Feronikeli - Prishtina, derbi i kreut

Sport November 07, 2018 - 12:43
Image

Dy skuadrat më të fuqishme të futbollit kosovar këtë sezon, Feronikeli dhe Prishtina, do t’i matin forcat sot në duelin e mbetur në mes tyre, i cili do të luhet në Drenas. “Nikli” me rezultat pozitiv synon ta ruajë primatin në Superligë, derisa Bardhekaltrit shkojnë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” të motivuar maksimalisht pas gjashtë fitoresh radhazi në kërkim të fitores së re, e cila do t’ua mundësonte t’ia rrëmbejnë pozitën e parë kundërshtarit të sotëm. Fjala është për një derbi në mes dy kandidatëve kryesorë për titull të kampionit

Feronikeli dhe Prishtina do t’i matin forcat sot në ndeshjen e mbetur të xhiros së 10-të të Superligës së Kosovës në futboll, shkruan sot gazeta Zëri.

Lideri dhe ndjekësi i tij kryesor do të përballen në stadiumin “Rexhep Rexhepi” për ta demonstruar se kush është më i forti i futbollit kosovar, të paktën deri në këtë pikë të kampionatit.

Momentalisht “Nikli” ka dy pikë më shumë se Bardhekaltrit dhe në këtë ndeshje do ta ketë avantazhin e terrenit vendës.

Sidoqoftë, në ndeshjen e sotme të tria opsionet e rezultateve janë të mundshme dhe nuk do të ishte befasi cilado skuadër që fiton ose edhe nëse mbyllet loja baras.

Hoxha: Hyjmë për rezultat pozitiv

Feronikeli po kalon momente mjaft të mira këtë sezon duke i dominuar skuadrat tjera, me ç’rast prin në tabelë me 32 pikë, prej tyre 10 fitore, 2 barazime e 1 humbje nga 13 ndeshje të zhvilluara.

Skuadra gjelbërebardhë synon ta vazhdojë këtë seri edhe sot për t’u shkëputur më shumë ndaj rivalit kryesor, Prishtinës.

“Ne jemi gati për ndeshje me Prishtinën si në çdo ndeshje tjetër. Do të jetë motivim më i madh për këtë lojë normalisht pasi Prishtina është klub i madh i cili duhet respektuar, por jo mbivlerësuar. Pres një lojë të vështirë, është e rëndësishme por jo jetike sepse ka edhe shumë ndeshje tjera deri në fund”, ka thënë futbollisti i Feronikelit Yll Hoxha për “Zërin”.

“Ne do të hyjmë për rezultat pozitiv. Pres mbështetje maksimale nga tifozët tanë ‘Tigrat e Zi’, që janë shumë të rëndësishëm për ne”, ka shtuar futbollisti ofensivë i krahut të majtë.

Dallku: Të paraqitemi ashtu siç i ka hije Prishtinës

Nga ana tjetër Prishtina vjen pas një serie fantastike prej gjashtë fitoresh radhazi.

Prandaj ky ekip e ka motivin në qiell dhe i hyn kësaj loje me objektivin e qartë për ta fituar atë.

Tri pikë eventuale do t’ia mundësonin ekipit të Mirel Josës të kalojë në vendin e parë në tabelë, një pikë më shumë se lideri aktual, Feronikeli. “Për ne është ndeshje e radhës, por normalisht motivi nuk na mungon, sepse është ndeshje e madhe dhe nuk ka nevojë për shumë motivim nga trajnerët ose nga anash. Presim rezultat pozitiv, natyrisht duke u bazuar nga ndeshjet e fundit ku kemi pasur seri pozitive dhe na gëzon fakti për këtë”, ka thënë kapiteni i prishtinasve Armend Dallku.

“Po flitet shumë që ne nuk po shënojmë e që unë s’mendoj ashtu, që hiq me Drenicën, në ndeshjet tjera kemi shënuar nga 2 ose 3 gola e duke bërë fazë shumë të mirë ofensive dhe në momentet e duhura po vijmë te shanset për gol. Pra, as kjo ndeshje nuk do të jetë përjashtim dhe ne kemi qëllim të vetëm fitoren, të luajmë futboll e t’i tregojmë cilësitë tona dhe tërë Kosovës, që po e pret këtë ndeshje. Të paraqitemi ashtu siç i ka hije Prishtinës, që lufton për vend të parë”, vazhdoi kapiteni Bardhekaltër.

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, thotë se kjo ndeshje nuk do të jetë vendimtare për titull, por që e ka peshën e saj të madhe gjithsesi pasi po ballafaqohen dy skuadrat që prijnë në tabelën e Superligës.

“Tani luajmë në Drenas, e cila nuk është një ndeshje që e përcakton kampionatin, por është një ndeshje e cila do të luhet sepse është akoma ndeshja e parë e kampionatit ndërmjet dy skuadrave. Ka edhe skuadra të tjera të cilat kanë pretendimet e tyre dhe mund të futen në garë në qoftë se për dy ndeshje ti që je para tyre nuk bën mirë”, ka thënë trajneri shqiptar.

Prishtina është e dyta në tabelë me 30 pikë, duke regjistruar 9 fitore, 3 barazime e 1 humbje.

Të mërkurën do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër e mbetur në mes të dy skuadrave të pjesës së poshtme të tabelës, KEK-u – Ferizaj.

Këto dy ndeshje ishin shtyrë për shkak se Prishtina dhe KEK-u kishin lojtarë të angazhuar në ekipet e Përfaqësueses së Kosovës. /Zëri/

Superliga – Java e 10-të

E mërkurë

13:30 Feronikeli – Prishtina

13:30 KEK-u – Ferizaj