Infektuar: 101517
Shëruar: 87012
Vdekur: 2072
Nën presionin e votave, kundër Demarkacionit
Foto: Laura Hasani

Nën presionin e votave, kundër Demarkacionit

Aktuale August 25, 2016 - 08:05

Pos deputetëve të opozitës janë edhe ata të koalicionit PDK – AAK të cilët vijnë nga rajoni i Dukagjinit dhe të cilët po e kundërshtojnë kalimin e Demarkacionit. Analistët politikë në vend thonë se deputetët nga rajoni i Pejës janë nën presion për shkak të elektoratit

 

Shumica e deputetëve të rajonit të Dukagjinit kanë dalë kundër Demarkacionit, ndërkohë që edhe ata të cilët nuk shprehin qëndrim japin sinjale të jenë po ashtu kundër.

Analistët besojnë se këta deputetë e kanë frikën e humbjes së votave në atë rajon nëse votojnë pro Demarkacionit. Pos deputetëve të opozitës janë edhe ata të koalicionit PDK - AAK të cilët vijnë nga ky rajon dhe të cilët po kundërshtojnë kalimin e Demarkacionit.

Analistët politikë në vend, deputetët nga rajoni i Pejës janë nën presion për këtë çështje si për shkak të elektoratit që e kanë në atë zonë, ashtu edhe për shkak të lidhjeve emocionale që mund të kenë me atë territor.

Ata thonë se aktualisht duket se koalicioni nuk i ka të sigurta 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Demarkacionit, megjithatë, sipas tyre, nuk do të ishte befasi nëse më 1 shtator do të arrijnë t’i sigurojnë ato vota pasi, sipas tyre, PDK-ja dhe LDK-ja do ta shtojë presionin tek deputetët.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti ka thënë se në bazë të qëndrimeve të deputetëve koalicioni nuk i ka votat për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Por, Haliti ka thënë se për të numri i mjaftueshëm i votave do të ishte nëse pushteti dhe opozita do ta votonin këtë marrëveshje.

“Në qoftë se koalicioni do të votonte njësoj ashtu siç i ka numrat, atëherë do ta kalonte, por në bazë të deklaratave të deputetëve unë nuk po e shoh që koalicioni i ka votat e mjaftueshme akoma. Sidoqoftë, për mua numri i mjaftueshëm do të ishte nëse pushteti dhe opozita do ta votonin këtë ligj dhe nëse ishin të sinqertë me njëri-tjetrin për ta thënë të vërtetën lidhur me Demarkacionin”, ka deklaruar Haliti.

Edhe deputeti i kësaj partie nga rajoni i Pejës, Adem Grabovci, kohë më parë ka thënë se me marrëveshjen e 26 gushtit 2015 vija kufitare ka hyrë 5 deri në 6 kilometra në territorin e Kosovës.

Kurse deputetët tjerë të PDK-së nga ky rajon (Agim Çeku, Besim Beqaj, Safete Hadërgjonaj) nuk janë deklaruar se si do të votojnë.

Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, e cila vjen nga rajoni i Pejës, ditë më parë ka thënë për “Zërin” se do të votojë kundër Marrëveshjes për Demarkacionin.

Votë kundër kësaj marrëveshjeje pritet të japë edhe deputeti tjetër nga ky rajon, Arben Gashi, i cili vazhdimisht ka shprehur dyshimet e tij për Marrëveshjen e Vjenës. Ndërkohë nuk dihet qëndrimi i deputetëve, Armend Zemaj dhe Veton Berisha.

Deputeti Ramiz Kelmendi, i cili është pa grup parlamentar, ka thënë për mediet në vend se ai do të jetë bashkë me banorët e asaj zone duke mos e votuar marrëveshjen.

“Unë si deputet i zonës, ku shqetësimet e emocionet e bashkëvendësve të mi janë shumë të ngritura, kam vendosur që të jem me ta dhe vota ime nuk do të jetë pro. Më shumë e kam si formë solidarizimi me emocionet, të cilat janë ngritur”, është shprehur Kelmendi.

Edhe deputeti tjetër nga rajoni i Pejës, Gëzim Kelmendi, vazhdimisht e ka përsëritur se do të votojë kundër marrëveshjes aktuale.

Opinionisti Imer Mushkolaj ka thënë se shumica e deputetëve të asaj zone kanë shprehur keqardhje për këtë situatë që është krijuar, por, sipas tij, në ditën e votimit deputetët do të veprojnë në bazë të kërkesës së partisë.

“Por prapëseprapë unë besoj se kur vjen koha e votimit nuk do të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë dhe prejardhja e tyre, por do të mbizotërojë vendimi partiak dhe marrëveshja se si do ta procedojnë në votim. Pavarësisht se nuk ishte dashur të ketë ndikim primar prejardhja, sepse pavarësisht prejardhjes deputetët duhet të votojnë në bazë të interesave të vendit, megjithatë mbi prejardhjen dhe argumentet do të votohet sipas rekomandimeve të partisë”, ka theksuar Mushkolaj.

Ai më tej ka thënë se aktualisht koalicioni nuk i ka të sigurta votat e nevojshme për ratifikimin e Demarkacionit, megjithatë, sipas tij, nuk do të ishte befasi nëse më 1 shtator do të arrijë t’i sigurojnë ato vota.

“Tash për tash po duket se nuk i ka, por edhe mund t’i bëjë. Nuk është kurrfarë habie, kurrfarë befasie që në ditën e votimit t’i ketë votat si në rastin e zgjedhjes së Thaçit për president, pasi dihet si funksionon koalicioni në kuptimin e ofrimit të posteve dhe privilegjeve të ndryshme që t’u ndërrohet qëndrimi i votimit. Kështu, nuk është befasi nëse disa deputetë që janë kundër tani, të votojnë pro më 1 shtator”, ka shtuar Mushkolaj.

Kurse, profesori Blerim Burjani ka thënë se deputetët e PDK-së dhe të LDK-së, që janë nga rajoni i Pejës, nuk e kanë të lehtë të vendosin se si do të votojnë.

“Konsideroj se një pjesë e deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së që bazën zgjedhore e kanë nga rajoni i Pejës nuk e kanë të lehtë të marrin qëndrim për Demarkacionin. Pra, arsyeja e parë mund të jetë elektorati që e kanë në atë zonë, ndërsa arsyeja e dytë mund të jetë lidhja emocionale që kanë me atë pjesë të Kosovës”, ka vlerësuar Burjani.

Sipas tij, disa deputetë nga kjo zonë ose do të votojnë kundër, ose do të abstenojnë pasi e llogarisin dëmin që mund ta kenë në kuptimin e votave. Megjithatë, ai thotë se edhe në PDK e edhe në LDK do të ketë presion mbi disa deputetë që ta votojnë Demarkacionin.

Ai gjithashtu ka thënë se ka edhe deputetë të tjerë që nuk janë nga rajoni i Pejës, por që kanë paralajmëruar votë kundër, prandaj, sipas tij, është e vështirë të thuhet nëse kjo marrëveshje do të ratifikohet.