Feronikeli shikon përpara

Sport November 09, 2018 - 10:30

Humbja e së mërkurës në shtëpi prej 1:0 nga FC Prishtina mysafire i ka kushtuar Feronikelit me humbje të pozitës së parë të Superligës, të cilën e ka mbajtur bukur gjatë.

Por kjo nuk do të thotë se skuadra e Zekirja Ramadanit ka pësuar në moral, shkruan sot gazeta Zëri.

Është vetë trajneri ai i cili e inkurajon skuadrën që ta mbajë kokën lart dhe të shikojë kah e ardhmja sepse epërsie prej vetëm një pike e FC Prishtinës nuk është asgjë dhe se ajo mund të përmbyset shumë shpejt.

“Ne duhet të tregohemi profesionistë. Tani duhet të përgatitemi për ndeshjen me Ferizajn. E humbëm ndeshjen me Prishtinën, por nuk humbëm asnjë gjë tjetër, humbëm vendin e parë, por në disa momente nga eksperienca si futbollist që e kam pasur, gjithmonë nga vendi i dytë kemi qenë më të rrezikshëm sesa kur kemi qenë liderë në klasifikim”, ka thënë ai.

“Ne prapë do të kemi rastin mbase ta kalojmë Prishtinën”, ka theksuar Ramadani. /Zëri/