Infektuar: 73048
Shëruar: 61986
Vdekur: 1649

"Kosova është Serbi”, Marku: Nxirreni jashtë Shqipërisë këtë prift!

Aktuale January 07, 2018 - 20:49

Prifti i kishës ortodokse “Shën Mëria” në Elbasan, At Nikolla Marku ka reaguar pas deklaratave të priftit malazez Radomir Nikçevic se ‘Kosova është Serbi”.

Përmes një prononcimi në Report Tv At Nikolla Marku e ka dënuar deklaratën, ndërsa ka kërkuar nxjerrjen e tij nga Shqipëria dhe ndërhyrjen e shtetit, pasi po cenohet paqja në Ballkan.  

“Është bërë e udhës që për organizimin e Pashkës të vijnë klerikë, që nuk i largojnë simptomat e vjetra duke thënë ‘Kosova është Serbi’, po ashtu edhe grekët në Jug. Gjuha e priftit malazez nuk është gjuhë dashurie dhe respekti, por shantazhi.

Ai duhet marrë dhe duhet nxjerrë jashtë, shteti duhet të nxjerrë mësime nga këto lloj pësimesh. Klerikët janë të mirëpritur, por jo të tregohen zotë të vendit, kjo është ndërhyrje jo e mirë që nuk sjell zhvillim, kjo sjell gjëra jo të mira.

Këta vijnë si të xhindosur, qëllimi i tyre është që të mbështesin politikën për copëtimin e Shqipërisë. Nuk shkon kjo, cfarë do të bëjmë të fitojmë respektin e njëri tjetrit apo të fillojmë luftën në Ballkan? Kjo nuk shkon” deklaroi ai.

Përsa i përket mungesës së një reagimi nga Kisha Ortodokse e drejtuar nga Janullatos, At Nikolla Marku u shpreh se ajo është vetë në konflikt. 

 “Po vuajmë shantazhin nga ortodoksët fqinj” përfundoi ai. 

Gjatë meshës sot në Shkodër, Nikçeviç i pyetur për Kosovën ritheksoj qëndrimin e shtetit serb se "Kosova është Serbi” duke ngjallur reagimin e ashpër të shqiptarëve.