Kurti: Nuk ka liberalizim të vizave edhe pas ratifikimit të Demarkacionit
Foto: Driton Bublaku

Kurti: Nuk ka liberalizim të vizave edhe pas ratifikimit të Demarkacionit

Aktuale shkurt 21, 2018 - 12:25

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi po përkthehet si vendim për liberalizim të vizave, por sipas Kurtit për liberalizim të vizave ka procedura të gjata në Bashkimin Evropian, raporton "Zëri.info"

Kurti tha se liberalizimi i vizave nuk do të vije pas ratifikimit të demarkacionit, pasi tha se kusht për liberalizim është edhe luftimi i korrupsionit. 

"Liberalizimi vije nëse arrestohen nja 100 persona për vepra korruptive" ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se luftimi i korrupsionit nuk bëhet nga ky pushtet e i cili sipas tij është i korruptuar. 

Kurse shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka thënë se ndryshimi i qëndrimit të kryeministrit Haradinaj është zhgënjim për qytetarët.

 Ai ka thënë se aneks marrëveshja për demarkacionin është vetëm gënjeshtër. "Është mashtrimi për ta arsyetuar ndryshimin e qëndrimit", ka thënë Konjufca, raporton "Zëri.info".

 Madje sipas tij, aneks marrëveshja nuk paraqet asnjë obligim për Malin e Zi.

Konjufca tha se do të përdorin "të gjitha metodat për të pamundësuar ratifikimin, nga vota kundër deri te pamundësimi i kuorumit".

I pyetur se a do të përdoret gazilotsjellës për të kundërshtuar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, Konjufca ka thënë se sot në ora 15:00 mblidhet Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes dhe se aty vendoset për detajet tjera sa i përket kundërshtimit.

LEXO EDHE: Kusari–Lila: Haradinaj u tregua i pafuqishëm në zgjidhjen e çështjes së demarkacionit (Video)

Image