Java e Ramushit
Foto: Laura Hasani

Java e Ramushit

Aktuale korrik 15, 2017 - 08:00

Java e ardhshme do të dëshmojë nëse Ramush Haradinaj ka arritur t’i sigurojë 61 vota për ta formuar Qeverinë. Formimin e shpejtë të institucioneve po e kërkojnë edhe shtetet e QUINT-it, derisa drejtues të “Vetëvendosjes” dhe të koalicionit LAA këmbëngulin se nuk e votojnë mandatarin e koalicionit PAN për kryeministër, shkruan sot gazeta Zeri.

Ramush Haradinaj i ka siguruar votat e nevojshme në Kuvend dhe javën e ardhshme përfundimisht do të mbahet seanca konstituive. Kështu thonë drejtues të koalicionit PAN, pa e bërë të ditur se cilët janë deputetët tjerë që do ta votojnë mandatarin e tyre për kryeministër.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 qershorit koalicioni PAN ka arritur t’i fitojë 39 ulëse në Kuvend dhe po që se i marrin 20 votat e minoriteteve, këtij koalicioni do t’i duhen së paku edhe 2 vota tjera për ta formuar Qeverinë.

Spekulohet se në favor të koalicionit PAN do të votojnë, deputetja e LDK-së Teuta Rugova, vajza e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, si dhe deputeti tjetër i kësaj partie, Naser Rugova.

Për t’i bindur këta deputetë thuhet se qe një kohë të gjatë është angazhuar ish-ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, i cili njëherësh është ndërmjetës i koalicionit PAN.

Gashi ka konfirmuar ditë më parë se ka qenë i pranishëm në takimin e presidentit Hashim Thaçi me Ramush Haradinajn. Ai nuk ka bërë të ditur se çka është folur në takim, por ka thënë se aty ka qenë si mik i Thaçit dhe Haradinajt.

Por nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, mohon që ndonjë deputet i tyre do të votojë në favor të koalicionit PAN.

QUINT-i: Të formohen shpejt institucionet!

Për formimin e shpejtë të institucioneve të Kosovës janë deklaruar dje edhe shtetet e QUINT-it.

Në deklaratën e përbashkët për medie të këtyre shteteve thuhet se qytetarët e Kosovës janë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre. “Vetëm këta përfaqësues janë përgjegjës për krijimin e një Qeverie të re në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne do të punojmë me çdo Qeveri të formuar ligjërisht dhe që respekton përkushtimet e Kosovës, Agjendën Evropiane për Reformën dhe perspektivën më të gjerë evropiane të Kosovës”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Shtetet e QUINT-it nxisim partitë që e formojnë Qeverinë e ardhshme, e cila, sipas tyre, do ta kenë si prioritet sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha pjesët e Kosovës, në mënyrë që t’i tërhiqen investimet aq shumë të nevojshme për krijimin e vendeve të punës dhe për rritje të qëndrueshme ekonomike.

“Ne po ashtu nxisim Qeverinë dhe Kuvendin që ta procedojnë, sa më shpejtë që është e mundshme, ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi dhe që të angazhohen seriozisht në dialogun me Serbinë për t’i normalizuar marrëdhëniet në mes dy shteteve”, përfundon komunikata.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, gjatë një interviste për radion “Evropa e Lirë” ka deklaruar se Kosova është në pikën e kthesës dhe pret që Qeveria të formohet së shpejti. Sipas tij, Qeveria duhet të formohet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Krasniqi: Të gjithë deputetët e PAN-it e votojnë Ramushin

Deputeti i koalicionit PAN, Memli Krasniqi, ka deklaruar për “Zërin” se të gjithë deputetët e këtij koalicioni do ta votojnë Ramush Haradinajn për kryeministër.

“Të gjithë deputetët e koalicionit tonë janë fuqishëm në mbështetje të mandatarit tonë dhe të platformës qeverisëse që do ta zbatojë Qeveria jonë në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Krasniqi për “Zërin”.

Ndërkaq, partitë tjera politike janë shprehur të bindur se nuk do të ketë asnjë deputet të tyre që do ta përkrahë kandidatin e PAN-it për kryeministër.

Shkodran Hoti nga lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë të ditur se në LVV nuk ka mungesë uniteti për çështjen e votimit të Haradinajt për kryeministër. Ai përsëriti se nuk do të votojnë për atë që i është bashkuar, siç tha ai, klanit “Pronto”.

“Asnjëherë nuk ka pasur mungesë uniteti në mesin tonë, në çështje të këtilla. Gjithsesi që askush nga ne nuk e voton Haradinajn. Ne në vazhdimësi bëjmë thirrje që të kemi ndërrim të mendësisë së qeverisjes, gjë që bëhet duke e larguar nga pushteti klanin “Pronto”, të cilit Haradinaj iu hodh në krahë”, ka thënë Hoti.

Haziri: Akush në LDK nuk e voton Haradinajn

Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka mohuar për “Zërin” se ndonjë deputet i LDK-së do ta votojë Haradinajn për kryeministër. “Nuk ka mundësi të ndodhë ajo që dikush prej 29 deputetëve të koalicionit të LDK-së të dalë nga Grupi Parlamentar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Edhe nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu, i ka hedhur poshtë të gjithë zërat se deputet nga AKR-ja do të votojnë pro Ramush Haradinajt për kryeministër.

Ai deklaroi për “Zërin” se askush nga ky subjekt politik nuk do të devijojë nga qëndrimet e partisë, të cilat janë kundër PAN-it. “Nuk kam informata zyrtare nëse seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet javën që vjen. Mirëpo, mirëpres mbajtjen sa më të hershme të seancës, me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve. Askush brenda koalicionit apo AKR-së nuk do të devijojë nga qëndrimi ynë fillestar, pra që nuk mbështesim dhe nuk bashkëpunojmë me koalicionin PAN. Shpresoj se kjo u ndihmon për t’i sqaruar thashethemet në opinion publik”, ka thënë Sejdiu. 

Tahiri: Haradinaj nuk i ka votat

Politologu Ramush Tahirit mendon se seanca konstituive e Kuvendit nuk mund të mbahet javën tjetër. Ai po ashtu shprehet se PAN-i nuk i ka votat për ta bërë Qeverinë.
“Javën e ardhshme nuk ka seancë konstitutive të Kuvendit. Mund të mbahet një javë pas. Kryesia duhet të mbajë mbledhje pesë ditë para seancës. Nuk e besoj që ka arsye për mospërfillje të procedurave. Deputetët e LVV-së e të LAA-së s’do ta votojnë Ramush Haradinajn për kryeministër. PAN-i, pa koalicion me tjerë, nuk i ka votat për ta votuar Qeverinë. I paarsyeshëm deklarimi që i paskan votat. Kjo s’është punë e fshehur e as e turpshme mos të tregohet, e as befasi e seancës”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq Artan Murati, njohës i çështjeve politike, ka thënë e vetmja mënyrë për Haradinajn t’i sigurojë votat është t’i bindë deputetët individualisht, pasi që partitë po kundërshtojnë një bashkëpunim me PAN-in.