Ushtria, Asociacioni dhe Demarkacioni votohen në pako

Aktuale March 23, 2017 - 07:55

Analisti Agon Maliqi gjatë një interviste për “Zërin” thotë se çështja e ushtrisë së Kosovës do të hapet pas zgjedhjeve presidenciale të Serbisë. Sipas tij, ekziston mundësia që të arrihet një marrëveshje-pako për ushtrinë, për Asociacionin dhe për rikthimin e Listës Serbe në Kuvend për ta votuar Demarkacionin

Kosova nuk futet në konflikt me ndërkombëtarët me nisma si kjo e presidentit Thaçi për transformimin e mandatit të FSK-së, por vetëm në agjendën e tyre. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” analisti politik, Agon Maliqi.

Sipas tij, edhe pse presidenti Thaçi njihet si një njeri që çdo hap e bën me kalkulimin personal politik, kjo nismë e tij ka edhe logjikën e interesave shtetërore.

Sipas Maliqit, aleatëve së fundmi nuk po u ngutet për çështjet e mbetura pezull të Kosovës dhe në këtë drejtim kjo nismë ka pasur efekt.

Madje ai ka thënë se kundërshtimi ndërkombëtar momentalisht më shumë është për t’i shkuar për “shtati” politikës së Vuciqit, i cili po e deklaron si fitore të tij në procesin zgjedhor kundërshtimin ndërkombëtar karshi ushtrisë së Kosovës.

Megjithëkëtë, ai beson se kjo çështje do të rihapet pas zgjedhjeve të atjeshme, ku ndoshta do të mundë të arrihet një marrëveshje-pako për ushtrinë, Asociacionin dhe për rikthimin e Listës Serbe në Kuvend për ta votuar Demarkacionin.

Sa i përket rëndësisë së formimit të ushtrisë në këto momente, Maliqi ka thënë se pa disa shtylla të shtetësisë si njohja nga organizatat ndërkombëtare, si OKB-ja dhe ushtria, ne mbetemi në nivelin e shtetësisë së kontestuar.

Zëri: Si e keni parë nismën e presidentit Thaçi për ndërrimin e mandatit të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve ligjore dhe pse kjo nismë pikërisht tani?

Maliqi: Për motivet e sakta nuk do të doja të spekuloja sepse këtë punë saktë nuk e di askush përveç Thaçit. Është e qartë se ai me këtë gjest fiton pikë politike, e amortizon “presionin patriotik” të “Vetëvendosjes” apo edhe ia rikujton bashkësisë ndërkombëtare se është faktor i pazëvendësueshëm i proceseve në vend. Thaçin e njohim si një njeri i cili në çdo hap e bën edhe kalkulimin personal politik.

Por në pyetjen “pse tash” mendoj se ka edhe logjikë të interesave shtetërore. Në këtë klimë të politikës botërore dhe rajonale çështja e ushtrisë merr më shumë urgjencë se më parë (edhe pse ushtria nuk bëhet brenda nate dhe ne e kemi mburojë KFOR-in, megjithatë edhe vetë gjesti si i tillë është i rëndësishëm). Gjithashtu mendoj se ka kaluar shumë kohë prejse nuk e kemi bërë ndonjë hap të madh proaktiv për konsolidimin e shtetësisë (UNESCO-ja ishte hapi i fundit dhe ai dështoi). Në këtë aspekt, insistimi i Thaçit për ta futur këtë çështje në agjendë ndërkombëtare ka kuptim sepse aleatëve nuk po u ngutet për çështjet tona të mbetura dhe të zënë me qindra probleme të tjera po na neglizhojnë. Në këtë drejtim nisma e Thaçit nuk është se nuk e pati njëfarë efekti. Lajmi u përfol në medie botërore dhe shkaktoi reagime, pra një kërkesë jona u bë pjesë e agjendës.

Zëri: Reagimi i NATO-s, i SHBA-së dhe i vendeve të BE-së ka qenë i menjëhershëm. Ata sugjerojnë që të mos merren veprime të njëanshme pasi rrezikohet stabiliteti rajonal dhe partneriteti ndërkombëtar, si i komentoni ju këto qëndrime?

Maliqi: Mendoj se shpesh u japim peshë më shumë sesa që duhet reagimeve të ndërkombëtarëve. Në këtë pikë “Vetëvendosja” deri diku ka të drejtë (edhe pse shpesh e çon në ekstrem). Ne si shtet me nisma të tilla nuk futemi në konflikt me ndërkombëtarët, por thjesht insistojmë se diçka duhet bërë dhe tash përmes kësaj qasjeje kjo çështje bëhet pjesë e diskutimeve. Duhet kuptuar se qëndrimet e ndërkombëtareve janë më shumë rezultat i dëshirës për ta lehtësuar Serbinë në periudhë zgjedhjesh. Vuciq këto deklarata po ua shet votuesve si fitore dhe si sukses të politikës së tij të afrimit me Perëndimin. E këta të fundit janë të gatshëm t’ia ndihmojnë këtë “rrëfim” sepse Vuciqin e shohin si të rëndësishëm për projektin politik në Ballkan. Çështja do të rihapet pas zgjedhjeve të atjeshme, ku ndoshta do të mundë të arrihet një marrëveshje-pako për ushtrinë, për Asociacionin dhe për rikthimin e Listës Serbe në Kuvend për ta votuar Demarkacionin. Në këtë drejtim do të ishte mirë që presidenti Thaçi, tani pasi e vendosi çështjen në agjendë, tani do të mundë ta përfillte përkohësisht edhe shqetësimin e ndërkombëtarëve dhe si pozicion të mesëm ta caktonte një datë si ultimatum (ta zëmë dikur në qershor), ku ne ose vazhdojmë me hapa unilateralë për ushtrinë, ose Serbia e ndalon qasjen sabotuese. 

Pa ushtrinë shtetësia është e kontestuar

Zëri: Pse është i rëndësishëm krijimi i ushtrisë në këtë moment? Presidenti ka përmendur edhe ndikimin rus në Ballkan, ndërsa disa të tjerë kanë vënë në pah edhe faktin që Serbia po armatoset. Përgjithësisht, a po lindin tensione të reja në këtë pjesë të Evropës?

Maliqi: Pa disa shtylla të shtetësisë si njohja nga organizatat ndërkombëtare, si OKB-ja dhe ushtria, ne mbetemi në nivelin e shtetësisë së kontestuar. Në këtë klimë të politikës botërore, me dobësimin e BE-së dhe me fokusin jo të duhur të amerikanëve (pra të atyre qe na sponsorizuan këtë rrugën e shpalljes së njëanshme të pavarësisë) rrezikojmë që këtë gjendje ta kthejmë në diçka të përhershme. Ushtria në këtë moment është më shumë shënjues i sovranitetit sesa forcë që do të mundë të përballej me sukses me ndonjë konflikt rajonal. Por gjithsesi nuk duhet të jemi naivë dhe të mendojmë se sigurinë e kemi të garantuar nga të tjerët. Çdo vend normal merr masa të ketë mekanizma mbrojtës, duke përfshirë edhe Zvicrën që s’e mban në mend se kur ka luftuar për herë të fundit e lëre më ne që jetojmë në rajon lehtësisht të trazuar. Potenciali për konflikt gjithsesi ekziston sado që është margjinal. Pakënaqësitë me tranzicionin po prodhojnë frustrim gjithandej. Elitat politike të korruptuara po luajnë me nacionalizëm për të shpëtuar. Mbi të gjitha, të brishtë na bën fakti se si rajon jemi arenë e ndeshjes së interesave të fuqive të mëdha, sidomos tani kur Putin dhe Erdogan, si dy autokratë me ambicie hegjemonie, janë nisur drejt jetësimit të projektit të “Euro-Azisë”.

Izolimi do të zgjasë

Zëri: Para se presidenti të dalë me propozimin e tij ratifikimi i Demarkacionit ishte një ndër prioritetet e Qeverisë dhe i Kuvendit. Tani duket se ka mbetur në plan të dytë kjo çështje, ndërkohë që kosovarët vazhdojnë të mbesin të izoluarit e Evropës. Çfarë duhet të bëhet me këtë marrëveshje pasi si duket “kundërshtimet” janë të përhershme dhe izolimi do të vazhdojë edhe këtë vit?

Maliqi: Marrëveshja e Demarkacionit duhet të miratohet sa më shpejt nga Kuvendi jo vetëm për shkak të vizave, por edhe për shkak se bëhet fjalë për një problem në masë të madhe të sajuar për shkak të agjendave politike. Por që marrëveshja të kalojë opozita duhet të mos i bllokojë seancat që partitë shqiptare të koalicionit t’i sigurojnë votat apo edhe që Lista Serbe të shfaqet në Kuvend. Të tria këto janë individualisht problematike, ndërsa së bashku gati të pamundura. Sa i përket vizave, dihet se Demarkacioni është kusht që nuk hiqet kurrë nga BE-ja, por nuk dihet nëse me kaq përfundon kjo punë. Akoma nuk kemi marrë garanci të qartë prej BE-së se kushti i korrupsionit është tejkaluar. Nga perspektiva e sotme izolimi duket se do të zgjasë.

Koalicioni, me më së paku arritje

Zëri: Edhe pse është cilësuar si “Koalicioni i madh”, i cili do të mundë t’u japë përgjigje temave të mëdha politike në vend, një gjë e tillë pothuajse nuk ka ndodhur. Demarkacioni, Asociacioni, ushtria, liberalizimi i vizave, të gjitha deri më tani nuk janë adresuar në formën e dëshiruar. Si e keni parë ju qeverisjen e këtij koalicioni?

Maliqi: Ky është koalicion që mund të numërojë më së paku arritje mbase që nga koha e qeverive të Agim Çekut apo të Bajram Kosumit. Kosova ngjan si vend pa lider dhe pa qeveri. Nuk është befasi për shembull pse kënaqshmëria me kryeministrin te Pulsi Publik i UNDP-së është më e ulëta qysh prej vitit 2007 (vetëm 20% të qytetarëve). Edhe ato punë që po bëhen (dhe ka punë që po bëhen) nuk komunikohen dhe për rrjedhojë në opinion mbizotëron njëfarë ndjenje e atrofisë. LDK-ja dhe PDK-ja duket sikur ia kanë shtypur Kosovës butonin “pauzë”, ndërkohë që bëjnë kalkulime e llogari për zgjedhjet e radhës.  

Zëri: A mund të jenë arsyet e lartpërmendura për një krizë brenda koalicionit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Maliqi: I gjithë viti i fundit që nga zgjedhja e Thaçit si president duket sikur ka qenë i shënuar nga manovrat e të gjithëve për t’u pozicionuar më mirë për zgjedhjet e radhës. Me një koalicion kaq jofunksional dhe joproduktiv zgjedhjet realisht do të duhej të mbaheshin qysh dje. Por duket sikur askush përveç PDK-së nuk është gati dhe nuk i do zgjedhjet menjëherë. LDK-ja nga komoditeti dhe inercioni, opozita, pas përçarjes, nga mungesa e një formule të qartë për fitore.

Zëri: Së fundmi është folur shumë për një ndikim rus në Mal të Zi, në Maqedoni madje edhe në Shqipëri. Cilat janë rreziqet e shpërndarjes së kësaj ideologjie dhe sa rrezikohet Kosova?

Maliqi: Rusia ka për synim që t’i destabilizojë interesat e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së kudo që të mundet, si dhe ta përçajë NATO-n. Prandaj në këtë drejtim edhe Kosova, edhe Ballkani mbeten si shënjestra të ndikimit rus dhe kjo u pa me skemat për grushtet në Mal të Zi dhe në mbështetjen e Rusisë për regjimin e Gruevskit në Maqedoni. Aleanca e re e Rusisë me Turqinë dhe ideja e projektit “Euroaziatik” si kundërpeshë ndaj BE-së është pjesë e këtij rrëfimi dhe përpjekjeje për rivizatimin e sferave të interesit. Putin dhe Erdogan po synojnë që ta krijojnë një klub të autokracive dhe në kontekst të dobësimit të BE-së rritja e ndikimit të tyre përbën rrezik për demokracinë ashtu-kështu të brishtë në rajon.

Zëri: Procesi i integrimit evropian për Kosovën pothuajse është në një fazë të stagnimit permanent. Çka nuk po bëhet si duhet dhe si e keni parë qasjen e Bashkimit Evropian karshi Kosovës?

Maliqi: Procesi i integrimit ka stagnuar jo vetëm për Kosovën, por ka stagnuar në përgjithësi. BE-ja po përballet me krizën e vet më të madhe qysh prej krijimit dhe në këtë kontekst interesimi për zgjerim është shumë i ulët. Zgjerimi i masiv i BE-së në vitin 2004 dhe sidomos shtimi në vitin 2007 i Bullgarisë dhe i Rumanisë si anëtare (vende po aq të korruptuara sa ne që kemi mbetur jashtë) ka prodhuar skepticizëm ndaj zgjerimit dhe kushte më të ashpra për neve të tjerëve që synojmë të futemi më vonë. Ajo që ne duhet të bëjmë është që këto kushte të mos i marrim si kushte për anëtarësim, por si udhëzuese për përmirësim të cilësisë së jetës. Reformat demokratike ne nuk duhet t’i bëjmë për BE-në, por për vete. Pastaj anëtarësimi do të jetë punë formaliteti. Në anën tjetër, marrëveshjet si MSA-ja apo përfshirja e Kosovës në fondet e BE-së ofrojnë shumë mundësi për zhvillim ekonomik edhe në fusha të tjera, të cilat thjesht duhet të dimë si t’i shfrytëzojmë.