Të nënvlerësuarit e Premierligës

Sport November 15, 2018 - 15:15
Detajet

Derisa disa futbollistë shkëlqejnë dhe zënë ballinat e gazetave, disa të tjerë punojnë e shkëlqejnë në hije. Disa futbollistë të Premierligës mund të jenë të nënvlerësuar nga publiku, por ata janë heronj të heshtur e të paepur të ligës më atraktive në botë, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Shpeshherë ndodh që disa lojtarë të mos vlerësohen sa duhet në botën e futbollit. Një gjë e tillë ndodh edhe me disa futbollistë të Premierligës. E përditshmja angleze “The Guardian” sjell dhjetë futbollistët më të nënvlerësuar të ligës më atraktive në botë

Shane Duffy (Brighton)

Nominimi për çmimin “Lojtari i Muajit” gjatë tetorit tregon se paraqitjet e mira të Duffyt janë vërejtur. Që prejse ishte zgjedhur “Lojtari i Ndeshjes” në fitoren 3:2 ndaj Manchester Unitedit në gusht, qendërmbrojtësi i gjatë 1.9 metra, ka qenë jetik për formën e mirë të Brightonit, duke shënuar gola vendimtarë ndaj Unitedit dhe Southamptonit dhe duke qenë përgjegjës për më së shumti spastrime nga zona (96) dhe më së shumti largime të topit nga vija e portës (2) se çdokush tjetër në ligën angleze. Kontrata pesëvjeçare që nënshkroi gjatë muajit të kaluar ishte një shpërblim për paraqitjet e tij. “Ne jemi të vetëdijshëm sesa shumë ka bërë ai për ne dhe është një mundësi e mirë për këtë klub që të ruajë një aset të vet”, kishte thënë Chris Hughton.

Philip Billing (Huddersfield)

Edicioni i kaluar ishte përzier për Billingun, i cili i humbi tre muaj vendimtarë për shkak të një lëndimi në nyje dhe mbeti jashtë ekipit, duke luajtur vetëm tetë ndeshje si titullar në ligë dhe duke i përfunduar vetëm gjysmën e tyre. Këtë sezon ai ka qenë zemra e mesfushës së Huddersfieldit, duke luajtur në çdo ndeshje dhe duke mos i mbyllur vetëm dy prej tyre. Danezi, i cili u transferua në Yorkshire sa ishte 16-vjeçar, është rehat me topin, e mban mirë atë, gjuan fuqishëm, është i nevojshëm nga ndërprerjet dhe është në gjendje që të gjuajë topa të gjatë. Në moshën 22-vjeçare ai nuk është afër kulmit të karrierës së tyre, por me përmirësimin e tanishëm niveli i tij mund të rritet.

Pierre-Emile Hojbjerg (Southampton)

Southampton nuk ka qenë në formën më të mirë këtë edicion, por nëse një lojtar mund të dallohet deri më tani atëherë ai është Hojbjerg. Statistikat e tij demonstrojnë se ai është përmirësuar dukshëm nga sezoni i kaluar. Prej 59.7 pasimeve për 90 minuta tani ai bën 69.2 pasime dhe ka një përmirësim edhe në kompletimin e tyre (86,9% krahasuar me 85%), prej 0.7 gjuajtjeve për ndeshje në 1.47 gjuajtke, ndërsa tashmë ka bërë 24 ndërhyrje, ose më shumë se gjysma që kishte bërë në edicionin e kaluar (45). Kartoni i kuq i marrë ndaj Leicesterit për shkak të ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë për një simulim të turpshëm është e vetmja gjë që ia njollos statistikat.

Craig Cathcart (Watford)

Kanë kaluar më shumë sesa katër vjet që prejse Watfordi nënshkroi me Cathcartin nga Blackpooli në transferim të lirë. Ai kishte luajtur për ekipe elitare më herët, por që prej asaj kohe ato kanë rënë në kategori më të ulëta dhe askush nuk dukej se besonte që ai e meritonte shansin e dytë. Që prej transferimit në “Vicarage Road” dhe pavarësisht transferimeve në mbrojtje të ekipit që prej promovimit në ligë, ai ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë, përveç disa lëndime që e kishin lënë jashtë fushave. Ky sezon ka qenë më mbresëlënës se kurrë. Nëse ai nuk e merr shpeshherë vëmendjen është për shkak të pozicionimit të tij shembullor që bën që ai disa herë të bëjë intervenime efektive. Ka formuar një partneritet solid me Christian Kabaselen dhe Adrian Mariappan.

Andre Gomes (Everton)

Në mars Gomes ishte një lojtar që luante pak te Barcelona dhe që vuante për t’i realizuar ambiciet e tij, madje edhe ishte shprehur për këtë gjë. “Është kthyer në një lloj ferri. Në më shumë se një rast unë nuk kam dashur të largohem nga shtëpia. Njerëzit të shikojnë dhe unë jam i frikësuar që të eci rrugëve për shkak të turpit”, kishte thënë Gomes. Ai ende nuk e ka arritur nivelin më të lartë të Evertonin, ndoshta e arsyetueshme pas arritjes së tij si i lënduar dhe të shkuarit në një ekip të ri këtë sezon, por ai tashmë është duke treguar aftësitë e tij teknike dhe klasin e tij. Në veçanti ai është duke shkëlqyer së bashku me Idrissa Gueyen në zemër të mesfushës dhe me Gylfi Sigurdssonin përpara.

Aymeric Laporte (Manchester City)

Vetëm te Manchester City mund të ndodhë që një lojtar i cili ka kushtuar 57 milionë funte të mbetet në hije, por përderisa mesfusha, sulmi dhe portieri i tyre kanë tërhequr vëmendjen më të mëdha, Laporte është kthyer në një lojtar të pazëvendësueshëm. Ai pa dyshim që është i nënvlerësuar nga trajneri i Francës, Dider Deschamps, i cili e ka injoruar atë dhe e ka preferuar mbrojtësin e Crystal Palacet, Mamadou Sakho dhe atë të Marseilles, Adil Rami. Ai është lojtari i vetëm që ka luajtur çdo minutë për Cityn në Premierligë, gjë për të cilën ka ndihmuar edhe mungesa e paraqitjeve ndërkombëtare.

Fabian Balbuena (West Ham)

Një tjetër qendërmbrojtës, Balbuena është duke u treguar njëri prej ujdive më të mira të kësaj vere, pas transferimit prej 3.5 milionë funtesh nga Corinthiansi. Ai është i katërti në ligë për kah ndërhyrjet dhe i treti në spastrime, derisa te West Hami vetëm Felipe Anderson e ka tejkaluar atë. “Vuajta paksa në javët e para, por mendoj se jam adaptuar. Unë ndihem mirë në mënyrën sesi janë duke shkuar gjërat”, është shprehur paraguaiani. Përveç katër ekipeve të fundit, vetëm Burnley dhe Manchester Unitedi janë shqetësuar për më shumë gola sesa West Hami, kështu që problemet në mbrojtje vazhdojnë të qëndrojë, por Balbuena dhe francezi Issa Diop kanë një bazë të qëndrueshme për të vazhduar përmirësimin.

Etienne Capoue (Watford)

Thuhet se afërsia ushqen mospërfilljen dhe ndonjëherë ne jemi fajtorë që gëzohemi për transferimet e reja, derisa i lëmë anash lojtarët e njohur. Pas pesë vjetëve në Angli njerëzit janë njohur me përzierjen e mefshtësisë dhe aftësisë të Capoues, por Javi Gracia e ka nxjerrë një nivel tjetër nga francezi. Përderisa partneri i tij në mesfushë, Abdoulaye Doucoure ka qenë subjekt i lëvdatave dhe i thashethemeve të vazhdueshme për një vit dhe së fundmi është lidhur me kalim te Paris Saint-Germaini, Capoue e ka tejkaluar atë.  Mesfushori punëtor dhe i ndrojtur është i nënti në ligë për ndërhyrje, i treti për ndalime të topit dhe i dyti së bashku me bashkëlojtarin e tij, Jose Holebas për spastrime. “Capiue është njëri prej mesfushorëve më të mirë në Premierligë dhe mos keni dyshime për këtë gjë”, ka thënë Gracia.

Victor Camarasa (Cardiff)

Njëherë i përmendur si njëri prej lojtarëve më me perspektivë në Spanjë, shkëlqimi i Camarasas u venit derisa u largua te Cardiffi në huazim nga Real Betisi. “Ndonjëherë pasimet që bëhen në Real Betis nuk i përshtaten disa stileve. Ai dëshiron të vrapojë drejt zonës dhe të ketë gjuajtje dhe ndërhyrje, në mënyrë që t’i përshtatet lojës sonë”, ka thënë trajneri i Cardiffit, Neil Warnock. Ende nuk është demonstruar e gjithë kjo, por me 1.2 ndërhyrjet e tij për 90 minuta ai është më lart se renditja e Cardiffit në ligë dhe me 1.5 gjuajtjet për ndeshje ai zë vendin e shtatë. Sidoqoftë, aftësitë e tij janë të qarta dhe gjuajtjet e lira kanë qenë madhështor.

Conor Coady (Wolverhampton)

Coady u befasua kur Alan Shearet sugjeroi që ai mund të jetë i vlefshëm për përfaqësuesen e Anglisë, por  janë fjalë të merituara. Ai ka qenë zemra e mbrojtjes së Wolverhamptonit gjatë dy edicioneve të kaluara, derisa më herët kishte luajtur në mesfushë. Nuno Espirito Santo e hodhi poshtë idenë e Shearerit, duke thënë se Coady duhet të punojë më shumë dhe të përmirësohet para se të marrë ftesën nga Gareth Southgate. Por, mënyra se si e lexon lojën dhe qetësia me topin janë aftësitë e duhura që trajneri i Anglisë kërkon te një qendërmbrojtës./Zëri