Mustafa: Prona e Trepçës është pronë e Kosovës dhe mbetet e saj
Foto: Laura Hasani

Mustafa: Prona e Trepçës është pronë e Kosovës dhe mbetet e saj

Aktuale tetor 07, 2016 - 16:09

Kryeministri Isa Mustafa para deputetëve të kuvendit të Kosovës ka paraqitur ligjin mbi Trepçën.

Ai ka thënë se projektligji për Trepçën është i rëndësishëm për vendin kështu duke rritur zhvillimin e ekonomik të vendit.

Ai tha se prona e Trepçës është pronë e Kosovës./ZERI

Fjala e kryeministrit:

Në mbështetje të nenit 65, pika 1 e Kushtetutës, si dhe duke marr parasysh Ligjin Nr. 05/L-009 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili përcakton se organizimi dhe strukturimi i Ndërmarrjes Trepça do të rregullohet me Ligj të veçantë, me qëllim të krijimit të infrastrukturës ligjore e cila mundëson zhvillim të qëndrueshëm, operim të kapaciteteve, rritje të vlerës së aseteve, avancimin tekniko teknologjik, që janë jetike për zhvillimin e Kosovës dhe për mirëqenien sociale të punëtorëve, prandaj edhe në interes të përgjithshëm publik, kam kënaqësinë të paraqes para jush për shqyrtim dhe miratim Projektligjin për Trepçën.

Projektligji për Trepçën, të cilin sot po ua prezantoj, është i një rëndësie të veçantë për Kosovën. Trepça paraqet një sinonim të zhvillimit por edhe të sakrificës dhe flijimit për Kosovën.

Me këtë projektligj synojmë të hapim të ardhmen për Trepçën e jo ta kthejmë të kaluarën e Trepçës.

Për përgatitjen e këtij ligji, janë shfrytëzuar përvoja nga vendet dhe raste të ndryshme, për të gjetur një zgjidhje e cila ndihmon zhvillimin ekonomik, respekton kriteret e ekonomisë së tregut dhe mbron interesat e punonjësve, përkatësisht të minatorëve të Trepçës.

Ligji përcakton qartë se resurset minerare janë pronë e Republikës së Kosovës, prandaj me këtë ligj, prona e Trepçës është dhe mbetet pronë e Kosovës. Ndërkaq, shfrytëzimi i resurseve minerale bëhet në bazë të licencës për hulumtim dhe zhvillim të lëshuar në përputhje me ligjet në fuqi.

Trepça, sipas këtij ligji, do të organizohet si shoqëri aksionare, në të cilën aksionar kryesorë do të jetë Qeveria me 80% të aksioneve dhe 20% do të jenë aksione të punonjësve të Trepçës.

Mbi këtë bazë përcaktohet e drejta në qeverisje dhe në ndarjen e dividendit ndërmjet aksionarëve, proporcionalisht me pjesëmarrjen e tyre në asete të Trepçës. Fjala është për asetet mbitokësore, jo në rezervat minerale.

Organizimi i tillë nxitë një frymë konkurruese për të rritë efiçiencën në punë. Është kjo një zgjidhje e cila ka treguar rezultate në vendet tjera dhe e cila, si risi, meriton të aplikohet edhe në rastin tonë.

Çështje tjetër që meriton të nënvizohet është se Trepça do të jetë një korporatë unike, me bilanc të konsoliduar, por njësitë biznesore do të kenë pavarësinë e tyre në të ardhura dhe shpenzime, prandaj edhe në identifikimin e rezultatit financiar, i cili nuk mund të bartet nga një njësi në tjetrën, dhe se punëtorët do të korrin rezultatet e tyre, sipas punës që e bëjnë në njësitë biznesore, përfshirë edhe shpërndarjen e dividendit.

Njësitë biznesore të Trepçës, sipas këtij projektligji janë: Minierat me Flotacion Trepça - Stan Tërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë dhe Minierat me Flotacion Kopaonik - Leposaviq.

Ligji lenë mundësi të hapura, që pas studimit të fizibilitetit, të themelohen njësitë tjera afariste të Trepçës, siç janë Metalurgjia e plumbit, e zinkut, industria kimike, por edhe njësi të tjera, për të cilat vlerësohet se ka llogari ekonomike si dhe hap mundësi optimale për tërheqjen e kapitalit privat, qoftë përmes partneritetit publik privat, investimeve direkte, investimeve të përbashkëta apo shitjes së aksioneve.

Projektligji siguron një kujdesje ligjore dhe sipas praktikave ndërkombëtare për mjedisin dhe siguron që 20% nga renta minerare të alokohet për komunitetin në lokacionet e komunave ku ndodhen njësitë biznesore, që destinohet për mbrojtje të mjedisit, infrastrukturë, sport, shëndetësi dhe arsim.

Asetet e tjera të, tani, ndërmarrjes shoqërore Trepça, të cilat nuk trajtohen me këtë ligj, do të trajtohen sipas rekomandimeve të studimit të fizibilitetit.

Pretendimet e kreditoreve ndaj njësive biznesore të përcaktuara në këtë projektligj, të krijuara deri në ditën e hyrjes në fuqi, të cilat do të trajtohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në cilësinë e administratorit dhe nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, ndërkaq, Qeveria do të merr të gjitha obligimet që pastaj caktohen me ligj.

Në hartimin e këtij projektligji, përveç konsultimit të ministrive dhe organeve të tjera të administratës, janë zhvilluar konsultime edhe me përfaqësues të Trepçës, AKP-së, përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përfaqësues të Fakultetit të Gjeoshkencave, ekspertë të pavarur dhe njohës të çështjeve pronësore.

Gjithashtu, është shfrytëzuar mbështetja profesionale e institucioneve dhe organizatave përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë ekspertët ndërkombëtarë të thirrur nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, pastaj janë shfrytëzuar të dhënat e gjashtë (6) studimeve të rastit të cilat janë drejtuar nga komisioni parlamentar, nga të cilat ne kemi marr përvojat e vendeve të tjera lidhur me raste të ngjashme sikurse i Trepçës. 

Dëshiroj të falënderoj grupin punues të themeluar nga Qeveria për punën e bërë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, por po ashtu edhe Kuvendin e Kosovës, sidomos Komisionin për Ekonomi të Kuvendit dhe prof. Muhamet Mustafën, për një punë të përbashkët konsultative në të gjitha procedurat e deritanishme.

Në fund, dëshiroj të them se transformimi i Trepçës sipas këtij Ligji, është në interes të të gjithëve, të zhvillimit ekonomik të vendit, është në interes të komunitetit në përgjithësi në vendet ku do të operojë Trepça, prandaj ligji meriton përkrahjen e të gjithëve.

Ligji ka valorizuar të gjitha kriteret ekonomike dhe kriteret tjera ambientale, ka karakter inkluziv dhe hap perspektivë për ndërlidhje të fuqishme ekonomike, si faktor i rëndësishëm i jetës së përbashkët.

Prandaj, shoh arsye që këtë ligj ta përkrahin të gjithë deputetët dhe të gjitha grupet parlamentare dhe ju rekomandoj miratimin e tij.

Faleminderit!