë luftën e krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë, politika të heqë dorë nga ndikimi në sistemin e drejtësisë, të rritet pavarësia, transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë, të vazhdohet me progres në adresimin e agjendës evropiane të reformave ku kemi shumë ngecje, si dhe me zbatim të obligimeve që kemi marrë nga MSA-ja”, ka theksuar ai.

Murati: Procesi i liberalizimit, i ndarë nga Raporti i Progresit

E sipas Artan Muratit, njohës i çështjeve politike, institucionet e Kosovës nuk po arrijnë që ta çojnë përpara agjendën evropiane.

“Faktikisht jemi duke u përballur me problemet e njëjta tash e një kohë të gjatë, gjë që po dëshmohet edhe me përmbajtjen e këtij Raporti, sepse shumica e Raportit po duket e ngjashme sikurse edhe gjatë viteve paraprake. Nuk ka një progres të theksuar”, ka potencuar ai.

Megjithatë sipas Muratit, kritika drejt mosluftimit të krimit e të korrupsionit nuk do të thotë domosdo që nuk do të ketë liberalizim këtë vit, pasi këto dy procese janë të ndara mes vete.

“Teorikisht ka mundësi që vizat të hiqen në fund të këtij viti. Mirëpo, duhet të pritet një vlerësim i posaçëm nga KE-ja sa i përket kushtit të dytë, luftimit të krimit e të korrupsionit. Ky komunikim i BE-së nuk është për liberalizimin e vizave. Procesi i liberalizimit është proces i ndarë dhe për këtë BE-ja do të na njoftojë përmes një komunikimi të ardhshëm. Nëse nuk do të ketë ndonjë sinjal më të madh në vlerësimin për Kosovën atëherë mund të ndodhë që liberalizimi të mos bëhet as sivjet”, ka nënvizuar ai.