Femrat që komandojnë në FSK
Foto: Laura Hasani

Femrat që komandojnë në FSK

Aktuale mars 23, 2017 - 08:15

Nga 206 pjesëtare femra, të cilat mbajnë të veshura uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, disa prej tyre janë kolonele, nënkolonele, majore, kapitene, etj

Dyqind e gjashtë femra kosovare mbajnë të veshur uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prej tyre ka me grada kolonele, nënkolonele, majore, kapitene, etj.

Me shkollim të kryer edhe në akademitë ushtarake të botës ato po shërbejnë në kuadër të FSK-së duke u përballur me sfidat për t`iu përshtatur situatave të veçanta që kërkon misioni ushtarak.

Nënkolonele Arife Halili, oficere e FSK-së me detyrë në Departamentin e Personelit në Komandën e Forcave Tokësore, thotë për “Zërin” se motivi i saj për të qenë pjesë e uniformës ka filluar para 19 vjetësh, me angazhimin e saj në spitalin ushtarak në Likofc, në shërimin e plagëve të ushtarëve të UÇK-së.

LEXO EDHE: Ushtria, Asociacioni dhe Demarkacioni votohen në pako

Pas përfundimit të luftës, Halili thotë se ka shërbyer në Batalionin e 40-të të Mjekësisë në TMK, dhe me transformimin e këtyre trupave ajo sistemohet në FSK në Komandën e Forcave Tokësore në departamentin e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak, ku në vitin 2016 është promovuar në gradën e Nënkolonelit.

“Emancipimi i femrave lidhet ngushtë me rritjen e pjesëmarrjes së femrave sidomos në fushën e sektorit të sigurisë. Femrat vazhdojnë të jenë në numër të vogël të përfaqësimit në FSK, duke i krahasuar me numrin e tyre në shoqëri. Edhe pse numri i përfaqësimit të femrave në FSK nuk është i kënaqshëm, është shumë e rëndësishme që FSK-ja ofron mundësi të barabarta si për meshkuj dhe femra, jo vetëm në sektorin mbështetës por edhe në atë operacional dhe vendimmarrës”, thotë ajo për “Zërin”.

Halili thotë se argumenti më i rëndësishëm për rritjen e interesimit të femrave për shërbim në FSK është bërë përmes promovimit të barazisë gjinore dhe mundësisë që femra të ketë karrierë të suksesshme në kuadër të FSK-së.

“Femrat në FSK janë këmbëngulëse në tejkalimin e sfidave dhe në arritjen e synimeve të tyre, ato kanë ndryshuar mendimin për pyetjen se cilat role ushtarake duhet të jenë për femrat, duke dërguar mesazh se ushtria është si çdo fushë tjetër e punës dhe të gjitha mundësitë janë të hapura si për femra dhe meshkuj dhe me këtë kanë përshpejtuar procesin e integrimit të femrave në FSK”, thotë Halili.

Femra komandante

Komandant i Kompanisë së Mjekësisë në FSK është edhe nënkolonele Hamide Osaj.

Ajo thotë për “Zërin” se vendosi të rreshtohet në uniformën e ish-Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK-së), e cila ishte trashëgimtare e UÇK-së, në mënyrë që t’i kontribuojë rindërtimit të vendit.

Osaj thotë se në vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet e punës në ushtri dhe në siguri zakonisht konsiderohen profesione të meshkujve prandaj, sipas saj, duke u nisur nga ky perceptim pozita juridike e femrës në FSK është e rregulluar me norma ligjore dhe bazën e ka në Kushtetutën e Kosovës.

“Duke u bazuar në atë se profesioni në uniformë është fillestar për gjininë femërore në Kosovë, ligjet dhe rregulloret nuk janë diskriminuese, por duhet të vazhdohet edhe më tutje me përfshirjen e femrës në institucionet e uniformuara të Kosovës”.

Osaj e cila është e vetmja femër në nivelin komandues thotë se së bashku me komandantët e njësive tjera pranështabore koordinojnë dhe shkëmbejmë përvojat më të mira të komandimit.

Ajo tregon se edhe në Kosovë, sikur në shumë vende tjera të botës, po bëhen përpjekje të vazhdueshme për afirmimin e femrës në shoqërinë bashkëkohore.

“Të drejtat e njeriut janë të lidhura me ekzistencën e natyrës njerëzore. Ato nuk derivojnë nga shteti, por nga vetë qenia njerëzore. Ato lindin bashkë me ne. Si të tilla ato nuk dhurohen apo nuk jepen nga shteti, por shteti është i detyruar t’i garantojë ato, prandaj ekzistimi i bazës ligjore dhe mekanizmave për barazi gjinore dhe zbatimi në praktikë i tyre janë sfida në FSK”, thotë Osaj për “Zërin”.

Kujdesen për shtetin dhe për familjen

Ndërsa, Kosovare Hoxha është tetare në FSK. Ajo thotë se në radhët e FSK-së është inkuadruar në vitin 2011, pas një fushate të rekrutimit dhe trajnimit bazik në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjeve ( KDS) në Ferizaj.

Në vitin 2015 Hoxha është avancuar në gradën Tetar dhe ka dy vjet që është në këtë detyrë.

“FSK-ja ofron kushte dhe mundësi të barabarta të zhvillimit të femrave në karrierë dhe të përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet dhe pozitat. Edhe pse përqindja e femrave akoma nuk ka arritur nivelin e kërkuar, duke i krahasuar me vitin 2009 numri i femrave është rritur në mënyre graduale, si dhe interesimi mjaft i madh i femrave që t’i bashkëngjiten FSK-së është vërejtur edhe gjatë fushatave të rekrutimit ndër vite”.

Hoxha thekson se është e kënaqur me përfaqësimin e femrave në FSK.

“Deri më tani kemi arritur që t’i realizojmë me sukses detyrat që na janë dhënë dhe femrat në FSK tanimë janë të sistemuara nga grada e Ushtarit, Nënoficerit dhe Oficerit, pra nga grada e Ushtarit dhe deri tek ajo e Kolonelit të cilën e mban me dinjitet kolonel Irfete Spahiu, zëvendëskomandant i KDS-së në Ferizaj”, thotë Hoxha për gazetën.

Ajo thekson se edhe pse në rolin e nënoficerit të jesh pjesë e FSK-së, nuk është vetëm nder dhe krenari por njëkohësisht, sipas saj, ka edhe përplot sfida dhe vështirësi në të cilat duhet të kalojnë.

“Uniforma kërkon rregulla dhe disiplinë të cilave duhet përmbajtur gjatë 24 orëve, kur kemi parasysh unë edhe si nënë duhet të kujdesem për familjen dhe fëmijën”.

Prandaj, ajo thotë se duke marrë parasysh rolin dhe rëndësinë e femrës ne si familje është për t`u vlerësuar lart që femrat në FSK kanë arritur që të zhvillohen në karrierën ushtarake, duke mos lënë anash as jetën private dhe familjet e tyre.