U-21: Shqipëria mposhtet nga Zvicra në “Air Albania”

U-21: Shqipëria mposhtet nga Zvicra në “Air Albania”

Sport March 26, 2024 - 19:26

Shqipëria U-21 nuk mundi të rezistonte në “Air Albania” përballë moshatarëve të Zvicrës. Në ndeshjen e vlefshme për Grupin E të kualifikueseve për Euro 2025, kuqezinjtë u dorëzuan me shifrat 3-1.

Ndeshja nisi me vrull për të besuarit e trajnerit Alban Bushit, megjithatë ata që shënuan ishin miqtë me anë të një goditje dënimi në minutën e 28-të nga Surdez.

 

Simon Simoni provoi t’i ndryshonte udhë topit, por nuk mundi pavarësisht përpjekjeve maksimale. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, teksa në fraksionin e dytë, kuqezinjtë reaguan dhe kërkuan me ngulm golin.

Për t’u theksuar një episod i minutës së 54, kur Pajaziti fitoi duelin e shpejtësisë me mbrojtësin kundërshtar duke shkuar i pari te topi.

 

Por, arbitri çuditërisht nuk e vlerësoi si një faull dhe vijoi normalisht lojën. Pesë minuta më vonë, Zvicra U-21 shënoi edhe golin e dytë.

Në zhvillimet e një goditje këndi, Sanchez u gjend i lirë në zonë dhe ndëshkoi sërish Simonin. Zvicra U-21 thelloi edhe më shumë diferencat teksa në të 76-tën helvetët shënuan edhe golin e tretë me Keller.

Në fund, Shqipëria shënoi me Shpendin, por që ky gol shërbeu sa për statistikë. Pas kësaj disfate, kuqezinjtë bien në vendin e katërt me 10 pikë ndërsa Zvicra ngjitet në krye me 14 pikë./ss/