S’ka ushtri, s’ka as dorëheqje

Aktuale January 25, 2018 - 07:50

Presidenti Hashim Thaçi vitin e kaluar pati deklaruar se do të japë dorëheqje nëse Kuvendi nuk e voton transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura. Por edhe pas një viti Kosova nuk e ka ushtrinë e vet, përderisa Thaçi vazhdon të qëndrojë në krye të institucionit më të lartë shtetëror. Transformimi i FSK-së mbetet peng i kundërshtimeve të deputetëve të Listës Serbe, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, një vit më parë kishte premtuar se nëse Kuvendi i Kosovës nuk e voton transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri do të japë dorëheqje nga pozita e të parit të shtetit.

Pavarësisht këtyre zotimeve të Thaçit, i cili njëherësh është edhe komandant suprem i FSK-së, edhe pas një viti ende nuk është bërë asnjë hap konkret drejt themelimit të ushtrisë së Kosovës, kryesisht për shkak të kundërshtimeve të deputetëve serbë.

Me gjithë premtimin Thaçi vazhdon të qëndrojë në pozitën e presidentit të shtetit, shkruan tutje "Zëri".

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura e kërkojnë të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese e jo nëpërmjet ligjit.

Por për të ndodhur një gjë e tillë nevojitet edhe votimi i deputetëve serbë, të cilët kundërshtojnë që Kosova ta ketë ushtrinë e vet.

Matoshi: Transformimi i FSK-së do të bëhet në afat optimal

Këshilltari për medie i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se transformimi i FSK-së në ushtri do të bëhet në afat optimal dhe në bashkëveprim me ndërkombëtarët.

“Transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës do të bëhet në afat optimal me aleatët ndërkombëtarë dhe në bashkëveprim me NATO-n”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa deputeti Haxhi Shala, i cili njëherësh është kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Lista Serbe vazhdon të jetë një nga faktorët që pengon transformimin e FSK-së në ushtri.

“Kosova dhe FSK-ja kanë qenë të gatshme për transformim që nga 2014-a pas rishikimit të sektorit të sigurisë, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të problemeve politike dhe për shkak të presioneve që i kanë deputetët serbë nga Beogradi. Qeveria është duke u munduar për këtë gjë dhe besoj se do ta arrijë atë”, ka thënë Shala.

Gjithashtu, sipas Shalës, çdo vonesë që i bëhet këtij transformimi është në dëm të vendit.

“Kosova është e gatshme dhe kurrë më shumë se sot nuk i duhet transformimi i FSK-së. Çdo vonesë është në dëm të vendit. E vetmja pengesë është mosbindja e deputetëve serbë për t’i votuar ndryshimet kushtetuese, për të cilat duhet 2/3 e deputetëve dhe 2/3 e deputetëve nga radhët e komuniteteve. Të gjitha institucionet janë duke punuar që sa më shpejt t’i bindin deputetët serbë dhe të votohen ndryshimet kushtetuese, përndryshe i mbetet Parlamentit që të vazhdojë me anë të ndryshimit të ligjit”, ka theksuar Shala.

Hodges: Vendimin për transformim ta mbështesë Parlamenti

Komandanti i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, Ben Hodges, ka thënë më herët gjatë vizitës së tij në Kosovë se Parlamenti duhet ta mbështesë vendimin që Kosova ka marrë për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Çfarë unë kam parë nga ushtarët e FSK-së është mbresëlënëse. Mendoj që tashmë keni bërë disa aktivitete shpëtuese në Shqipëri, andaj tashmë ju keni marrë një vendim për transformimin, ta mbështesë edhe Parlamenti. Kur të jetë koha, gjeneral Rama tashmë e ka bërë punën e tij dhe kur të merret vendimi politik FSK-ja do të jetë gati. Dua të inkurajoj që ju në Kosovë të shfrytëzoni secilën mundësi që t’i shkolloni udhëheqësit e së ardhmes sikur këta kadetë këtu”, ka thënë ai

Skovbo: Transformimi i FSK-së është i mundur

John Skovbo, drejtori i përgjithshëm i Akademisë Ushtarake Daneze, para disa ditësh në një intervistë për “Zërin” ka thënë se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri edhe pse është proces i gjatë nuk është i pamundur nëse fillohet tani.

Përmes ligjit apo përmes ndryshimeve kushtetuese janë dy mënyrat që Skovbo konsideron se mund të çojnë deri te ky transformim.

“Nëse jemi duke folur për transformimin, unë jam më shumë për ecjen përpara, nëse po themi se transformimi ka qenë një plan i internimit, nga këndvështrimi i Qeverisë do t’i duhet 10 vjet. Sipas këndvështrimit tim, ata mund të fillojnë tranzicionin sot sepse një nga hapat më të rëndësishëm do të jetë trajnimi i FSK-së”, ka thënë ai.

Qehaja: Ushtria e Kosovës, faktor stabiliteti në rajon

Në anën tjetër Ramadan Qehaja, ekspert i sigurisë, ka thënë se krijimi i ushtrisë është kusht për anëtarësim në NATO.

“Ne duhet t’i kemi forcat tona të armatosura sikurse gjithë shtetet në rajon. Nëse duam të jemi anëtarë të NATO-s ne duhet patjetër t’i kemi Forcat e Armatosura të Kosovës. Momenti politiko-strategjik e kërkon që ne ta kemi FSK-në. Ajo nuk do të jetë vetëm për mbrojtjen e territorit të Kosovës, por do të jenë edhe një faktor stabiliteti në rajon, pavarësisht asaj se Beogradi zyrtar trumbeton se FSK-ja do të jenë destabilizuese në rajon, kjo nuk është e vërtetë”, ka thënë Qehaja.

Edhe ai pranon se Lista Serbe është pengesa kryesore drejt këtij procesi.

“Duhet të ndërmerren hapat konkretë me Listën Serbe që është pengesa kryesore për mosvotimin e këtij ndryshimi kushtetues”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, për shkaqe politike dhe për shkak të presionit të vazhdueshëm të Beogradit zyrtar kjo çështje është sensibilizuar negativisht në qarqet ndërkombëtare.

Ndërsa eksperti i sigurisë Avni Islami ka thënë për “Zërin” se presidenti Thaçi nuk mbajti fjalën e tij se do të jepte dorëheqje nëse nuk kalon kjo çështje në Kuvend, ndonëse ndërkombëtarët nuk janë të gatshëm për këtë transformim.

“Para një viti presidenti Thaçi ka thënë se nëse nuk bëhet transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura do të japë dorëheqje. Mirëpo presidenti si duket i hëngri fjalët e veta”, ka thënë ai.