Murati: Lekaj-Prljaskaj do të vazhdojë fuqizimin e raporteve mes Kroacisë e shqiptarëve

Aktuale September 12, 2016 - 22:49

Ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, e ka cilësuar lajm shumë të mirë rizgjedhjen e politikanes shqiptare në Kroaci, Ermina Lekaj Prljaskaj, si deputete në Parlamentin kroat.

"Në këtë ditë feste, shqiptarët, e posaçërisht ata që jetojnë në Kroaci, kanë arsye për një gëzim shtesë, që edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme në Kroaci, u rizgjodh deputete znj. Ermina Lekaj Prljaskaj", ka shkruar Murati në faqen e tij në Facebook.

Ai ka thënë se Lekaj Prljaskaj në Parlamentin kroat do të vazhdojë të përfaqësojë jo vetëm pakicën shqiptare, por edhe atë boshnjake, maqedonase, malazeze dhe sllovene.

"Ky është një lajm i mirë për të gjithë ne, duke besuar se Ermina, përveç se do të përfaqësojë në mënyrë të denjë shqiptarët dhe komunitetet e tjera, ashtu si edhe deri tash do të ndikojë në fuqizimin e raporteve në mes të Kroacisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan", thuhet në shkrimin e Muratit .