Nisma e LDK-së, drejt dështimit
Foto: Laura Hasani

Nisma e LDK-së, drejt dështimit

Aktuale prill 16, 2018 - 08:08
Iniciativa e LDK-së, drejt dështimit

Iniciativa e LDK-së për t’i mbledhur të gjitha partitë politike në një tryezë të përbashkët, nga e cila do të gjendej një formulë për dalje nga kriza dhe do të caktohej një datë për zgjedhje të parakohshme, po shkon drejt dështimit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo pasi asnjë nga partitë politike deri më tash nuk i ka dalë në mbështetje kësaj nisme.

Përkundrazi, disa prej partive tashmë kanë deklaruar se nuk kanë kurrfarë arsye që të marrin pjesë në të tilla tryeza, pasi kjo qasje e LDK-së është totalisht joserioze.

Pos nga partitë në pushtet, LDK-ja ka përfunduar e papërkrahur edhe nga subjektet opozitare në këtë drejtim.

LEXO EDHE: Raporti i ri, ngecjet e vjetra

Megjithatë, përfaqësues të LDK-së tashmë kanë paralajmëruar se do të veprojnë njëanshëm, duke ngritur mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë, po qe se nisma për “tryezë të përbashkët” dështon përfundimisht, shkruan më tutje "Zëri".

Megjithatë, ani pse zyrtarë të këtij subjekti qenë zotuar se gjatë javës së shkuar do të nisnin mbledhjen e nënshkrimeve për mocion, ende nuk ka diçka konkrete.

Në anën tjetër, analistët politikë konsiderojnë se nisma e LDK-së në rrethanat e tanishme është thuajse e pamundur të jetësohet.

Hoti: Presim që partitë t’i bashkohen tryezës së përbashkët

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, gjatë ditës së djeshme u ka bërë thirrje edhe një herë partive politike që të ulen dhe ta gjejnë një opsion për tejkalimin krizës, si dhe të pajtohen për zgjedhje të parakohshme.

“LDK-ja është e vendosur dhe e pakompromis në ruajtjen e rendit kushtetues dhe të demokracisë në Kosovë. Ne presim nga partitë e tjera t’i bashkohen nismës sonë për një tryezë të përbashkët për t’u pajtuar për tejkalimin e situatës”, ka deklaruar Hoti.

Ai më tej ka konsideruar se koalicioni qeverisës tashmë e ka humbur shumicën në Kuvend, andaj duhet të veprohet sa më parë për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Çdo ditë e humbur pa një marrëveshje në mes të partive politike për punët që duhet kryer bashkërisht deri në zgjedhjet e parakohshme është rrezik dhe humbje për Kosovën”, ka shtuar ai.

Beqa: Deklaratat e LDK-së, joserioze

Mirëpo deklaratat e LDK-së për tryezë të përbashkët dhe për rrëzim të Qeverisë, sipas deputetit të PDK-së Hajdar Beqa nuk janë aspak serioze.

E sa u përket zgjedhjeve, Beqa ka vlerësuar se Kosova nuk e ka komoditetin që të shkojë në zgjedhje, ani pse PDK-ja është më se e gatshme.

“Është e drejtë e partive që të ngrenë mocion dhe nuk e shoh diçka jashtë normales. Ne si PDK konsiderojmë se Kosova nuk e ka komoditetin që të shkojë në zgjedhje çdo gjashtë muaj”, ka potencuar ai.

Gjatë bisedës deputeti i PDK-së ka deklaruar se LDK-ja aktualisht ka probleme të brendshme, andaj ky subjekt para se të niset drejt zgjedhjeve duhet t’i zgjidhë problemet e veta të brendshme.

Haxhiu: LDK-ja nuk ka qenë fare opozitë në Kuvend

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu e ka cilësuar si joserioze qasjen e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë aktuale.

“Në njërën anë ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, por në anën tjetër në vazhdimësi ka mbështetur këtë Qeveri për çështjet edhe ato të dëmshme, siç ka qenë Demarkacioni. Pra, fare nuk ka qenë opozitë në Kuvend, por në njërën anë ka mbështetur Qeverinë dhe në anën tjetër ka kërkuar zgjedhje”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Kjo qasje sipas Haxhiut nuk është as në interes të vendit, por as në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se LVV-ja është pro zgjedhjeve, pasi Qeveria aktuale ka dështuar t’i mbrojë interesat e qytetarëve.

Selmanaj: S’ka asnjë arsye për të marrë pjesë në tryezën e përbashkët

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj ka thënë se nuk ka kurrfarë arsye që ky subjekt të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LDK-ja.

“Pse do të duhej të merrnim pjesë në një tryezë që thirret nga një prej partive opozitare për të shkuar në zgjedhje? S’ka arsye, Qeveria vazhdon të punojë”, ka potencuar ai.

Andaj, Selmanaj është shprehur i bindur se as mocioni për rrëzimin e Qeverisë nuk do të ketë efekt.

“Nuk ka mundësi, sepse në përgjithësi partitë politike nuk janë të interesuara të shkojnë në zgjedhje dhe Kosova nuk e ka luksin për të shkuar në zgjedhje”, ka shtuar ai.

Balaj-Halimaj: Nuk ka krizë politike

Kurse deputetja e Nismës Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimaj, ka vlerësuar se Qeveria duhet të rrëzohet me veprime konkrete e jo me fjalë boshe sikurse po bën LDK-ja.

“Fillimisht nuk ka krizë politike, e dyta LDK-ja ka filluar prej ditës së parë të thotë që do ta rrëzojë Qeverinë. Por ajo që duhet bërë fillimisht është të ngrenë mocion dhe me anë të mocionit mund ta rrëzojnë Qeverinë nëse i kanë numrat, jo me fjalë si ata po pretendojnë”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse Nisma do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LDK-ja, Balaj-Halimaj ka thënë se nuk është diskutuar për këtë.

“Nuk jam e sigurt, nuk e kemi diskutuar këtë në parti”, ka nënvizuar ajo.

Salihu: LDK-ja ka probleme të brendshme, s’është e përgatitur për zgjedhje

Ndërkohë deputeti i GDP-së Salih Salihu ka konsideruar se LDK-ja nuk është aspak e gatshme që të shkojë në zgjedhje.

Sa i përket qëndrimit të GDP-së rreth tryezës së përbashkët dhe mocionit, Salihu ka thënë se GDP-ja do të mblidhet sot dhe të diskutojë rreth kësaj.

“LDK-ja nuk është serioze në kërkesën e saj, ka probleme të brendshme, nuk janë fare as ata të përgatitur për zgjedhje”, ka deklaruar Salihu.

E sa u përket zgjedhjeve, ai ka konsideruar se zgjedhjet e parakohshme nuk do të sjellin kurrfarë ndryshimesh.

“Nuk shoh ndonjë ndryshim edhe nëse vendi shkon në zgjedhje. Faktikisht, është problem që vendi të shkojë shumë shpesh në zgjedhje”, ka shtuar ai. 

Në anën tjetër Arton Demhasaj, njohës i çështjeve politike nga organizata “Çohu”, ka konsideruar se aktualisht nuk ka krizë institucionale siç po pretendon opozita.

Megjithatë, rrëzimi i Qeverisë në rrethanat e tanishme është mjaft i vështirë për t’u realizuar, pasi për një gjë të tillë duhen 61 vota.