Konstatohet skandali i ortopedit kosovar

Aktuale October 06, 2016 - 08:07

Pas tri vjetësh, kur është paraqitur rasti në Polici, ekspertiza e kryer me kërkesë të Prokurorisë në Gjermani për pacienten N. Berisha ka rezultuar se ortopedi kosovar Visar Nushi ka bërë gabime trashanike gjatë matjeve të shkallës së skoliozës. Nushi i kishte vënë pacientes diagnozë dhe terapi të gabuar, duke u bazuar në matjet e gabuara të shkallës së skoliozës   

Gabime të rënda mjekësore janë konstatuar në ekspertizën e kryer në Gjermani për pacienten nga Prishtina N. Berisha, për të cilën Policia kë bërë kallëzim penal tash e disa vjet ndaj ortopedit kosovar doktorit Visar Nushi. Si pasojë e mjekimit joadekuat nga ana e tij, familjarët e pacientes kanë denoncuar doktorin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, për çka kurrizi i vajzës kishte marrë formën e germës S. Për këtë doktor Nushi po vazhdon të hetohet nga Prokuroria vendore.

Në ekspertizën e kryer nga Dr. Mattias Hovel, shef i Klinikës së Ortopedisë së Fëmijëve në Klinikën Universitare të Essenit në Gjermani, përmenden gabime të rënda mjekësore të bëra nga ana e doktorit Visar Nushi. Gazeta e ka siguruar nga burimet e saj ekspertizën për rastin e pacientes N. Berisha, për të cilin rast kishte raportuar në gusht dhe në tetor të vitit 2014.

Mjeku gjerman ka gjetur se vlera pas matjes së deformimit nga ana e ortopedit Visar Nushi është bërë gabimisht sikurse është ordinuar edhe terapia e gabuar. Toleranca e rezultateve të lejuara gjatë matjeve të vlerave të skoliozës është deri në +/- 5 shkallë. Por, një pasqyrë e dhënë në ekspertizë tregon se Nushi kur kishte bërë matje në qershor të vitit 2013 ishte konstatuar një deformim prej 28 shkallësh derisa në atë kohë sipas matjeve në Klinikën Universitare në Essen të Gjermanisë deformimi kishte kaluar në 44 shkallë, duke bërë kështu një gabim në matje prej hiç më pak se 16 shkallësh.

“Më 5 qershor 2013 zotëri doktor Nushi mat sërish 28 shkallë, vendos kështu një diagnozë të gabuar e cila pastaj pasohet nga terapia e gabuar. Këtu tek ne, për këtë periudhë matet një cobb – kënd prej 44 shkallësh”, thuhet në raportin e mjekut gjerman ku evidentohet “huqja” e madhe e Nushit, mes 5 matjeve të bëra në periudha të ndryshme kohore.

Doktor Visar Nushi ia huqi matjeve, diagnozës dhe terapisë

Në ekspertizën e doktorit gjerman thuhet se në janar të vitit 2013, kur Nushi kishte gjetur se shkalla e deformimit ishte 28 shkallë, është dashur të indikojë një tretman me korset. Këtë pastaj pacientja N. Berisha, sipas ekspertizës gjermane, e merr në shtator të vitit 2013 kur kishte ndodhur një deformim në shkallën 52. Në këtë fazë, sipas ekspertizës, zakonisht indikohet operacioni.

Ekspertiza e doktorit gjerman Hovel qartëson se për vlerësimin e skoliozës ortopedi duhet të marrë parasysh dhe të bëjë matje edhe të deformimit të pjesës lumbale. Ndërkohë që në matjet e bëra nga Visar Nushi vetëm në kontrollin e parë ishin bërë matje të kësaj pjese.

Ekspertiza po ashtu qartëson se tek pacientja me skoliozë në moshën nëntëvjeçare ndryshimet e paraqitura japin prognozë jo të mirë. “Prandaj fëmijët e tillë duhet të kontrollohen në formë të veçantë dhe gjatë progresionit duhet t’i iniciohet një tretman adekuat me korset”, thuhet në ekspertizën e sjell me kërkesë të Prokurorisë.

Doktor Nushi, i cili ka thënë se në këtë fazë hetimore nuk mund të prononcohet për medie,  kishte indikuar edhe terapi fizikale për vajzën në qershor të vitit 2013, por ekspertiza thotë se një terapi fizikale tek një fëmijë gati 12-vjeçar pa cikël menstrual, me një deformim të coob-këndit 40 ose kënd-lumbal 30 nuk duhet të vazhdohet me fizioterapi.

Berat Berisha, babai i pacientes N. Berisha, ka thënë se në këtë ekspertizë ndërkombëtare ka prova të mjaftueshme për Prokurorinë që të ngrejë aktakuzën. “Këto prova kanë qenë të dukshme edhe më parë. Por tashmë që është sjellë ekspertiza ne si familje po presim ngritjen e aktakuzës ndaj doktorit Nushi”, ka thënë Berisha.  

Por avokati Gazmend Nushi, që është duke e mbrojtur në këtë proces ortopedin Visar Nushi, ka thënë se nuk ka bazë të mjaftueshme për këtë dhe se prokurori do të duhej pushuar hetimet.

“Thelbi i kësaj ekspertize është në përgjigjen e dhënë nga eksperti gjerman në pyetjen 11, të parashtruar nga Prokuroria ‘Nëse ka dëme tek pacientja?". Kjo pyetje ishte plotësisht me vend sepse, nëse nuk ka dëme, respektivisht nëse nuk ka ndodhur pasoja e ndaluar, nuk mund të ketë as vepër penale”, ka thënë avokati Nushi.

Babai i vajzës: Do të isha i lumtur sikur të mos kishte dëme

Por prindi i vajzës, Berat Berisha, ka thënë se dëmet janë evidente dhe të përshkruara edhe në ekspertizë. “Ekspertiza thotë se në shkallën 28 do të duhej indikuar një tretman me korset, kurse vajza tek pas tri vjetësh përdorimi të korsetit është kthyer në këtë gjendje dhe matja e fundit e kryer në Gjermani ka rezultuar të jetë 27 shkallë me korset”, thotë prindi, duke u shprehur se do të ishte shumë i lumtur nëse nuk do të kishte dëme. “Se a do të ketë dëme do të vlerësohet më vonë, kur do të bëhen ekspertiza të tjera”, thotë Berisha.

Më tutje avokati thotë se nga përgjigjja e ekspertit shihet se jo vetëm që nuk ka dëme, por ka përmirësim të dukshëm të gjendjes së pacientes dhe ka rezultate të mahnitshme si rezultat i  vënies së korsetit, të cilin kjo vajzë e ka vendosur me udhëzim të dr. Visar Nushit. 

Por prindi i vajzës thotë se indikimi i korsetit nga dr. Nushi është bërë në fazën kur ajo do të duhej të operohej. “Sa i përket rezultateve të mahnitshme që përmenden në ekspertizë ato nuk i atribuohen doktor Nushit, por doktorit tjetër Bahri Gjyshinca, i cili ka mahnitur jo vetëm ekspertin gjerman me trajtimin tejet profesional pas gabimeve trashanike të doktor Nushit”, thotë prindi i vajzës. Ai shprehet se vajza nuk e ka mbajtur korsetin e përshkruar nga doktor Nushi, por ka mbajtur një vit rresht një ortozë të ashtuquajtur “Milwaukee”, bartja e së cilës ka qenë një sakrificë e madhe për vajzën. “Andaj këto rezultate të mahnitshme i atribuohen edhe vetë vajzës që ka pasur durim ta bartë nga 23 orë në ditë korsetin. Pra, ajo vetëm një orë gjatë ditës ka qëndruar pa korset, gjatë një viti të tërë”, thotë prindi, duke treguar se nëse do ta vazhdonte mjekimin tek doktor Nushi operacioni i rrezikshëm për vajzën do të ishte i pashmangshëm. “Ai ishte edhe ashtu i përgatitur për operacion me qëllim të përfitimeve materiale”, thotë Berisha, sipas të cilit, ky edhe ka qenë qëllimi i neglizhencës. Ndryshe, thotë ai, është e pamundur që “një ortoped të mos i dijë gjërat elementare”.

Doktori nuk e ndaloi progresionin e sëmundjes

Por avokati Nushi ka thënë se “nuk dihet se a ka qenë devijimi në matje të z. Visar Nushit apo ekspertit gjerman”.

Dhe pas gjithë kësaj, thotë avokati Nushi, gjendemi në një situatë më se absurde sipas të cilës, dr. Visar Nushi dyshohet për veprën penale "Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor", në situatën kur “falë trajtimit të tij janë arritur ‘rezultatet mahnitëse’, siç i vlerëson eksperti gjyqësor”. Por, avokati Nushi i pyetur nëse është i mjaftueshëm gabimi që përmendet në ekspertizë që ndaj dr. Nushit të ngrihet aktakuzë, ka thënë se këtë e vlerëson prokurori. “Ekspertiza trajtohet si tërësi dhe jo pjesërisht. Bëhet fjalë për një proces të gjatë të trajtimit mjekësor, i cili nuk mund të ndahet në faza dhe të vlerësohen rezultatet sipas fazave të ndryshme të trajtimit. Vlerësohet rezultati final. Dhe rezultati final i dhënë nga eksperti gjerman se me udhëzim të dr. Nushit për mbajtje të korsetit është zbritur skolioza në 27 shkallë dëshmon se në veprimet e dr. Visar Nushit nuk pasqyrohet asnjë element i veprës penale, duke përfshirë edhe elementet e veprës për të cilën dyshohet”, thotë avokati Nushi. Sipas tij, “vlerësimin se a ka pasur apo jo pandërgjegjshmëri në veprimet e dr. Visar Nushit gjatë trajtimit të pacientes, të dëmtuarës, përfundimisht do ta vlerësojë Prokuroria”, thotë Nushi, avokat.

Por prindi i vajzës, Berat Berisha, thotë se domosdo që ekspertiza duhet të shikohet në detaje dhe të shqyrtohet mjekimi në secilën fazë. “Primare në skoliozë, sipas ekspertizës, është ndalimi i progresionit të sëmundjes që në këtë rast nuk ka ndodhur”, ka thënë Berisha.

Ndryshe, ky është një rast i rrallë kur prokurori kërkon ekspertizë ndërkombëtare për të vërtetuar dëmin eventual të shkaktuar si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor nga ana e një mjeku. Nëse vërtetohen provat, doktori mund të dënohet sipas Nenit 260 të Kodit Penal, me burgim nga një deri në tetë vjet burg.

Nesër në “Zëri”:

- Çka thonë mjekët ortopedë që në QKUK nuk e kryen ekspertizën?

- A deshën ata me këtë veprim t’i ndihmojnë kolegut të tyre?

- Kush po kërkon që ndaj tyre të ngrihet hetim?

- Çka thotë avokati i Visar Nushit për mosdhënien e mendimit nga ana e mjekëve kosovarë?

- Në çfarë faze kanë mbërritur hetimet ndaj doktorit dhe a do të hetohen edhe mjekët e QKUK-së?  

Image