Infektuar: 106914
Shëruar: 99628
Vdekur: 2225
 Kosovës i duhet Qeveri minore dhe opozitë e fortë
Foto: Laura Hasani

Kosovës i duhet Qeveri minore dhe opozitë e fortë

Aktuale July 07, 2017 - 08:08

Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, gjatë një interviste për “Zërin” thotë se koalicionet e mëdha parlamentare kanë dështuar në të kaluarën në Kosovë. Prandaj, sipas tij, Qeveria e re duhet të jetë minore, ndërsa opozita të jetë e fuqishme

Qeveria e re e Kosovës duhet të jetë minore, përderisa opozita e fuqishme, pasi që koalicionet e mëdha parlamentare, që kanë qenë në të kaluarën, kanë dështuar. Kështu ka thënë gjatë një interviste për gazetën Zëri Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, duke shtuar se në një situatë të tillë do të kërkohet bashkërendim më i mirë mes pozitës dhe opozitës.

Rashiti sqaron se pas certifikimit të rezultateve duhet të konstituohet Kuvendi dhe të votohet kryeparlamentari. Pas kësaj Ramush Haradinaj, si kandidat i koalicionit PAN për kryeministër, i ka 15 ditë afat për ta formuar Qeverinë dhe nëse dështon në këtë iniciativë, atëherë presidenti Thaçi duhet t’ia japë mandatin lëvizjes “Vetëvendosje” dhe LDK-së në mënyrë që të shmanget shkuarja e vendit në zgjedhje.

Zëri: Zgjedhjet e 11 qershorit sollën rezultate, ku asnjë koalicion apo parti s’mund ta formojë shumicën parlamentare. Si të gjendet zgjidhja në këtë situatë?

Rashiti: Zgjedhjet e 11 qershorit nuk kanë sjellë rezultatet e pritura për PDK-në dhe LDK-në, kanë shpërndarë votën dhe një votë e madhe e rinisë ka shkuar për LVV-në. Ishte një shkëputje e votës tradicionale, e cila shkoi tek LVV-ja, sidomos në qendrat urbane. Mbetet të shihet se a po ngjizet kjo votë për LVV-në apo jo. Vështirë të thuhet dhe parashoh kthim deri diku të LDK-së e të PDK-së. Këto dy parti janë vënë në presion të madh për reforma dhe e kanë kuptuar mesazhin. Më e rëndësishmja është se vota e qytetarit të Kosovës po ndryshon, ashtu siç po ndodh rritja e saj. Këto vota janë për ndryshim të politikave, qoftë vendore apo ndërkombëtare. Votuesi kosovar ka vendosur të kërkojë ndryshime të akterëve e politikave. Kjo rrit presionin mbi të gjitha subjektet, sidomos tek ato tradicionale, PDK-ja e LDK-ja. Koalicionet parazgjedhore, të imponuara nga opinioni dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ishin marrë në nguti të organizmit të zgjedhjeve. Asnjë koalicion nuk kishte negociata thelbësore programore apo përpilim të qëndrimeve. Fushata tregoi se këto koalicione nuk kishin pasur kohë të piqen. Megjithatë, duket se këto koalicione do të mbesin të tilla tani dhe me këto koalicione ende po krijohen blloqe politike.

Zëri: Koalicioni PAN po deklaron se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë. A mendoni se i kanë bindur deputetët e partive tjera për t’i votuar?

Rashiti: Më e rëndësishme është konstituimi i Kuvendit. Ndryshe nga viti 2014, Kuvendi duhet të konstituohet sa më parë dhe besoj se të gjitha subjektet do ta përkrahin konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit dhe të organeve. Së dyti, të fillojë procedura e drejtë për formimin e Qeverisë. Ramush Haradinaj i PAN-it, i cili duket se tani ka 59 vota, do t’i ketë 15 ditë kohë për formimin e Qeverisë. Ata janë të bindur se kanë përkrahjen edhe të disa deputetëve për votimin e Qeverisë. Kjo do të shihet për disa ditë. Duket se ka lëvizje në këtë drejtim.

Nëse Haradinaj dështon, do të hapë rrugë

Zëri: A do të jetë proces i vështirë formimi i Qeverisë pasi partitë politike janë ndarë në dy blloqe?

Rashiti: Varet nga aftësia e z. Haradinaj për t’i siguruar votat në raundin e parë dhe fakti se a do të pranojë LDK-ja koalicion me LVV-në. Kjo është formula. Nëse z. Haradinaj dështon t’i marrë votat, besoj se ai do të tërhiqet të lirojë rrugë për dikë tjetër që i ka votat.

Zëri: Cila janë opsionet e formimit të Qeverisë?

Rashiti: Sipas logjikës së opinionit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, kryetari i Kuvendit zgjidhet nga PAN-i. Unë jam dakord me këtë formulë, sepse ka të bëjë edhe me formulën e përfaqësimit të të gjitha grupeve në Kuvend. Pastaj kandidati Haradinaj i bllokut PAN, që ka marrë më së shumti vota, ka të drejtën e plotë për 15 ditë ta formoj Qeverinë. Nëse ai arrin t’i sigurojë numrat në Kuvend, kjo Qeveri bëhet legjitime. Nëse jo presidenti duhet ta kërkojë një shumicë të re nga subjekte të tjera, në këtë rast LVV-ja apo LDK-ja apo këto të dyja nëse hyjnë në koalicion. Presidenti duhet të provojë ta gjejë një shumicë që siguron formimin e Qeverisë duke u ikur zgjedhjeve të reja.

Zëri: A mendoni që do të arrijë Ramush Haradinaj ta formojë Qeverinë brenda afatit ligjor?

Rashiti: Z. Haradinaj do t’ i ketë 15 ditë për formimin e Qeverisë. Ata besojnë fuqishëm se Qeveria e tyre do të votohet nga më shumë se 61 deputetë. Nëse po, atëherë z. Haradinaj do të jetë kryeministër. Qeveria e tij do të jetë minore me një opozitë të fuqishme. Besoj se është mirë kështu. Koalicionet e mëdha nuk funksionuan. Kjo situatë e re do ta kërkojë një bashkërendim më të mirë mes Qeverisë e opozitës. Nëse nuk arrin z. Haradinaj ta formojë Qeverinë, radha i lëshohet LVV-së dhe LDK-së.

Komunikim të përhershëm me serbët

Zëri: A do të jetë edhe këtë herë Lista Serbe faktor i rëndësishëm në Kuvend?

Rashiti: Serbët janë të rëndësishëm për shkak të votës së tyre, ndryshimet e rëndësishme varen nga vota e tyre. Qeveria dhe të gjitha partitë shqiptare duhet t’i bëjnë serbët pjesë të planifikimeve të politikave në Kosovë. Serbët në këto kohë kontrollohen nga Beogradi, por Prishtina ka më shumë instrumente ta sigurojë votën e serbëve. Komunikimi i përhershëm, qëndrimet e qarta të Qeverisë dhe të Parlamentit në raport me Beogradin rrisin bashkëpunimin me serbët. Ata do të jenë faktor i rëndësishëm në Qeverinë e Haradinajt, nëse ai arrin ta formojë atë, por edhe në atë të LVV-së, sepse ata do të kenë kërkesa përafërsisht të ngjashme. Çështja është se a do Beogradi t’i përdorë serbët për integrimin e tyre apo pengimin e funksionimit të institucioneve. Kjo është lehtë e identifikueshme dhe Qeveria pa zhurmë të madhe mund ta parandaloj këtë.

Zëri: Nëse Haradinaj formon Qeverinë me 61 deputetë, a do të jetë një Qeveri stabile?

Rashiti: Do të jetë Qeveri jo shumë stabile nga numrat, por stabiliteti i Qeverisë varet nga performanca, jo edhe aq nga numrat. Nëse ata arrijnë të performojnë mirë, do ta kenë edhe përkrahjen e opozitës, disa nga ta për disa politika e qëndrime. Nëse jo, do ta kenë vështirë. Një Qeveri e madhe, siç ishte, nuk arriti t’i bindë qytetarët dhe opozitën me politikat e tyre. Ata kanë mundur të bëjnë shumë më shumë. Në Kosovë nuk kemi nevojë për qeveri të mëdha. Ishte gabim... duhet Qeveri me një opozitë të fortë dhe për shumë politika duhet të ketë koordinim të rregullt.

Zëri: A bën shkelje kushtetuese presidenti Thaçi nëse herën e dytë nuk ia jep mundësinë lëvizjes “Vetëvendosje” për formimin Qeverisë?

Rashiti: Nëse dështon PAN-i, presidenti duhet ta nominojë dikë nga LVV-ja apo nga LDK-ja, duke u siguruar se ata kanë ofruar një shumicë parlamentare. Kjo varet edhe nga marrëdhëniet LVV dhe LDK. Varet se a do t’i ofrojë LDK-ja votat së bashku me LVV-në. LVV-ja dhe LDK-ja duhet ta kenë një përgjigje për presidentin. E rëndësishme është se presidenti nuk ka arsye ta mandatojë dikë tjetër nga PAN-i nëse kandidati i tyre dështon në formimin e Qeverisë.

Mogherini dëshiron ta vazhdojë dialogun me presidentët

Zëri: Si e shihni fazën e re të zhvillimit të dialogut me Serbinë dhe si e shihni kalimin e dialogut në nivel presidentesh? A mund të jetë kjo faza e fundit e zhvillimit të dialogut?

Rashiti: Zonja Mohgerini dëshiron që dialogun ta vazhdojë me presidentët Thaçi e Vuqiç. Këta dy të fundit preferojnë këtë. Në Serbi është lehtë sepse Vuqiç kontrollon gjithçka. Kjo situatë ka ndikuar edhe në vendimin e z. Mohgerini. Për faktin se z. Thaçi u bë president, ky ekuacion i pëlqeu BE-së dhe shefes së saj për Politikë të Jashtme. Megjithatë në Kosovë z. Thaçi nuk ka të njëjtin rol sikur në Serbi. Kjo është shumë mirë për vendin dhe z. Thaçin. Megjithatë tek ne demokracia funksionon më mirë se në Serbi. Prandaj. z. Thaçi do ta ketë të vështirë të bëjë dialog me Serbinë pa një koordinim të plotë me Qeverinë dhe me Parlamentin. Më e mira kishte me qenë që dialogu të zhvillohet me nga dy përfaqësues, presidenti dhe kryeministri, por tani në Serbi nuk ka vlerë. Ndoshta duhet ta kemi një zëvendëskryeministër të fuqishëm për dialog dhe të kemi Vuqiç-Daqiç në një anë dhe Thaçi dhe zëvendëskryeministri i Kosovës në anën tjetër. Nëse jo, atëherë presidenti Thaçi duhet ta gjejë një konsensus me të gjitha partitë parlamentare dhe Qeverinë për të udhëhequr me dialogun. Pas formimit të Qeverisë subjektet do të ulen shpejt dhe besoj se do ta krijojnë një udhërrëfyes për dialogun. Ne do të ndihmojmë në këtë.

Zëri: A do të ndikojë Gjykata Speciale në përshpejtimin e institucioneve në vend?

Rashiti: Gjykata Speciale nuk ka ndikim në çështjet e formimit të institucioneve. Nuk do të ketë veprime të Gjykatës në dy-tre muajt e ardhshëm. Me rastin e arrestimeve mund të ketë ndikim në performancën e institucioneve apo në situatën politike, por jo aq sa pretendohet shpesh në publik. Të gjithë janë të vetëdijshëm se disa ish-luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së mund edhe të kërkohen nga Dhomat e Specializuara. Ata nuk kërkojnë zgjidhje tjetër veç përgjigjes para saj. Kosova ka dhënë shumë shembuj të përgjigjes pavarësisht epilogut. Z. Haradinaj ka lëshuar postin e kryeministrit për të shkuar në Hagë. Askush nuk mund të bëjë ndryshe. Tashmë është precedent i vendosur. Dhomat e Specializuara do të merren me një numër shumë të kufizuar të rasteve. E keqja më e madhe nga Gjykata vjen jo nga raste apo se kush paditet, por nga jetëgjatësia e saj. Ata mund të kërkojnë vazhdimin e mandatit disa herë. Kosova duhet të sigurohet se këto gjykime në një moment të caktuar kthehen në Kosovë, sepse operimi i saj jashtë Kosovës do të përdoret kundër vendit.