Edhe Vinicius pati rol në shkarkimin e Lopeteguit

Sport November 02, 2018 - 13:59
Detajet

Vinicius Junior nuk është përgjegjës për krizën e Real Madridit, por dështimi i ish-trajnerit të gjigantit madrilen Julen Lopetegui që ta trajtojë brazilianin ka kontribuar në dështimin e strategut spanjoll, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Vinicius Junior supozohej të bëhej ylli i ardhshëm i Real Madridit dhe ndoshta pasardhësi i Cristiano Ronaldos në “Santiago Bernabeu”.

Por përkundrazi, Viniciues Junioir doli të jetë një barrë e rëndë për Julen Lopeteguin gjatë kohës së tij të shkurtër në krye të ekipit madrilen. Sigurisht, braziliani dhe dështimi për të nxjerrë më të mirën nga ai ka kontribuar indirekt në vendimin për të shkarkuar Lopeteguin nga posti i tij vetëm tre muaj pas fillimit të edicionit të ri. “Viniciues është një tjetër anëtar i ekipit, ai është shumë i ri dhe shumë i talentuar”, ka deklaruar pasardhësi i Lopeteguit, Santiago Solari, pasi ishte pyetur për adoleshentin në konferencën e tij të parë pas marrjes së detyrës së re.

Solari e njeh Viniciusin më mirë se kushdo tjetër në Madrid falë kohës së kaluar me të në Castilla dhe beson se ai ka aftësi për të arritur shumë. “Ai ka shumë për të mësuar, por gjithashtu shumë për të dhuruar. Nëse është këtu, është sepse ai është mjaftueshëm i mirë”, u shpreh argjentinasi.

Këto janë të dyja anët e këtij guri të çmuar, i cili ka shumë për të mësuar dhe për të dhënë, që ia dhanë një kokëçarje Lopeteguit. Është një sekret i hapur i Madridit që pamundësia e Lopeteguit për ta trajtuar brazilianin, i cili ishte transferuar për 45 milionë euro nga Flamengo, kishte shkaktuar shqetësime për krerët e klubit.

Në kompletimin e transferimit Madridi mori një adoleshent me perspektivë, i cili tashmë kishte shkëlqyer në nivelin më të lartë të Amerikës së Jugut dhe në një stadium mitik si “Maracana”. Është e qartë se ai nuk është një Neymar dhe nuk është as afër të qenët një zëvendësues i Cristianos, por potenciali i tij dhe paraqitjet me Castillan pa dyshim që tregojnë se ai ka merituar më shumë sesa 12 minuta, që ia kishte ofruar Lopetegui.

“Goal.com” raporton se nuk ishte vetëm mungesa e paraqitjeve që shkaktoi shqetësime. Më shumë shqetësuese ishte mungesa e një plani të qartë për ta integruar dhe për ta zhvilluar Viniciusin në një afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë.

Vendimi për të çuar atë në Castilla, kur nuk ishte i nevojshëm në ekipin e parë, dukej një zgjidhje e arsyeshme në atë kohë. Por, nuk kishte progres nga plani i parë, asnjë takim për të vlerësuar evoluimin e tij si lojtar ose nevojat e tij.

Në javën katastrofave, kur u mposhtën 5:1 në “El Clasico”, shënoi një pikë kthese. Madridi apeloi zyrtarisht ndaj ndëshkimit pas dy kartonëve që Vinicius i kishte marrë me Castillan, në mënyrë që të jetë i lirë për ndeshjen ndaj Barcelonës ose ndoshta për ndeshjen e së shtunës së Castillas kundër Fuenlabradas. Lopetegui e ftoi në ekipin e parë vetëm që ta lërë atë në tribunat e stadiumit “Camp Nou”.

Vinicius nuk luajti ndaj Barçës dhe nuk pati mundësi të luante për ekipin e Solarit, që e pësoi humbjen e parë këtë edicion. Kjo gjë vetëm e përmbledh trajtimin e dështuar ndaj brazilianit. Kjo ia dha edhe një armë më shumë Florentino Perezit që ta shfrytëzojë ndaj Lopeteguit derisa përgatitej ta largonte nga klubi. Adoleshenti nuk mund të fajësohet për krizën e Madridit. Ai nuk është njëri prej tetë kandidatëve për “Topin e Artë” që janë pjesë e madrilenëve dhe ka pasur pjesëmarrje minimale në rezultatet e këqija. Por, në mënyrë indirekte ai pati rolin e tij në shkarkimin e Lopeteguit. Tani i takon Solarit që ta marrë në krahun e tij Viniciusin dhe të nxjerrë më të mirën nga ai derisa mundohet që ta stabilizojë anijen e përmbytur të Madridit./Zëri