''Transformimi i FSK-së do të bëhet në afat optimal''

Aktuale January 25, 2018 - 10:34

Presidenti Hashim Thaçi vitin e kaluar pati deklaruar se do të japë dorëheqje nëse Kuvendi nuk e voton transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura. Por edhe pas një viti Kosova nuk e ka ushtrinë e vet, përderisa Thaçi vazhdon të qëndrojë në krye të institucionit më të lartë shtetëror. Transformimi i FSK-së mbetet peng i kundërshtimeve të deputetëve të Listës Serbe.

Këshilltari për medie i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka deklaruar për gazetën Zëri se transformimi i FSK-së në ushtri do të bëhet në afat optimal dhe në bashkëveprim me ndërkombëtarët.

“Transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës do të bëhet në afat optimal me aleatët ndërkombëtarë dhe në bashkëveprim me NATO-n”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa deputeti Haxhi Shala, i cili njëherësh është kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka deklaruar për gazetën Zërise Lista Serbe vazhdon të jetë një nga faktorët që pengon transformimin e FSK-së në ushtri.

LEXO EDHE: S’ka ushtri, s’ka as dorëheqje

“Kosova dhe FSK-ja kanë qenë të gatshme për transformim që nga 2014-a pas rishikimit të sektorit të sigurisë, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të problemeve politike dhe për shkak të presioneve që i kanë deputetët serbë nga Beogradi. Qeveria është duke u munduar për këtë gjë dhe besoj se do ta arrijë atë”, ka thënë Shala.

Gjithashtu, sipas Shalës, çdo vonesë që i bëhet këtij transformimi është në dëm të vendit.

“Kosova është e gatshme dhe kurrë më shumë se sot nuk i duhet transformimi i FSK-së. Çdo vonesë është në dëm të vendit. E vetmja pengesë është mosbindja e deputetëve serbë për t’i votuar ndryshimet kushtetuese, për të cilat duhet 2/3 e deputetëve dhe 2/3 e deputetëve nga radhët e komuniteteve. Të gjitha institucionet janë duke punuar që sa më shpejt t’i bindin deputetët serbë dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, përndryshe i mbetet Parlamentit që të vazhdojë me anë të ndryshimit të ligjit”, ka theksuar Shala.