Rakiq: Muri nuk hiqet, ridizajnohet me shkallë

Aktuale December 15, 2016 - 08:07

Goran Rakiq ka deklaruar për “Zërin” se muri në veri të Mitrovicës nuk do të hiqet, por ai do të ridizajnohet, ku do të ndërtohen edhe shkallët

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar se nuk do të rrënohet muri në veri, mirëpo, sipas tij, ai do të ridizajnohet, ku do të ndërtohen edhe shkallët.

Këto komente Rakiq i ka bërë gjatë një prononcimi për gazetën “Zëri”, duke shtuar se për këtë gjë janë marrë vesh me bashkësinë ndërkombëtare dhe me palën kosovare.

“Nuk do të ketë rrënim të këtij muri, por do të ketë një ridizajnim të tij, çka do të thotë se do të jetë më i ulët dhe për këtë jemi marrë vesh si me bashkësinë ndërkombëtare, ashtu edhe me palën kosovare”, ka deklaruar ai.

Madje, sipas tij, ky mur do të rezultojë me një projekt shumë të bukur, i cili nuk ka të bëjë fare me ndarjen.

“Nuk dua të flas për murin si diçka negative apo ndarëse. Ky mur nuk ka të bëjë me ndarje, por është pjesë e një shëtitoreje e cila do të jetë mjaft e bukur për sy, por edhe për ata që do ta shfrytëzojnë, pasi do të ketë edhe shkallë”, ka shtuar i pari i Mitrovicës së Veriut.

Tahiri: Muri do të rrënohet, s’është pjesë e marrëveshjes

Në anën tjetër ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar për “Zërin” se ky mur do të hiqet shumë shpejt. Ndërkohë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë kanë thënë se një gjë e tillë duhet të zgjidhet mes Kosovës e Serbisë, pasi që çështja në fjalë nuk ka qenë asnjëherë projekt i BE-së. Ndërsa opozita dhe analistët politikë kanë vlerësuar se me anë të këtij muri Serbia po e shtrin sovranitetin e saj në Kosovë.

“Kosova është shtet demokratik që siguron liritë themelore dhe lirinë e lëvizjes. Muret janë në kundërshtim me lëvizjen e lirë dhe nuk janë të pranueshme, jemi të vendosur për këtë si Qeveri e Kosovës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Më tej Tahiri ka vlerësuar se muri në fjalë është i jashtëligjshëm. Kjo pasi që, sipas saj, nuk ka të bëjë fare me Marrëveshjen e Brukselit.

“Ky mur është ilegal dhe është bërë nga ilegalët. Me të shkelet Marrëveshja e Brukselit. Prandaj Marrëveshja e Brukselit do të zbatohet pa mure dhe pa vonesa, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian si ndërmjetësuese dhe garantuese e zbatimit të marrëveshjes në fjalë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Gjatë bisedës për gazetën ministrja Tahiri është shprehur e bindur se Kosova do ta zgjidhë këtë problem, pasi që, ashtu si ajo është shprehur, muri është vendosur si provokim nga Serbia.

“Ky mur do të hiqet. Serbia e ka orkestruar këtë provokim me përpjekje për ta destabilizuar Kosovën. Qeveria e Kosovës do ta zgjidhë këtë problem sikurse që hoqëm barrikadën nga ura e Ibrit, si dhe shumë barrikada të tjera si rezultate të dialogut të Brukselit”, është shprehur ajo.

Apostolova: Muri s’është projekt i BE-së

Përfaqësuesja speciale e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka thënë se ky mur nuk është projekt i Bashkimit Evropian dhe Kosova e Serbia duhet ta zgjidhin këtë çështje.

“Projekt i Bashkimit Evropian është vetëm rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër, ndërsa muri që është ndërtuar pak metra më tutje është projekt tjetër, nuk është projekt i BE-së” ka deklaruar zyrtarja e BE-së.

Apostolova më tej është shprehur e bindur se situata në fjalë do të zgjidhet.

Ndërkohë kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se me ndihmën e ndërkombëtarëve muri në veri do të hiqet.

“Lidhur me çështjen e ndërtimit të murit i kam informuar të gjitha organet ndërkombëtare. Kur i kemi larguar 36 barrikada do ta largojmë edhe pengesën e murit” ka deklaruar Bahtiri.

Opozita: Serbia po e shtrin sovranitetin në Kosovë

Kurse deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Shqipe Pantina, ka vlerësuar se muri në veri të Mitrovicës do të duhej të largohej nga Qeveria e Kosovës.

“Fillimisht ai mur nuk është dashur të lejohet për t’u ndërtuar dhe Qeveria urgjentisht do duhej të ndërhynte për shembjen e tij. Unë nuk do të dëshiroja të merrem fare me deklaratat e Rakiqit, por edhe një herë e përsëris se muri nuk duhet të ekzistojë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkohë ka thënë se ekziston mundësia që ai mur të betonohet edhe më shumë e të mos hiqet fare.

“Më shqetëson më shumë deklarata e Tahirit, sepse sa herë ajo ka thënë se një gjë nuk do të ndodhë pikërisht ka ndodhur ashtu, si në këtë rast kur ajo thotë se muri do të hiqet, frika ime është se ai mur vetëm sa do të betonohet më fort dhe pastaj do të fillojë një dialog i ri me Serbinë për heqjen e murit e ku Serbia do të nxjerrë përfitime të reja, qoftë nga BE-ja apo edhe direkt në Kosovë”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, përgjegjësia bie mbi kryeministrin Isa Mustafa dhe ministren Edita Tahiri, por me theks të veçantë mbi presidentin Hashim Thaçi.

“Përgjegjësia kryesore bie mbi bartësit e këtij procesi tejet të dëmshëm negociues, pra mbi Mustafën e Tahirin, por përgjegjësinë më të madhe e bart i ashtuquajturi president Hashim Thaçi, i cili e ka nisur këtë dialog të mbrapshtë”, është shprehur Pantina më tej.

Deputetja e LVV-së ka vlerësuar se me ndihmën e Qeverisë së Kosovës Serbia po e shtrin sovranitetin e saj në Kosovë.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se muri në veri të Mitrovicës duhet të largohet sa më parë që është e mundshme.

“Muri në Mitrovicë, ajo barrikadë duhet të hiqet një orë e më përpara. Nuk duhet të lejojmë që ajo të lëshojë rrënjë aty sepse sa më shumë që të rrijë në këmbë ai mur, koncesionet që do t’i pranojë Qeveria jonë do të jenë më të mëdha dhe më të dëmshme”, ka deklaruar Lekaj.

Sipas tij, Serbia nëpërmjet këtij muri po do që ta bëjë me dije se ka pasur ndikim gjithmonë në Kosovë.

“Serbia përmes murit po dëshiron të na thotë se unë ndikim kam dhe kam pasur gjithnjë, por kështu vetëm sa po e betonizojnë atë ndikim. Kjo është e pafalshme dhe duhet kërkuar përgjegjësi nga Qeveria jonë, e cila edhe kur ua themi se është kështu, kategorikisht nuk e pranojnë”, ka vazhduar deputeti i AAK-së.

Abazi: Muri, dështim i ndërkombëtarëve

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se Komuna e Mitrovicës së Veriut po synon të tregojë se një pjesë e Kosovës kontrollohet nga Serbia.

“Ndërtimi i murit është cenim i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Komuna e Mitrovicës së Veriut nën ndikimin e Serbisë po tenton që ta zyrtarizojë realitetin tashmë ekzistues në veri, një pjesë e territorit që nuk kontrollohet nga Prishtina dhe që funksionon sipas ligjeve të Serbisë”, ka deklaruar ai.

Sipas Mushkolajt, Beogradi po provon që edhe çështjen e murit ta përfshijë në bisedime, duke e sjellë palën kosovare para aktit të kryer.

Ndërkohë ka thënë se autoritetet e Kosovës nuk duhet në asnjë mënyrë ta lejojnë këtë mur në veri.

“Autoritetet e shtetit të Kosovës duhet ta tregojnë autoritetin dhe forcën dhe në asnjë mënyrë të mos e lejojnë murin aty. Ndryshe, do të bëjnë vetëvrasje politike”, është shprehur ai.

Kurse Haki Abazi, nga “Rockfeller Brothers Fund”, ka vlerësuar se muri paraqet një goditje për përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.

“Kjo është një ‘shuplakë fytyrës’ ndaj përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës. Fakti që dikush në hapësirë publike mund ta ndërtojë një strukturë të tillë para një ure që ka qenë e mbyllur qe 15 vjet dhe është hapur duke paguar çmimin e integrimit të institucioneve paralele e paramilitare e bën murin një simbol të dështimeve të dialogut”, ka potencuar ai.

Sipas Abazit, muri në veri të Mitrovicës pamundëson që atje të ndodhë diçka pozitive.

“Një strukturë e tillë e betonit ku paraqet një kufi që çimenton ndarjen dhe konfliktin duke mos lejuar që asgjë pozitive të ndodhë atje dhe rrjedhimisht është sfidim i shtetësisë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, që ka konsideruar se kjo strukturë betoni është gjithashtu dështim i bashkësisë ndërkombëtare.