Hoxhaj në Trieste: Shoqëria civile mund ta ndihmojë zgjidhjen e problemeve historike të Ballkanit

Hoxhaj në Trieste: Shoqëria civile mund ta ndihmojë zgjidhjen e problemeve historike të Ballkanit

Aktuale korrik 12, 2017 - 15:05

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë sot në Forumin e Shoqërisë Civile, që u mbajt në margjina të Samitit të Triestes me vendet e Ballkanit.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Hoxhaj i ka bërë thirrje shoqërisë civile në Kosovë dhe në rajon që të ndihmojnë në çështjet e pazgjidhura bilaterale në Ballkan.

“Shoqëria civile në Serbi duhet të dalë haptas në favor të njohjes së ndërsjellë me Kosovën, gjë e cila u konvenon të dy shteteve. Shoqëritë civile në Maqedoni dhe Greqi, duhet të jenë më aktive në zgjidhjen e çështjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë. Po ashtu, shoqëria civile në Bosnje mund të bëjë më shumë për zgjidhjen e problemeve me Serbinë”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar ka theksuar se pa u zgjidhur këto probleme, Ballkani nuk do të mund të ecë drejt euro-integrimit me shpejtësinë e duhur.

Hoxhaj ka shtuar se roli i shoqërisë civile është i madh dhe i rëndësishëm, dhe me mbështetjen e tyre në proceset e rëndësishme në Ballkan mund të zgjidhen shumë çështje të hapura mes shteteve.