Newcastle, klubi që humbi gjashtë lojtarë në Luftën e Parë Botërore

Sport November 13, 2018 - 15:42

Newcastle dukej e pathyeshme derisa skuadra ishte mbledhur për të bërë një fotografi në verën e vitit 1914. Disa prej tyre nuk mund të besonin që kishin arritur në rangun e klubit të njohur anglez. Gjashtë prej tyre ishin varë në Luftën e Parë Botërore, një konflikt që e ndryshoi plotësisht klubin

Newcastle dukej e pathyeshme derisa ekipi mblidhej së bashku në “St James' Park” për të bërë një foto në verën e vitit 1914, derisa disa prej tyre nuk e besonin që ia kishin arritur të ishin pjesë e një klubi të këtij rangu, shkruan sot gazeta Zëri.

Tom Goodwill kishte punuar në një minierë të qymyrit në jug të Northumberlandit, mbrojtësi Dan Dunglinson në hekurudhat veriperëndimore dhe sulmuesi George Rivers ishte trajnuar për t’u bërë mësues shkolle.

Ata me shumë mund ia arritën të hyjnë në ekipin e Newcastlet, që kishte tre tituj, pesë finale të FA Cup në dekadën e parakaluar, kështu që njiheshin si “Edwardian Masters” (Mjeshtrit e periudhës së mbretit Edward VII).

Gjashtë pjesëtarë të kësaj skuadre do të vriteshin në një konflikt të ardhshëm, që do ta ndryshonte klubin në tërësi.

Goodwill, Dunglinson, Tom Cairns dhe Owen McManus, që ishin pjesë e fotografisë dhe Rivers dhe Richard McGough, që nuk ishin. Në total lufta ua mori jetën 23 lojtarëve që përfaqësonin Newcastlen.

Derisa një libër i ri për klubin dhe Luftën e Parë Botërore nga Paul Joannou ka shpalosur këto gjëra, shumë pak ekipe kishin vuajtur të njëjtën gjë.

Ekipi i edicionit 1914/1915 dukej si një perspektivë e madhe derisa edicioni i ri filloi.

Goodwill ishte duke bërë emër për veten, duke shkëlqyer në ndeshjen ndaj Chelseat në FA Cup, që kishte mbledhur 49.000 njerëz në “St James' Park”, duke shënuar një gol të cilin gazetat e kishin përshkruar si një “gjuajtje vrastare” në ndeshjen ndaj Aston Villas.

Ai e kishte bërë debutimin e tij në shtator të vitit 1913 dhe kishte shënuar golin e tij me një goditje të ulët ndaj Sunderlandit tre muaj më vonë.

Nëse kishte ndonjë kritikë, atëherë ishte për tendencën për të mbajtur më shumë topin, edhe pse ai kishte shpejtësi dhe potencial të madh.

Ai iu bashkua shpejt dhe me vullnet ushtrisë, duke mos e pritur fundin e edicionit 1914/1915.

Kështu bëheshin këto gjëra në verilindje të Anglisë. Klasa e madhe punëtore e tyre në miniera dhe afër lumenjve të Tyne dhe Wear shpejt u rrit në radhët e batalioneve “Northumberland Fusiliers” dhe “Durham Light Infantry” të ushtrisë angleze.

Goodwill kishte bashkëlojtarët Dunglinson dhe Stan Hardy në divizionin që ishte i njohur si “Newcastle Commercials”.

Ata pa dyshim që nuk frikësoheshin fare në pranverën e vitit 1916 në Somme (vend në veri të Francës).

Joannou zbulon sesi batalioni i Goodwillit luante edhe futboll, tri ndeshje ndaj batalioneve të tjera, të cilat i fituan.

Ata i mbijetuan një nate me granatime të mëdha afër qytetit të Albertit, në luginën Ancre të Francës, më 30 qershor 1916.

Dhe më pas në ditën e ardhshme, rreth orës 7:30 të mëngjesit, një e shtunë e ndritshme me diell, ata kishin avancuar në një terren të hapur, në një tatëpjetë për t’u ngjitur në një terren të lartë në Thiepval Ridge.

Gjatë betejës së brigadierëve të “Newcastle Commercials” atyre u ishte thënë që gjermanët ishin shpërndarë për shkak të një përdorimi të avancuar të artilerisë së rëndë.

“Ju do të jeni në gjendje të hipni në majë me një bastun. Nuk do të keni nevojë për pushkatarë. Ju do t’i gjeni gjermanët të gjithë të vdekur. Asnjë mi nuk do të jetë i mbijetuar”, kishte thënë ai.

Disa burime thonë se kur ishte dhënë urdhri për të hipur në majë, atë mëngjes ushtarët me disa pajisje sportive shkuan në betejë duke goditur një top futbolli në Tokën e Askujt. Por, ata i priste një realitet i tmerrshëm. Gjermanët ishin gjallë.

Dunglinson, ish-kapiten i klubit Blyth Spartans para se Newcastle ta merrte pak ditë para masakrës, ishte në mesin e pesë ushtarëve që do të vriteshin.

Goodwill ishte nën shoqërinë e atyre që do të përgatisnin atë sulm. Edhe ai vdiq.

“Ishte një vetëvrasje. Një masakër. Ju mund t’i dëgjonit të plagosurit duke bërtitur”, kishte thënë një oficer.

Deri në orën 8:00 të mëngjesit “Commercials” ishin zhdukur.

Fytyrat e Goodwillit dhe Dunglinsonit ishin në mesin e fotografive të vendosura në kronikën e ilustruar të Newcastle, që mbante faqe pas faqe qindra të vdekur.

Klubi do të mbante zi edhe për shumë të tjerë. George Rivers, i cili kishte arritur nga klubi lokal Birtley për një shumë prej 50 funtesh, ishte vrarë duke punuar në kanale në Englebelmer, afër vendit ku ishin vrarë Goodwill dhe Dunglinson.

Tom Cairns, i cili kishte luajtur si sulmues i dytë ose si qendërsulmues, ishte përshkruar nga kronika e ilustruar si njëri prej futbollistëve më premtues të veriut, kishte vdekur derisa ishte pjesë divizionit “61st Trench Mortar Battery”.

Richard McGough vdiq nga plagët e marra në një ambulancë afër Arrasit.

Ishte një ekip komplet ndryshe që luajti ndeshjen e parë të sezonit tjetër në “St James' Park” e që u mposht 2:0 nga West Bromwichi. Takimet disaminutëshe të bordit të Newcastlet vendosën që të bazoheshin te të rinjtë për fillimin e ri.

“Nuk ishte e njëjta gjë. Ata e filluan nga zeroja”, thotë Joannou.

Pak prej atyre që ishin kthyer nga vendpunimet në kanale donin që të flisnin për atë që u kishte ndodhur bashkëpatriotëve të tyre.

Ata u rreshtuan në skuadrën e tyre në të njëjtin vend.

Nuk kishte më shumë sesa një minutë heshtjeje ose një shirit i zi në krah në ndeshjen e tyre të parë në shtëpi, një humbje ndaj WBA-së në gusht të atij viti.

Vetëm në vitin 1991 ishte bërë restaurimi i memorialit të tyre dhe puna e Joanniut ka bërë që një tjetër memorial të zbulohet këtë vit në “St James' Park”.

Një shekull pas armëpushimit ata nuk janë harruar. /Zëri/