Jepen detajet e para të vdekjes së Deharit
Foto: Driton Bublaku

Jepen detajet e para të vdekjes së Deharit

Aktuale nëntor 08, 2016 - 08:16

I riu Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e asfiksisë apo pengesave në frymëmarrje. Kjo është thënë nga prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, derisa për shkaktarin e asfiksisë do të dihet tek pas hartimit të raportit përfundimtar. Ai po ashtu kishte gërvishtje në qafë dhe në byzylykun e dorës së majtë

Në objektin ku muaj më parë bënte ushtrimet në lëndën e mjekësisë ligjore, trupi i pajetë i Astrit Deharit, aktivistit të “Vetëvendosjes”, i është nënshtruar ekzaminimeve mjekoligjore.

Kjo, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të cilat çuan në vdekjen e tij derisa po mbahej në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Ish-studentit të Fakultetit të Mjekësisë, vdekja e të cilit ka tronditur opinionin, i është kryer obduksioni të hënën në mbrëmje.

Procedura e obduksionit ka zgjatur dy orë e gjysmë dhe është kryer nga mjekët ligjorë, Flamur Blakaj, Naim Haliti dhe Visar Gashi. Por, familja nuk ia fali besimin në tërësi institucionit që merret me ekspertizat mjekoligjore, duke kërkuar edhe vëzhgim nga ekspertët e caktuar nga familja.

Por, pas obduksionit derisa nga ekspertët mjekoligjorë është konsideruar se është ende herët të flitet për shkakun e vdekjes së të riut, janë dhënë detajet e para të autopsisë.

Shkaktar i vdekjes – pengesat në frymëmarrje

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë pas obduksionit se pasojë e vdekjes së tij ishte asfiksia ose mosfrymëmarrja dhe pengesat në frymëmarrje

“Rezultatet përfundimtare do të dalin së shpejti, me ç’rast do të informohen të gjithë”, ka thënë Hoxha.

Ai është shprehur se prej ditës së parë çdo detaj që ndërlidhet me vdekjen e të riut ka qenë mjaft transparent. Hoxha ka thënë se i riu ka pasur gërvishtje në qafë dhe në dorën e majtë.

Ndërkaq avokati, Tomë Gashi, si përfaqësues i familjes Dehari, ka thënë se nëse do të ketë nevojë analizat e tjera do të dërgohen në Angli. Ndërkohë që përfundimisht raporti do të bëhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Gashi ka thënë se kanë angazhuar edhe dy ekspertë – patologun Besim Latifaj nga Londra dhe Besim Umaj nga Shqipëria, që ta vëzhgojnë procedurën e autopsisë.

Ndërkohë që Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka thënë se i tërë procesi ka qenë transparent. Ai është shprehur se nuk ka asnjë rrezik të humbjes së provave. Gërxhaliu ka thënë se obduksioni është xhiruar nga hetuesit dhe se gjithçka është transparente.

Ndërkohë as drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, e as prokurori, Sylë Hoxha, nuk kanë dhënë një afat strikt kohor se kur do të jepen rezultatet përfundimtare që tregojnë për shkakun e pengesave në frymëmarrje. 

Dehari varroset sot pas nderimeve dhe një marshi që kërkon drejtësi për të

Të martën, ndërkaq (sot), pritet që turpi i Deharit të varroset në varrezat e Zllatarit, në Prishtinë. Lëvizja “Vetëvendosje”, aktivist i të cilit ka qenë Dehari, ka paralajmëruar edhe një marsh protestues për drejtësi që është organizuar nga organizatat studentore të Universitetit të Prishtinës.

Marshi do të nisë në orën 12:00, nga Biblioteka Kombëtare drejt Teatrit Kombëtar, ku do të bëhen edhe homazhe në nderim të figurës së aktivistit Astrit Dehari. Ndërkohë, nga ora 13:30, në Teatrin Kombëtar do të mbahet mbledhje komemorative. Për vdekjen e të riut ka raportuar edhe gazeta prestigjioze “New York Times”.

“Opozita kosovare, skeptike rreth vdekjes së përkrahësit të tyre të arrestuar”, është titulli për lajmin që ka vendosur NYT rreth vdekjes, ende misterioze, të 26-vjeçarit, student i Mjekësisë.

Gazeta përmend edhe faktin se për vdekjen e Deharit u dhanë disa variante duke e bërë atë edhe më të dyshimtë.

“New York Times” citon kryetarin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, duke thënë se “vdekja e Astrit Deharit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, sepse Astriti vdiq derisa po mbahej në burg dhe se ai, por edhe të tjerët po terrorizohen nga akuza të pabaza.”

Gazeta “Zëri” të hënën ka raportuar se Dehari nuk kishte pranuar të dalë me të burgosurit e tjerë në shëtitjen ditore, që bënin të burgosurit.

Kur të burgosurit e tjerë janë kthyer nëpër dhoma e kanë gjetur Astritin në gjendje të rëndë.