Raporti i ri, ngecjet e vjetra

Aktuale April 16, 2018 - 07:49
Ja kur pritet të publikohet raporti i Komisionit Evropian për Kosovën

Komisioni Evropian nesër pritet ta publikojë raportin e shteteve për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën. Njohës të proceseve integruese thonë se edhe në këtë raport për Kosovën do të përsëriten kritikat që janë dhënë në të kaluarën, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komisioni Evropian të martën do të publikojë Raportin për Kosovën (siç njihej më herët Raporti i Progresit), në të cilin pritet të jepen vërejtjet e njëjta sikur në raportet e kaluara.

Kritikat kryesore pritet të bëhen për politizimin e administratës publike, politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura, mungesë të zhvillimit ekonomik, mungesë të përparimit të cilësisë së arsimit, etj.

Njohës të proceseve integruese thonë për Zërin se vlerësim relativisht më i mirë mund të jepet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është kriteri i fundit për liberalizimin e vizave, megjithëse thonë se edhe këtu do të theksohet pafuqia e sistemit gjyqësor për largimin e ndikimeve politike.

Zyra e Kryeministrit nuk ka deklaruar nëse pret vlerësim pozitiv për Kosovën nga Komisioni Evropian.

“Qeveria e Kosovës pret që raporti i sivjetmë të reflektojë realitetin në Kosovë duke i paraqitur të arriturat tona dhe gjithashtu sfidat që na presin”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre për “Zërin”.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, ka thënë se ka pasur një dinamikë të punëve nga institucionet, prandaj është shprehur optimist për përmbajtjen e raportit.

“Besoj që për shkak të angazhimit më dinamik të institucioneve do të jetë një raport më pozitiv për Kosovën, sidomos për qasjen konstruktive të Qeverisë dhe të mekanizmave institucionalë, të cilët kanë përmirësuar imazhin sa i përket disa temave të cilat janë me vlerë në opinion”, është shprehur Isufi.

Vetëvendosja: Raporti nuk do të jetë pozitiv

Kurse Lëvizja Vetëvendosje pret që në Raportin e Komisionit Evropian të përsëriten kritikat që janë dhënë edhe në të kaluarën.

Deputetja e kësaj partie Albulena Haxhiu ka thënë për “Zërin” se gjatë këtyre ditëve e ka përsëritur disa herë që Raporti i Progresit nuk do të jetë pozitiv për Kosovën.

“Aty do të evidentohet, madje për herë të parë, ku thuhet që sistemi i drejtësisë në Kosovë është jashtëzakonisht në nivel të ulët sa i përket aspektit profesional, por edhe të ndërhyrjeve të vazhdueshme politike mbi sistemin e drejtësisë. Po ashtu do të flitet edhe për mosluftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Pra, do ta pasqyrojë gjendjen reale në Republikën e Kosovës, qoftë në aspektin politik, ekonomik, social dhe atë të drejtësisë”, është shprehur Haxhiu.

Më tej deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se vërejtjet e Raportit nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës. Sipas Haxhiu, kjo ka ndodhur në vazhdimësi.

“Prandaj, edhe Raporti i Progresit nuk do të jetë ndryshe prej raporteve tjera, për të mos thënë do të jetë edhe më i ashpër, sidomos në sistemin e drejtësisë”, ka përfunduar Haxhiu.

Rashiti: Pritjet janë për raport relativisht të mirë

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, ka thënë për gazetën “Zëri” që e rëndësishme për këtë Raport është që të jepet vlerësim pozitiv sa i përket sundimit të ligjit, pasi do të ketë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave.

Rashiti ka thënë se në bazë të deklaratave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, raporti mund të jetë relativisht mirë.

“Është e rëndësishme që raporti të dalë mirë për ‘rule of law’ (sundimin e ligjit), për vizat pasi do të ketë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave. E deklaratat që janë dhënë nga zyrtarët e BE-së, mund të jetë raporti relativisht mirë. Këtu është krejt esenca”, ka deklaruar Rashiti.

Kryeziu: Pres vlerësim të ngecjes

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu ka thënë për “Zërin” se pret që raporti të prezantojë gjendjen reale dhe faktike të zhvillimeve në Kosovë, si një dokument kredibil ndërkombëtar, i bazuar në fakte dhe në të dhëna të sakta.

Kryeziu ka thënë se është i bindur që raporti do të ofrojë material të mjaftueshëm për të diskutuar se çfarë ka shkuar mirë e çfarë keq prej fundit të vitit 2016.

“Realisht, viti 2017 ka qenë vit zgjedhor, i karakterizuar me mungesë të një dinamike qeverisëse në drejtim të reformave që kërkohen në agjendën evropiane. Në përgjithësi pres një vlerësim të ngecjes së gjendjes në Kosovë dhe në disa raste regres në respektimin e standardeve të BE-së”, ka potencuar Kryeziu.

Ai ka thënë se raporti do të bëjë matje në dy aspekte: Sa është afër Kosova me BE-në në kapitujt respektivë dhe cili ka qenë progresi në vitin e kaluar në vendin tonë në secilin kapitull në veçanti.

Kryeziu është shprehur i bindur që në pjesën dërrmuese të kapitujve përgjigjja në dy këto pyetje do jetë jo e mirë.

Kritikat kryesore në raportin për Kosovën

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu ka thënë se kritika kryesore në raportin për Kosovën do të jetë mosfunksionimi normal i jetës institucionale dhe demokratike.

“Po ashtu do të ketë nota kritike në drejtim të sistemit të drejtësisë dhe të administratës publike si kulturë dhe vlerë qeverisëse. Do të kërkohet marrje e masave konkrete në fuqizimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor. Gjuhë kritike do të ketë edhe për lirinë e medieve, mungesën e rezultateve në luftë kundër krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe nivelin e dobët të zbatimit  të MSA-së”, është shprehur Kryeziu.

Sa i përket përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizimin e vizave e që është luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, ai ka thënë se janë bërë disa përpjekje, por Kosova do të duhet të presë edhe një vlerësim të fundit nga ana e Komisionit Evropian.

Demhasaj: Raporti do të evidentojë progres të vogël

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë se përgjithësisht ka një prirje që raporti të vlerësojë për çdo vit nga një shkallë të vogël të përmirësimit.

“Gjithmonë kanë qenë të tilla raportet, nuk thuhet se ka regres, por theksohet se progresi është i vogël. Pak a shumë pres që edhe këtë vit të kemi vlerësim të njëjtë. Kuvendi është konstituuar vonë dhe nuk ka arritur që shumë ligje t’i miratojë sipas planit. Kjo mund të reflektojë që raporti të jetë i njëjtë me atë të vitit të kaluar, ndoshta me pak progres”, ka deklaruar Demhasaj.

Ai po ashtu ka thënë se rëndësinë kryesore në këtë raport do ta zërë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e në përgjithësi sundimi i ligjit.

Sipas tij, në këtë pikë edhe nëse vlerësohet se ka pasur pak progres, sigurisht se do të ketë kërkesa specifike sa i përket kësaj çështjeje.