Dështimi i katërt i konstituimit të Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Dështimi i katërt i konstituimit të Kuvendit

Aktuale gusht 11, 2017 - 08:15

Ka dështuar për të katërtën herë me radhë seanca konstituive, në të cilën ishte paraparë të zgjidhej kryetari i Kuvendit. Kjo pasi që në Kuvend nuk qe i pranishëm koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma (PAN), të cilit edhe i takon propozimi i kryeparlamentarit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, e ndërpreu atë, me ç’rast tha se do ta japë me kohë njoftimin se kur do të jetë vazhdimi i pestë i seancës konstituive.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe ata të koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA), të cilët qenë të pranishëm në seancë, konsideruan se PAN-i nuk i ka numrat e nevojshëm për ta zgjedhur Kadri Veselin kryetar të Kuvendit. Megjithatë ata i bënë thirrje këtij koalicioni që të vijnë në seancë dhe ta propozojnë kandidatin e tyre, ndonëse theksuan se nuk do ta votojnë assesi Kadri Veselin.

Ndërkaq përpos PAN-it ata që e bojkotuan seancën qenë edhe minoritetet. I vetmi që mori pjesë në seancë nga ky koalicion ishte Milaim Zeka.  

Konjufca: E ftojmë PAN-in ta ndërpresë bojkotin

Ndërkohë, pak minuta pasi filloi seanca kryesuesi i saj, Adem Mikullovci, e ndërpreu atë dhe kërkoi pauzë 10-minutëshe, meqë, siç tha ai, nuk pati kuorum në sallë.

Kurse pas rinisjes së seancës deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, tha se mund të jenë tri arsye që kanë çuar deri te bojkoti i koalicionit PDK-AAK-Nisma, shkruan gazeta Zeri.

“A thua ku është problemi i PAN-it që nuk po vjen? Nuk po u pëlqen rezultati i zgjedhjeve, nuk i kanë numrat për ta zgjedhur Veselin për kryetar apo nuk po duan assesi që PAN-i të jetë në opozitë? Apo janë këto të tria së bashku? Qëndrimi i parë me të cilin na kanë lodhur janë se janë fitues të zgjedhjeve, qëndrimi i dytë janë votat, nëse i kanë atëherë pse nuk e kemi PAN-in në Kuvend?”, theksoi ai gjatë seancës.  

Konjufca më tutje i bëri ftesë publike PAN-it që të vijë në seancë dhe ta paraqesë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“E ftojmë PAN-in që ta ndërpresë bojkotin e seancës konstituive dhe ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit”, shtoi ai.

Ndërkohë ripërsërit se lideri i PDK-së, Kadri Veseli, nuk është figurë e pranueshme për kryeparlamentar.

Hoti: Ne jemi konsistentë, e qartë kush po e bllokon Kuvendin

Ndërkaq i nominuari për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti, konsideroi se është pikërisht PAN-i ai i cili po e bllokon Kuvendin.

“Është e qartë se kush po e bën bllokimin e institucioneve të vendit, ne do të jemi konsistentë në qëndrimin tonë që të marrim pjesë gjithmonë në seancë, derisa ato thirren në mënyrë të rregullt”, tha ai.

Ndërkohë i bëri thirrje PAN-it që të kthehet në seancë në mënyrë që të ecet përpara.

“Ftoj deputetët e koalicionit PAN që të jenë të arsyeshëm, të jenë prezentë në sallë, ta japin prezantimin e tyre, të lëvizin përpara”, shtoi ai.

Ndërkohë konsideroi se tashmë është humbur shumë kohë në bërjen e institucioneve, shkruan gazeta Zeri.

“Kemi humbur shumë kohë. Është dashur që edhe Kuvendi, edhe Qeveria të jenë të formuara tashmë”, potencoi Hoti.

Zeka: Nëse s’bëhen numrat për kryeparlamentar, shkohet në zgjedhje

Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, pavarësisht bojkotit të PAN-it, u zotua se koalicioni i ka numrat për ta formuar Qeverinë. “Luftërat për bllokada nuk u shërbejnë qytetarëve të Kosovës. Ne i kemi numrat për ta krijuar Qeverinë”, u shpreh ai para se të niste seanca. Pavarësisht kësaj ai tha se po që se nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit, atëherë vendi shkon në zgjedhje të sërishme. “Nëse nuk bëhen numrat për kryetar të Parlamentit dhe për Kryesi, atëherë shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, potencoi Zeka. 

Ndërkohë bëri të ditur se ai personalisht ka shpresuar që dje do të zhbllokohej situata. Ndërkohë konsideroi se “Vetëvendosja” po e bllokon Kuvendin me qëllim.

“Unë personalisht kam pritur që sot do të zhbllokohet situata në Parlamentin e Kosovës. Për fat të keq edhe sot do të ketë një ripërsëritje të seancës së kaluar. Jo që mendoj, por tanimë jam i bindur që lëvizja “Vetëvendosje” qëllimisht është duke e bllokuar Parlamentin e Kosovës. Këtë e bazoj në faktin që ata nuk kanë shkuar në mbledhjen konsultative, e cila ka qenë e thirrur nga Adem Mikullovci”, deklaroi ai. Më tutje tha se thirrja e “Vetëvendosjes” që PAN-i ta ndërrojë kandidatin për kryeparlamentar është thirrje për të mos e përfillur Kushtetutën. “Lëvizja ‘Vetëvendosje’ po e ka të vështirë ta kuptojë se thirrja e tyre drejtuar PAN-it është një thirrje për ta shkelur Kushtetutën, për ta shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Zeka.

Në mungesë të PAN-it ndërpritet seanca

Pas kësaj kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, ndërpreu seancën, meqë PAN-i nuk qe i pranishëm sado që tashmë në sallë kishte kuorum.

“Kuorum kemi në këtë moment, 61 deputetë janë në sallë, por mungon PAN-i”, tha ai dhe e ndërpreu seancën, shkruan gazeta Zeri.

Me këtë rast Mikullovci tha se me kohë do ta japë njoftimin rreth seancës së ardhshme.

Ndërkohë, pas seancës deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Donika Kadaj-Bujupi, tha se dje u mbajt seanca e katërt, që tregoi se PAN-i është humbës dhe nuk i ka numrat.

Ajo me këtë rast bëri të ditur se seanca do të vazhdojë të thirret në mënyrë që të tejkalohet kriza.

“Ne do të vazhdojmë ta thërrasim seancën sipas obligimeve tona kushtetuese, do të vazhdojmë ta thërrasim PAN-in në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza”, shtoi ajo.

Gashi: T’i zgjedhim nënkryetarët derisa të vijë PDK-ja

Kurse deputeti i LDK-së, Arben Gashi, konsideroi se institucionet duhet të konstituohen sa më parë.

“Qëndrimi zyrtar i LDK-së është që institucionet duhet të konstituohen në afat sa më të shpejtë të mundshëm. Koha e cila po humbet, po humbet paarsyeshëm dhe sjellja e PDK-së dhe e aleatëve të saj është një sjellje e cila ka futur vendin në një situatë krize”, tha ai.

Ndërkohë bëri të ditur se LDK-ja është duke shikuar mundësinë se si të zgjidhen nënkryetarët edhe nëse nuk zgjidhet kryetari i Kuvendit.

“Ne po shqyrtojmë edhe mundësinë që të procedojmë në Kuvend edhe pa pjesëmarrjen e PAN-it. Ne duhet ta shohim mundësinë që t’i zgjedhim nënkryetarët e Kuvendit derisa PDK-ja të jetë e gatshme të vijë në Kuvend. Kjo çështje do t’i propozohet Kuvendit. Duhet ta thyejmë bllokadën”, potencoi Gashi./Zeri/.